Autor: Shejkh Abdul-Aziz Ibën Baz

 

Pyetje:

Shejkh i nderuar, e kemi mësuar tashmë rëndësinë e kërkimit të dijes dhe jemi përpjekur për të, mirëpo jemi befasuar tani që po përballemi me aktualitetin, ngaqë jeta është e mbushur me kontradikta. Ajo që u ngrit për një vit, po rrënohet nga mjetet e tjera (të komunikimit) për një natë. Po rritet një brez i ri në shoqëritë islame me një edukim kontradiktor. Lexojnë ajetin e Hixhabit në mëngjes dhe pastaj në mbrëmje shohin gjëra që e kundërshtojnë atë ajet. Atëherë cili është obligim ynë ndaj këtij fenomeni?

Përgjigje:

Këto janë fatkeqësitë dhe sprovat, sidomos nga fundi i kohës, në kohën që po jetojmë tani. Nga fundi i kohës feja bëhet e huaj. Prandaj duhet patjetër që të bëhet durim. Siç na ka njoftuar Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - se: “Do vijë një kohë kur ai që është i kapur mbas fesë do jetë sikur ai që mban një gacë zjarri në dorën e tij.”

Gjithashtu ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -: “Ka filluar Islami i huaj dhe do të rikthehet i huaj, ashtu siç filloi, andaj përgëzimi është për të huajt.” Hadithin e transmeton Muslimi në Sahihun e tij.

Në një tjetër transmetim i thuhet atij: Cilët janë të huajtë? Ai tha: “Janë ata që përmirësojnë kur të prishen njerëzit.” E në një tjetër transmetim ka ardhur: “Janë ata që do ripërtërijnë atë që kanë prishur njerëzit nga suneti im.”

Kurse në hadithin e Ebu Thealebeh qëndron: “Veprat e njërit prej tyre do të vlejë sa pesëdhjetë veta.” I thanë: “A prej nesh apo prej atyre që do të jenë në atë kohë.” Ai u tha: “Përkundrazi, prej jush!” Shkaku i kësaj është pakësimi i përkrahësve dhe ndihmuesve, dhe shumimi rrugëve të shkatërrimit dhe dyshimeve, shumimi i rrugëve të devijimit dhe të thirrësave për këto rrugë. Andaj durimi në fundin e kohës, me dituri dhe vepra, do të ketë shpërblimin e pesëdhjetë prej sahabëve. Sepse ata gjetën ndihmuesa që në fillim të islamit, ishin në kohën e zhvillimit të islamit, zhvillimit të muslimanëve, të fuqisë së Islamit, të fuqisë së muslimanëve dhe shumicës së fitoreve dhe mposhtjes së armiqëve. Ama në fund të kohës është e kundërta, armiqtë do janë të shumtë, thirrësat për në devijim janë të shumtë, njerëzit që e ndihmojnë dhe e përkrahin hakun janë të paktë, kurse dyshimet janë të shumta. Lufta midis njerëzve të Hakut dhe Batilit në fundin e kohës do të jetë e egër. Andaj ai që ka mësuar duhet patjetër që të bëjë durim.

Ai që e mësoi të vërtetën, pastaj ballafaqohet me të kundërtën e saj, ai duhet ta lëvdojë dhe falenderojë Allahun për diturinë që i ka dhënë, duhet të lëvdojë dhe falenderojë Allahun që e bëri prej atyre që e njohën këtë të vërtetë, pastaj të punojë sa të mundet që të ndalojë nga e keqja dhe të thërrasë për tek e mira, në mënyrë që të realizojë atë që mësoi. Kjo përfshin ato çështje që lidhen me Akiden si dhe me degëzimet e fesë gjithashtu. Kjo sjellë shpërblime të mëdha dhe sevape të shumta, për atë që bën durim dhe shpreson shpërblim.

Kush punon me diturinë e tij, Allahu do e bëjë atë më të ditur dhe do ja shtojë dijen, sepse kur ai të përballet me këto kontradikta, kjo e ndihmon atë në zgjerimin dhe thellimin e dijes së tij, i mëson dyshimet dhe se si t’i largojë dhe t’i eliminojë ato, i mëson rrugët që të çojnë tek e vërteta dhe të ndihmojnë për ta arritur atë, në mënyrë që ta përhapë tek njerëzit dhe që të thërrasë në të vërtetën.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org