Bismilah...

Autor: Ibën Kajim el-Xheuzijeh

Burimi: Beda’iul-Feuaid, vëll. 2,  fq. 799, Daru ‘Alemi el-Feuaid, botimi i tretë, Mekke.

 

 

Pra, ai (shejtani) është shkaku i çdo lloj sherri në botë, porse sherri i tij kufizohet në gjashtë lloje. Ai nuk rresht së pushuari duke e poshtëruar birin e Ademit me njërin prej këtyre sherreve apo me shumicën e tyre.

 

[Grada e parë e sherrit]

Sherri i kufrit dhe shirkut, si dhe sherri i armiqësimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Nëse shejtani ngadhënjen me këto kundër birit të Ademit, rënkimet e tij lehtësohen dhe rehatohet nga lodhja që kishte me të (njeriun). Kjo (kufri dhe shirku) është gjëja e parë që ai e dëshiron për robin. Prandaj, ai nuk i shqitet atij derisa ta realizojë këtë gjë te njeriu. Nëse ai e realizon këtë tek ai, e shndërron atë në një nga militantët dhe ushtarët e tij, dhe e autorizon atë në vend të atyre që janë të ngjashëm si ai. Kështu, ai bëhet nga thirrësit e Iblisit dhe zëvendësit e tij.   

 

[Grada e dytë e sherrit]

Nëse shejtani i humb shpresat që s’mund ta arrijë të parën, dhe ai njeri është nga ata që Islami i ka paraprirë që në barkun e nënës së tij, atëherë, e kalon atë te grada e dytë e sherrit, i cili është: bidati. Bidati është më i dashur për Iblisin se mëkatet e mëdha dhe gjynahet tjera, sepse dëmi i bidatit për fenë, është dëm që nuk kufizohet vetëm tek personi (që bën bidat), por kalon përtej tij. Bidati është gjynah, nga i cili nuk pendohet; bidati është kundërshtim i thirrjes së të Dërguarve dhe është thirrje për te e kundërta e asaj me të cilën erdhën të Dërguarit. Ai është derë e kufrit dhe shirkut. Nëse shejtani e arrin këtë te njeriu dhe e bën atë nga pasuesit e tij, njeriu ngelet zëvendës i tij dhe një nga thirrësit e tij.

 

[Grada e tretë e sherrit]

 

Nëse shejtani nuk ka aftësi për këtë gradë (të dytën), dhe robi është nga ata që Allahu ia ka caktuar dhuntinë e Sunetit dhe armiqësimin e njerëzve të bidateve dhe devijimeve, atëherë e kalon atë te grada e tretë e sherrit, e që janë: gjynahet e mëdha me llojet e ndryshme të tyre.

Shejtani është tepër i zellshëm, që ta bëjë robin të bjerë në gjynahe të mëdha, veçanërisht nëse ai është dijetar që e pasojnë njerëzit. Ai është i zellshëm për këtë, me qëllim që t’i largojë njerëzit nga ai. Pastaj, shejtani i përhap gjynahet e tij në mesin e njerëzve. Shejtani autorizon ndonjërin prej tyre (njerëzve), i cili do t’i përhap ato gjynahe, duke pretenduar se e bën këtë për fe dhe për afrim tek Allahu i Lartësuar, kurse ai (person) që e bën këtë, është zëvendësi i Iblisit, e ai nuk e kupton këtë. Ata që duan të përhapen gjynahet e mëdha të atyre që besojnë (besimtarëve), kanë dënim të dhimbshëm. Ky dënim është për ata që duan t’i përhapin gjynahet e tyre. E si qëndron çështja nëse të njëjtit ata i marrin përsipër që t’i përhapin ato, gjoja si këshillë nga ana e tyre, por (në realitet) janë bindje ndaj Iblisit dhe ndërmarrje në vend të tij?!

 

Shejtani i bën të gjitha këto gjëra, me qëllim që t’i bëjë njerëzit të largohen prej tij dhe nga përfitimi prej tij. Kurse gjynahet e këtij (dijetari), edhe nëse do të arrinin kulmin e qiellit, janë më të lehta tek Allahu se sa gjynahet e këtyre. Ngaqë këto gjynahe të këtij (dijetari) janë zullum për veten e tij, nëse ai i kërkon falje Allahut dhe pendohet, e pranon pendimin e tij, dhe veprat e këqija të tij, i shndërron në vepra të mira. Kurse gjynahet e këtyre (që përhapin gjynahet e njerëzve), janë zullum për besimtarët, shpalosje e turpeve dhe të fshehtave të tyre, si dhe synim për poshtërimin e tyre.

