Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

 

 

Pyetje: Çfarë është shtirja në dije? Cila është këshilla juaj për të rinjtë që janë sprovuar me shtinjakët?

 

Përgjigje: Shtirja në dije është që njeriu të pretendojë se ka dije, ndërkohë që ai nuk është i ditur dhe as nuk ka mësuar më përpara nga dijetarët, porse e ka marrë dijen nga librat, duke lexuar, vetëm kaq, dhe as nuk ka rregulla të dijes mbi të cilat të bazohet, porse ka lexuar nëpër libra dhe ecën sipas asaj që kupton ai dhe ndoshta gabimet e tij janë më shumë se ato që ia qëllon.

 

Kurse shtinjaku është rrezik ndaj vetes së tij dhe rrezik ndaj njerëzve të tjerë, sepse ai luan me Fenë e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le –. Nëse del dikush para njerëzve dhe u thotë “Unë jam mjek, unë jam doktor, unë kuroj”, ndërkohë që ai nuk ka diploma mjekësore, a mund të kurojë sëmundjet ky njeri? A mund të bëjë operime, të hapë barqet e njerëzve, të bëjë ndërhyrje kirurgjikale dhe të bëjë operacion në zemër? Është e pamundur, sepse ky është rrezik. Atëherë si mund të dalë ky shtinjaku dhe të luajë me Fenë! Të luash me Fenë është shumë herë më e rrezikshme sesa të luash me trupat e njerëzve. Kështu që, ata e kanë detyrë që të kenë frikë Allahun dhe të mos thonë as edhe një gjë për Allahun pa pasur dije, sepse Allahu e ka vendosur të folurën rreth Tij pa dije mbi shirkun:

قُلْ إِنَّمَا حَرَّمَ رَبِّيَ الْفَوَاحِشَ مَا ظَهَرَ مِنْهَا وَمَا بَطَنَ وَالْإِثْمَ وَالْبَغْيَ بِغَيْرِ الْحَقِّ وَأَنْ تُشْرِكُوا بِاللَّهِ مَا لَمْ يُنَزِّلْ بِهِ سُلْطَانًا وَأَنْ تَقُولُوا عَلَى اللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ.

“Thuaj: në të vërtetë Zoti im i ka bërë haram gjërat e paturpshme, të hapura apo të fshehura qofshin, gjynahun, shtypjen e tjetrit pa të drejtë, që t’i bëni ortak Allahut pa kurrfarë argumenti për të, si dhe që të thoni për Allahun atë që nuk dini me dije të sigurt.” [el-E’araf, 33]

 

 

Pra, ata e kanë detyrë që të kenë frikë Allahun dhe të marrin dije në radhë të parë, që të mësojnë përpara se të flasin. Po.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Alban Malaj