Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij’ Ibn Hadi el-Medkhalij (hafidhahullah)
Burimi: Shkëputur nga audiokaseta “Es`iletu Shebaab ‘Aden fij Fitneti Ebil-Hasen”
Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=115250

 

Pyetje nga Shejkh ‘Ali el-Hudhejfi: Shejkhu ynë Mukbil (Ibn Hadij el-Uadi’ij) e ngriti Davetin Selefij këtu duke u bazuar në vetëmjaftueshmëri dhe madje ai shkroi një libër me titull “Dhemmul-Mes’eleh” [Qortueshmëria e lypjes nga të tjerët]. Pyetja jonë është: Disa thirrësa ndoshta lypin para nga njerëzit për hir të Davetit. Andaj çfarë rregulli ka në lidhje me lypjen (e parave) nga njerëzit për hir të Davetit?

Përgjigje nga Shejkh Rabij’ Ibn Hadij el-Medkhalij: Sido që të jetë, Allahu pastë mëshirë për Shejkh Mukbilin, dhe lusim Allahut që të japë mirësi mbas tij në Jemen dhe në çdo vend tjetër. Me të vërtetë ky person na kujton zuhdin e Selefëve, devotshmërinë, krenarinë, nderin, vetëmjaftueshmërinë dhe trimërinë e tyre në thënien e të vërtetës.

Allahu pastë mëshirë për të.

Daveti Selefij pati një ndikim shumë të madh në Jemen (si rezultat i këtyre cilësive që kishte Shejkh Mukbili) dhe ai i kuroi njerëzit dhe i la ata në këtë mirësi. Ne i lutemi Allahut që t’i bekojë studentët e tij dhe të nxjerrë prej tyre shumë të tillë si Shejkh Mukbili, sepse UAllahi  ai ishte shembull në zuhd, në devotshmëri dhe në përbuzjen e dynjasë. Ai ishte njeri largpamës kur refuzonte paratë, dhe ai u tërhiqte vëmendjen të tjerëve që të mos kërkonin nga njerëzit, saqë më kujtohet një rast kur ai e sulmoi ashpër atë që mblidhte para në emrin e tij dhe nuk bëri kompromis në këtë çështje. Allahu e bekoftë! Nuk është e domosdoshme që të dalësh para njerëzve dhe të lypësh para “në emër të Davetit” sepse Selefët nuk e kanë bërë kurrë një gjë të tillë.

A e zgjaste dorën Ahmed Ibn Hanbel rahimehullah që të kërkonte para nga njerëzit për hir të Davetit? Ai i refuzonte paratë që i ofronin. E me të vërtetë, ai ka dhënë shembujt më të shkëlqyer për dinjitetin dhe për vetëmjaftueshmërinë. Kur ai nisi udhëtimin e tij për të takuar ‘Abdur-Rrazakun, nga Iraku për në Sana’a, gjatë rrugës, ai dhe shoku i tij Jahja Ibn Me’in kryen Haxhin dhe e gjetën ‘Abdur-Rrazakun në Mekken e Shenjtë. Atëherë Ibn Me’ini i tha Ahmedit: “Ja ku qenka ‘Abdur-Rrazzaku. Allahu na i solli këtu, kështu që s’kemi pse të udhëtojmë (për në Sana’a).” Ahmedi ia ktheu: “Unë e kam bërë nijet të udhëtoj për në San’a, prandaj nuk kthehem mbrapa.” Pastaj ai udhëtoi për në Sana’a dhe gjatë rrugës i mbaruan paratë, Allahu pastë mëshirë për të. Kur e morën vesh shokët e tij, i ofruan para për ta ndihmuar. Por Imam Ahmedi i refuzoi ato dhe zgjodhi të punonte si hamall për pronarët e deveve, për beduinët e varfër, duke mbajtur mbi shpinë mallrat e tyre, ndërkohë që ai ishte një Imam!!! Allahu pastë mëshirë për të. Për të ishte me mijëra herë më mirë që të punonte si hamall, të punonte e të hante nga djersa dhe duart e tij, sesa të merrte para nga njerëzit, sepse pjesa e epërme e dorës është ajo që jep, ndërsa pjesa e poshtme e saj është ajo që merr. Dhe Ahmedi nuk donte që dora e tij të ishte nga duart e ulta, nga ato që marrin para, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Prandaj, unë i këshilloj dijetarët dhe nxënësat e dijes që të na e rikthejnë rrugën që ndoqën Selefët fisnikë, dhe ta dinë se rrekja mbas pasurisë është një prej rreziqeve më të mëdha për Davetin Selefij. Argumenti për këtë është se sot fitneja është ndezur për shkak të pasurisë – Allahu u bekoftë – kur disa njerëz ua zgjatën duart këtyre shoqatave. Allahu na ruajt nga fitneja e pasurisë. Pasha Allahun, s’ka dyshim që ajo është fitne.

UAllahi, s’ka dyshim se që të dalë një numër i vogël nxënësash nga xhamia – dhe ata të jenë të ndershëm, fisnikë dhe me dinjitet – është më mirë sesa miliona e miliona nxënësa që janë kërkues të pasurisë dhe që rreken mbas dynjasë.

Prandaj ne i këshillojmë të rinjtë Selefijinë dhe dijetarët që të na e rikthejnë rrugën që ndoqën Selefët. Ashtu siç e ngritën ata flamurin e Sunetit duhet ta ngrejnë edhe këta po ashtu. Të ngrejnë flamurin e lavdisë, të nderit, të zuhdit, të devotshmërisë dhe të mos ngarendin mbas dynjasë. Pasha Allahun, Davetin Selefij në Jemen e dëmtoi veçse shpërndarja e pasurisë dhe rrekja mbas saj, dhe kjo rezultoi me plasjen e kësaj fitneje sot. Dhe pasuria është një shtizë e fortë që ndez zjarret e fitneve. Prandaj le të pendohen tek Allahut, të kthehen tek Allahu dhe të jenë vëllezër me njëri-tjetrin. I këshillojmë ata që ta këshillojnë njëri-tjetrin me të vërtetën dhe me durimin për çdo problem të jetës.

ولنبلونكم بشيء من الخوف والجوع ونقص من الأموال والأنفس والثمرات وبشر الصابرين

“Sigurisht, Ne do t’ju sprovojmë me frikë, uri dhe me humbje të pasurisë, jetës dhe fryteve, prandaj përgëzoji durimtarët.”
[el-Bekarah, 155]

UAllahi, s’ka dyshim që Selefët nuk na e përcollën këtë Davet aq kollaj, me lehtësi, me pare e me anije, porse e përcollën me zuhdin e tyre, me devotshmërinë e tyre dhe me pastërtinë e tyre, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.

Prandaj ne i këshillojmë Selefijinët në çdo vend, në Jemen sidomos, në Jemenin ku Allahu ngriti lart flamurin e Sunetit, i këshillojmë që ta ruajnë këtë Davet. Dhe nëse u vijnë para, padyshim që ato do t’i rrënojnë ata. Prandaj ata duhet t’u vënë shkelmin atyre parave dhe të qëndrojnë në rrugën e tyre krenarë e me dinjitet, duke përhapur Davetin e ndershëm e të pastër të Allahut.”






Përktheu: Alban Malaj