Autor: Dijetari i madh i Islamit Abdur-Rahman bin Nasir es-Sadij – Allahu e Mëshiroftë.

Burimi: Risaletun fil Hath-thi ‘alel Ixhtima’i Kelimetil Muslimin, fq. 36.

 

 

Nëse Muslimanët shohin ndonjë pasues të epsheve, i cili synon që t’i ndajë dhe t’i përçajë Muslimanët për të arritur objektivin e tij të prishur, e kanë detyrë që ta frenojnë dhe ta këshillojnë atë si dhe t’i injorojnë fjalët e tij, sepse ai që është në këtë gjendje është nga armiqtë më të mëdhenj. Po ashtu, të përpiqen në maksimum që t’i mbulojnë të metat e Muslimanëve [1] dhe mos të hulumtojnë për zbulimin e tyre, sidomos të metat e udhëheqësve fetar, dijetarëve dhe nxënësve të dijes, të cilët kanë hakun më të madh mbi të gjithë Muslimanët, për shkak të dijes sheriatike që mësuan dhe ua mësuan atë të tjerëve. Sikur mos ishin këta, njerëzit nuk do i kishin kuptuar çështjet e fesë së tyre, e as marrëdhëniet që duhet të kemi me njerëzit. 

 

Pra, sikur mos të ishin këta (dijetarët dhe nxënësit e dijes) njerëzit nuk do të dinin si të falen, si të jepnin zekatin, si të agjëronin, si të bënin haxhin, madje as nuk do të dinin si bëhet shitblerja. Madje sikur mos të ishin këta, njerëzit do të ishin si bagëtitë, nuk do ta njihnin të mirën, nuk do ta refuzonin të keqen; nuk do e kishin ditur çfarë është hallall e çfarë është haram. Prandaj, Muslimanët e kanë detyrë që t’i respektojnë ata dhe mos t’i dëmtojnë; ta ndalojnë atë që dëshiron t’u bëjë keq këtyre, të tregohen tolerantë nëse shohin të meta tek ata duke i mbuluar ato, e jo t’i përhapin, sepse me përhapjen e këtyre të metave bëhet fesad i madh.

 

Dije, se e mira dhe e keqja kanë shenja përmes të cilave dallohet robi. Nga shenjat e mirësisë te njeriu është: që ta shohësh atë të synojë dhe të dëshirojë mirësinë për të gjithë Muslimanët; e sheh atë se ai përpiqet për udhëzimin dhe këshillimin me metoda të ndryshme aq sa të ketë mundësi; ai i jep përparësi mbulimit dhe mospërhapjes të mangësive të tyre (dijetarëve dhe nxënësve të dijes) duke synuar me këtë vepër Fytyrën e Allahut dhe botën tjetër.

 

Ndërsa, nga shenjat e ligësisë së robit është: kur e sheh atë që përgojon dhe merret me llafe duke i përhapur në mesin e njerëzve; gjurmon gabimet e tyre dhe hulumton për të zbuluar të metat e tyre. Kur dëgjon se prej tyre ka dalë diçka e pakëndshme dhe e urryer, ai e përhap atë. Madje ndoshta asaj që është përhapur, ia shton edhe një shtjellim nga vetja e tij, ky njeri ka pozitën më të keqe tek Allahu, është i urryer tek Ai, i është ekspozuar hidhërimit të Tij, dhe shumë shpejt Allahu do ta turpërojë atë në dynja përpara se ta turpërojë atë në ahiret, nëse ai nuk e përmirëson vetën e tij duke u penduar sinqerisht dhe t’i zëvendësojë të këqijat e tij me vepra të mira.

