Autor: Shejkh Abdul-Muhsin El-Abbad

Burimi: Shpjegimi i Sunenit të Termidhiut, kapitulli i Haxhit, kaseta 111, minuta 1:05:49.



Pyetësi: Kanë ardhur një numër pyetjesh dhe kërkesash ku tërheqin vëmendjen ndaj një nate si kjo, ndaj asaj që besojnë disa njerëz në lidhje me vlerën e saj dhe veçimin e saj me adhurim nga netët e tjera.

Përgjigje: Po, kjo natë që është nata e mesit të muajit të Shabanit, nuk është vërtetuar ndonjë sunet për të nga i dërguari i Allahut – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – që të tregojë për veprimin e ndonjë gjëje gjatë natës së saj, siç është Namazi, Kijamul Lejl (qëndrimi zgjuar natën duke bërë adhurim) apo ndonjë dhikër, dhe as për ditën e saj, siç është agjërimi, dhikri e të tjera gjëra.

Origjina është se adhurimet merren nga i dërguari i Allahut – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të –. Ndërsa nga i dërguari – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – nuk ka ardhur ndonjë gjë për atë (natë) që të tregojë për ndonjë vepër që e bën njeriu gjatë natës dhe ditës së saj.

Shejkhu jonë, Shejkh Abdul-Aziz ibën Baz – mëshira e Allahut qoftë mbi të – ka një artikull me titull: "Paralajmërimi ndaj bidateve", dhe prej tyre është ajo që lidhet me natën e mesit të muajit të Shabanit.

Disa dijetarë kanë saktësuar hadithin tek i cili thuhet se: “Allahu i Lartësuar shikon në natën e mesit të muajit të Shabanit robërit e Tij, dhe e fal çdokënd që nuk i ka bërë shok Allahut apo që nuk mban urrejtje.”

Dhe duke marr për bazë mendimin për saktësinë e këtij hadithi, aty (në hadith) nuk përmendet ndonjë gjë që veprohet në këtë Natë. Sepse (aty tregohet vetëm) që falet ai njeri që nuk i ka bërë shok Allahut dhe që nuk mban urrejtje. Pra, në hadith nuk përmendet Namaz, as dhikër, as adhurim dhe as nuk përmendet aty agjërim që veçohet për atë ditë.

Po, ai që ka pas agjëruar Ditët e Bardha, atëherë ai e agjëron ditën e mesit të muajit të Shabanit duke llogaritur se ajo është një ditë prej Ditëve të Bardha, sikurse e ka patur zakon në ditët e Vitit.

Ama nëse ai synon këtë muaj për të agjëruar këtë ditë nga që është dita e mesit të muajit të Shabanit, atëherë kjo është një vepër për të cilën nuk është vërtetuar ndonjë sunet nga i dërguari – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të –.

Dhe mirësia e çdo mirësie është duke pasuar sunetet dhe duke ndjekur Selefët (të parët tanë të mirë), dhe çdo sherr është tek shpikjet që sjellin Khalefët (të mëvonshmit).

Përktheu: Altin Dallashi