Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

 

Pyetje: Na flisni për pendimin, cilët janë kushtet e tij dhe çfarë është pendimi i sinqertë?

Përgjigje: Pendimi është kthimi nga mëkati te vepra e mirë. Pendimi është obligim.

وَتُوبُوا إِلَى اللَّهِ جَمِيعًا أَيُّهَ الْمُؤْمِنُونَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ

“Që të gjithë ju o besimtarë, pendohuni tek Allahu, që të shpëtoni.” En-Nur, 31

Nëse Muslimani bën një mëkat, e ka detyrë që të ngutet e të pendohet tek Allahu, i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar, e Allahu e pranon pendimin e atij që pendohet.

وَإِنِّي لَغَفَّارٌ لِّمَن تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ صَالِحًا ثُمَّ اهْتَدَىٰ

“Pa dyshim se Unë jam Falës i Madh për atë që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, pastaj qëndron i palëkundur (në fe).” Et-Teubeh, 82

Kjo është prej mirësisë së Allahut, të Plotfuqishëm dhe të Madhëruar. Ai ka urdhëruar për pendim dhe i ka premtuar falje atij që pendohet dhe ia fal mëkatin e tij, por pendimi nuk është vetëm me gjuhë. Pendimi ka disa kushte të cilat duhet patjetër të realizohen, e ato janë:

Kushti i parë: Braktisja e mëkatit dhe arratisja nga ai. Të mos thotë se është penduar tek Allahu, ndërsa nga ana tjetër nuk heq dorë nga mëkati dhe nuk e braktis atë.

Kushti i dytë: Të premtojë se nuk do t’i kthehet më atij për së dyti. Nëse ai është penduar tek Allahu kurse qëllimi i tij është që t’i kthehet mëkatit në një moment tjetër, atëherë ky pendim i tij është i përkohshëm. Allahu, i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari, nuk e pranon këtë.

Kushti i tretë: Të shprehë keqardhje për atë që i ka kaluar, ta parafytyrojë këtë mëkat dhe të ketë frikë nga ai. Të mos thotë unë u pendova dhe me kaq mori fund. Të ketë frikë nga ky mëkat dhe të ndjejë keqardhje për atë që ka bërë.

Këto janë kushtet e pendimit, nëse ato përmbushen, atëherë Allahu e pranon pendimin ashtu siç ka premtuar.

 

Përktheu: Jeton Shasivari