 

Ai që ia di vlerën vetes së vet, e ka detyrë që të ruhet nga kjo cilësi e poshtër, si dhe të meditojë rreth kuptimit të fjalës së tij – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:

مَنْ سَتَرَ مُسْلِمًا سَتَرَهُ اللَّهُ فِي الدُّنْيَا وَالآخِرَةِ ‏

“Kush ia mbulon të metat një Muslimani, Allahu do t’ia mbulojë të metat tij në dunja dhe në ahiret.” [2]

 

Dhe fjala e tij:

يَا مَعْشَرَ مَنْ آمَنَ بِلِسَانِهِ وَلَمْ يَدْخُلِ الإِيمَانُ قَلْبَهُ لاَ تُؤْذُوا الْمُسْلِمِينَ وَلاَ تَتَّبِعُوا عَوْرَاتِهِمْ فَإِنَّهُ مَنْ تَتَبَّعَ عَوْرَةَ أَخِيهِ تَتَبَّعَ اللَّهُ عَوْرَتَهُ وَمَنْ تَتَبَّعَ اللَّهُ عَوْرَتَهُ يَفْضَحْهُ وَلَوْ فِي  جَوْفِ بَيْتِهِ

“O ju të cilët keni besuar me gjuhët tuaja, ndërkohë që akoma nuk është futur imani në zemrat tuaja, mos i dëmtoni Muslimanët, mos i zbuloni të metat e tyre, sepse kush i zbulon të metat e vëllait të tij, Allahu do t’ia zbulojë atij të metat, dhe kujt ia zbulon Allahu të metat, e turpëron atë edhe nëse ai është brenda shtëpisë së tij.” [3]

 

Ky është kërcënim i rëndë për të gjithë ata Muslimanë që bien në këtë gabim, ndërsa dëmtimi i dijetarëve dhe njerëzve të mirë është shumë herë më i shëmtuar dhe më i urryer, njëkohësisht është shenjë që tregon se ky njeri e ka armiqësuar Allahun dhe e lufton Atë, ngase Allahu ka treguar nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:

مَنْ عَادَى لِي وَلِيًّا فَقْد آذَنْتهُ بِالْحَرْبِ

“Kush e armiqëson ndonjë prej të dashurve të Mi, atëherë Unë vetëm se i kam shpallur luftë atij” [4]

 

Dikush nga Selefët ka thënë:

“Nëse nuk janë dijetarët të dashurit e Allahut, nuk e dimë se kush mund të jenë të dashurit e Tij!”

 

Të vërtetën e ka thënë – Allahu e mëshiroftë. Sepse robi, e fiton dashurinë e Allahut vetëm përmes zbatimit të urdhrave të Allahut të Lartësuar. Njerëzit e dijes kanë hisen më të madhe në fitimin e dashurisë së Allahut, sepse robi nuk mund të marrë diçka prej dijes derisa të përpiqet seriozisht dhe të kalojë një kohë të gjatë duke iu përkushtuar vetëm kërkimit të diturisë si dhe të braktisë atë me të cilën merren njerëzit e dynjasë; ta kalojë shumicën e kohës së tij duke shpenzuar orët dhe çastet e tij më të mira për marrjen e dijes, e cila në vetvete është nga punët më të mira, ata janë më meritorë se të tjerët për dashurinë e Allahut. 

 

Atëherë si ka mundësi që t’i shajë ata ai që e ka mposhtur ligësia e tij dhe e ka shpenzuar kohën e tij duke u marrë me thashetheme; nuk ka dhënë ndonjë kontribut përkrah njerëzve të mirë që të bëjë punë të vlefshme. Atë nuk e sheh të hulumtojë për çështjet e fesë së tij, as nuk ulet te dijetaret që të përfitojë prej tyre. Madje nëse pyetet për çështjen më të vogël të fesë, nuk e hap dot gojën për të thënë gjënë më të vogël. Përkundër kësaj, ai e lëshon gjuhën për të njollosur dijetarët dhe njerëzit e fesë dhe pandeh se ia ka qëlluar të vërtetës.

 

Po, ai ia ka qëlluar rrugës së njerëzve të sherrit dhe u përngjan kafshëve të ndyra, të cilat e lënë ushqimin e mirë dhe shkojnë te kërmat, e të ngjashme me to, prej ushqimeve të pështira. Ky është rezultat i asaj se ai nuk i përmend të mirat e tyre dhe jepet pas atyre gjërave që ai mendon se janë të këqija. Kështu, ai devijon nga rruga e njerëzve të mirësisë.

