Autor: Shejkh Sulejman Rruhajli

Burimi: Sherh el-Uesijeh es-Sugra, fq.112

 

 

Më kanë treguar se një person nga Franca, i cili ka qenë njeri i famshëm, lexoi rreth Islamit dhe pastaj u bë musliman. Pastaj shkoi në disa vende të Afrikës, e atje pa që njerëzit adhuronin dijetarët e tyre dhe u dedikonin atyre forma të adhurimeve në vend të Allahut. Pastaj ai tha: “Krishterimi është më i mirë se kjo që bëjnë këta, sepse të paktën atje në Francë ne adhurojmë një profet, kurse ata po adhurojnë njerëz, e shumica prej tyre madje as që e meritojnë të respektohen!” Për shkak të kësaj që pa, ai donte ta linte Islamin, por takoi një njeri që ishte këshillues i sinqertë, i cili i tha: “A do Islamin (e vërtetë)?” Ai tha: “Po!” Ai i tha: “Atëherë shkon në Haxh, e mbas Haxhit merr vendim.”

 

Ai shkoi në Haxh dhe – SubhanAllah –, prej gjërave që shikon në Haxh është se atje zbuten zemrat e njerëzve dhe shfaqet tek ata Teuhidi, madje edhe tek ata që kanë shumë devijime shfaqet Teuhidi, me përjashtim të atij që Allahu ia ka vulosur zemrën – Allahu na ruajttë! Dhe kur i pa njerëzit duke thënë telbijen, i pa duke pohuar Teuhidin, i pa duke adhuruar Allahun dhe pa tek ata lavdinë (e Islamit), ai tha: “Ky është Islami për të cilin kisha lexuar më përpara.”

 

Kështu pra, Allahu e forcoi atë me këshillën që ia dha ai këshilluesi i sinqertë, dhe kjo është nga mirësia e madhe e Allahut – SubhaneHu ue Te’ala.

 

Përktheu: Alban Malaj