Autor: Rabij bin Hadij Umejr el-Medkhalij

Burimi: Merhaben ja Talibel Ilmij, fq. 436-437

 

Pyetje: Allahu ju dhëntë mirësi, ky pyetës thotë: “Disa dijetarë kanë thënë se ai që del në krye para kohe (për të dhënë mësim), ai në realitet ka dalë për të poshtëruar veten e tij.” Shpresoj nga ju – o Shejhu ynë i nderuar – që ta komentoni këtë frazë.

Përgjigje: Padyshim se ai që del në krye para kohe, njerëzve do t’u bëhet e qartë injoranca dhe devijimi i tij nëse ai është i devijuar, apo më e pakta, atij do t’i dalë në shesh injoranca dhe kështu ai do të demaskohet dhe do të poshtërohet. Prandaj, mos nxito për të dhënë mësim! Ti mëso për vete dhe zotëroje dijen e fushës tënde nëse ke mundësi.

Sa i përket tefsirit, mësoje tefsirin dhe bazat e tij. Mësoje si ta komentosh këtë Sure dhe si ta komentosh këtë ajet. Zotëroje mirë atë. Përndryshe, si do t’i futesh tefsirit kur ti realisht je i dobët! Pasha Allahun, ti e ke ekspozuar veten tënde ndaj poshtërimit në dunja dhe në akhiret.

Nëse ke njohuri të mirëfillta dhe e ke mësuar përmendësh ajetin, e di kuptimin gjuhësor të ajetit, di si të nxjerrësh gjykime dhe dispozita prej tij - në dritën e bazave të fikhut - dhe ke mundësi që ta shpjegosh ajetin me hadithe – të bësh dallim midis haditheve të sakta nga të dobëtat, e merr hadithin e saktë dhe e shpjegon ajetin me të, atëherë kjo është gjë e mirë. Përndryshe do të turpërohesh. Nëse ti sjell hadithe të dobëta, flet fjalë që kanë kuptime të dobëta e të paqarta; sjell kuptime të pavërteta gjatë shpjegimit të hadithit, apo ajetit, apo fik’hut, madje edhe në çështjet të gjuhës nëse ti vjen me diçka që nuk e njohin njerëzit e asaj lëmie, atëherë ti do e turpërosh veten tënde!

 

Përktheu: Muhamed Kallashi