 

Pra, ai nuk është i denjë që të përmendet bashkë me ata, por të përmendet duke folur për të në atë mënyrë që njerëzit mos të mashtrohen nga ai dhe mos të bien në rrjetin e tij të paditurit, nëse ai përmendet në këtë mënyrë, ndoshta do të frikësohet dhe do të pendohet, do të kthehet te Zoti i tij dhe të kthjellohet. Sepse rruga e pendimit nuk është e mbyllur dhe nuk ka gjynah që mbas tij mos vijë falja e Sunduesit dhe Dhuruesit të Madh për atë që pendohet dhe kthehet.

 

____________________

[1] (Shënim i Përkthyesit):

Ibën Rexheb el-Hanbelij - Allahu e mëshiroftë - në librin e tij “Xhamiul Ulumi uel Hikem,” ka thënë:

Dije se njerëzit ndahen në dy lloje:

Lloji i parë:

Janë ata që janë pastër që nuk njihen për ndonjë gjynah. Nëse ky lloj bën ndonjë lëshim apo ndonjë gabim, atëherë ky gabim nuk lejohet të zbulohet, as të poshtërohen, as që të flitet për të, sepse ky është përgojim i ndaluar. Për të gjitha këto kanë ardhur tekste ndër të cilat Fjala e Allahut të Lartësuar ku thotë:           

إِنَّ الَّذِينَ يُحِبُّونَ أَن تَشِيعَ الْفَاحِشَةُ فِي الَّذِينَ آمَنُوا لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ ۚ وَاللَّـهُ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ ﴿١٩﴾

“Ata të cilët dëshirojnë që të përhapet e keqja te besimtarët, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini.” [en-Nur, 19]

Me Fjalën e Tij “...të përhapet e keqja...” është për qëllim përhapja e gjynaheve të besimtarëve të pastër, nëse ata kanë bërë diçka; ose nëse ata janë akuzuar për diçka prej së cilës ata janë të pafajshëm, sikurse ishte ngjarja e shpifjes ndaj Aishes – Allahu qoftë i kënaqur me të...

 

Lloji i dytë:

Ata që janë të njohur për gjynahe që i shfaqin gjynahet haptazi dhe nuk e çajnë kokën se çfarë gjynahu bëjnë, e as për fjalët që thuhen për të. Ky që e bën këtë është gjynahqar që i shfaq gjynahet e tij dhe për këtë njeri përgojimi është i lejuar, sikurse e ka pohuar këtë Hasan el-Basri dhe të tjerë. Për këtë lloj njerëzish nuk është problem që të hulumtohen të metat e tyre me qëllim që të merren masa ndëshkimore kundër tyre. Këtë gjë e kanë thënë qartazi disa nga shokët tanë dhe janë argumentuar me fjalën e Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:

‏ وَاغْدُ يَا أُنَيْسُ إِلَى امْرَأَةِ هَذَا، فَإِنِ اعْتَرَفَتْ فَارْجُمْهَا ‏‏

“Shko o Unejs te gruaja e këtij dhe nëse ajo e pranon gjynahun atëherë gurëzoje atë.”

Bukhariu (2314) dhe Muslimi (1697).

Për njerëzit si ky nuk ndërmjetësohet nëse arrestohet, edhe nëse nuk e merr vesh këtë prijësi, porse ky lihet që të marrë masën ndëshkimore, në mënyrë që të ndalet sherri i tij dhe frikësohen ata që janë të ngjashëm me të”.

[2] Transmeton Muslimi, (2699) Tirmidhiu, (2945), Ibën Maxheh, (225), Bukhariu, (2442), Muslimi, (2580). Nga Ibën Umeri – Allahu qoftë i kënaqur me ta – i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Kush ia mbulon të metat një Muslimani Allahu ia mbulon të metat atij në Ditën e Kijametit.”

[3] Transmeton Ebu Daudi, (4880), Tirmidhiu (2032), shejkhul Albani e bën hasen sahih në “Sahih Ebu Daud”, (4880).

[4] Transmeton Bukhariu, (6502), Ibën Maxheh, (3989).

 

Përktheu: Muhamed Kallashi