Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz

Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalat, vëll.25/fq.71

 

Pyetje: Kemi një Shejkh të cilit i ka dhënë Allahu dituri, mirëpo ai shan dijetarët që kundërshtojnë fjalën e tij. Ai përmend sidomos Shejkh Nasirudin Albanin, saqë paralajmëron kundër tij pothuajse çdo natë gjatë fjalimeve të tij në muajin Ramadan. Ai pretendon se ky është mendimi i çdo njeriu të nderuar për Albanin, se ai është thjesht tregtar librash. Atëherë, cila është përgjigja dhe mendimi juaj o Shejkh bujar për Albanin, që ta dimë ne dhe që t’ua bëjmë të ditur edhe atyre njerëzve të shumtë që vijnë në mësimet e tij?

Përgjigje: Me emrin e Allahut. Të gjitha lavdet i takojnë Allahut. Shejkh Nasirudin Albani është prej vëllezërve tanë më të veçantë, të besueshëm e të njohur për dituri, mirësi dhe përkujdesje për hadithin fisnik dhe sqarimin se cili hadith është i saktë dhe cili hadith është i dobët. Ai nuk është i pagabueshëm, porse mund të gabojë ndonjëherë në shpalljen e haditheve të sakta apo të dobëta. Mirëpo nuk lejohet sharja e tij, poshtërimi i tij dhe as përgojimi i tij. Përkundrazi ajo që duhet të bëhet është lutja për të që Allahu t’i japë më shumë sukses dhe saktësi në nijet dhe vepër.

Kush gjen ndonjë gabim të tijin që është i qartë me argument, ai duhet ta këshillojë atë dhe duhet t’i shkruajë telegram për gabimin e tij, duke punuar me fjalën e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

الدين النصيحة

“Feja është këshillë e sinqertë.”

Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Gjithashtu, duke punuar me fjalën e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

المسلم أخو المسلم لا يظلمه ولا يسلمه

“Muslimani është vëlla i muslimanit dhe ai nuk i bën padrejtësi atij dhe as nuk e tradhton...”

Vazhdon më tej hadithi i njohur.

Gjithashtu, duke punuar me fjalën e Xherir Ibën ‘AbdUllah el-Bexhelij – radijAllahu ‘anhu: “Ne i dhamë besën Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se do ta falim namazin, do ta japim zekatin dhe do ta këshillojmë çdo musliman.” Hadithin e ka transmetuar Bukhari dhe Muslimi.

Dihet që besimtarët dhe besimtaret janë miq me njëri-tjetrin, sidomos njerëzit e diturisë, ngaqë Allahu i Patëmeta ka thënë:

وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاء بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ وَيُقِيمُونَ الصَّلاَةَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَيُطِيعُونَ اللّهَ وَرَسُولَهُ أُوْلَئِكَ سَيَرْحَمُهُمُ اللّهُ إِنَّ اللّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌ

“Besimtarët dhe besimtaret janë miq me njëri-tjetrin, urdhërojnë të mirën dhe ndalojnë të keqen, falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu, e padyshim që Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.” [et-Teubeh, 71]

Kështu që, detyra që kanë të gjithë është që të këshillojnë dhe të porositin njëri-tjetrin me të vërtetën, t’i tërheqin vërejtjen gabimtarit për gabimin e tij dhe ta udhëzojnë atë tek e sakta me argumentet sheriatike.

Allahu u dhëntë sukses të gjithëve.

 

Përktheu: Alban Malaj