 

Allahu – i Pastri nga çdo e metë – i vëzhgon ata. Ai e di çfarë fshehin gjokset dhe i di hilet e njerëzve.

 

[Grada e katërt e sherrit]

Nëse shejtani është i paaftë për këtë gradë, atëherë e kalon atë te grada e katërt, e ajo është: gjynahet e vogla, të cilat nëse mblidhen te një person, e shkatërrojnë atë. Siç ka thënë Pejgamberi – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të –:

إِيَّاكُمْ وَمُحَقَّرَاتِ الذُّنُوبِ ، فَإِنَّ مَثَل ذلك مثل قَوْمٍ نَزَلُوا بفَلَاةٍ  من الأرض...

“Ruhuni nga gjynahet që ju i vlerësoni të vogla, sepse shembulli i tyre është si shembulli i njerëzve që janë ndalur në një tokë të djerrë (e papunuar)...” [1]

 

Përmendi një hadith kuptimi i të cilit është se: çdonjëri prej tyre sjell një degë druri, derisa ndezin një zjarr të madh, kështu gatuajnë dhe pjekin mish.

 

Shejtani vazhdon t’ia bëjë të lehta njeriut gjynahet e vogla, derisa ai t’i nënvlerësojë ato. Ai që bën gjynahe të mëdha dhe ka frikë për to, është më i mirë se ky që bën gjynahe të vogla (dhe i nënvlerëson ato, sh.p.).

 

[Grada e pestë e sherrit]

Nëse robi e pengon shejtanin nga kjo gradë, ai e kalon atë në gradën e pestë, e ajo është se: shejtani e angazhon njeriun me gjëra të lejuara (mubahaat), të cilat nuk kanë as shpërblim e as dënim, madje ndëshkimi i angazhimit me gjërat e lejuara, është ikja e shpërblimeve, të cilat i humbin për shkak të angazhimit të tij me të lejuarat.

 

[Grada e gjashtë e sherrit] 

Nëse robi e pengon shejtanin nga kjo gradë, dhe ai e ruan kohën e tij dhe është koprrac ndaj saj, e di vlerën e frymëmarrjeve të tij, ndërprerjen e tyre, dhe ajo që qëndron në këmbim të tyre, e që është begatia dhe dënimi, atëherë shejtani e kalon atë te grada e gjashtë, e ajo është: ta angazhojë atë me një vepër të mirë, duke e larguar nga një vepër që është më e mirë se ajo, dhe duke ia bërë atë të veçantë dhe duke ia zbukuruar atë. Nëse njeriu kapet mbas asaj vepre, e braktis atë që është më e mirë dhe më e lartë se ajo.

 

Shumë pak njerëz e kapin këtë gjë. Sepse, nëse njeriu shikon një thirrës të fortë e plot gjallëri, që thërret për te një lloj vepre e mirë, nuk dyshon se ajo është vepër e mirë dhe afrim tek Allahu, zor se do të thotë: “Ky thirrës është prej shejtanit, sepse shejtani nuk urdhëron për të mirë!” Ai shikon se kjo është mirësi dhe thotë: “Ky thirrës është nga Allahu.” Ky që e thotë këtë është i justifikuar dhe dija e tij nuk ka arritur tek ajo se shejtani e urdhëron robin drejt 70 dyerve nga dyert e mirësisë. Shejtani e bën këtë, ose që ta çojë te një derë e keqe e sherrit, ose që t’ia humb këtë të mirë njeriut në këmbim të një të mire më të madhe, më të vlefshme dhe më të mirë se ato 70 dyer.

 

Këtë (njeriu) nuk arrin ta kuptojë, vetëm se me dritë nga Allahu që e hedh në zemrën e robit, dhe si rrjedhojë, ai do ta pasojë vetëm të Dërguarin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe do ketë kujdes të madh ndaj gradave të veprave që janë tek Allahu, veprave që janë më të dashura për Allahun, veprave që e kënaqin më së shumti Atë, që janë më të dobishme për robin; veprat që janë më të përgjithshme që udhëzojnë për në rrugë të Allahut, të Dërguarit të Tij dhe Librit të Tij, si dhe në rrugën e robërve të Tij besimtarë – qofshin ata të zgjedhur apo njerëz të thjeshtë.

 

Këtë nuk e kupton vetëm se ai që është nga trashëguesit e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe zëvendësit e tij në ummet dhe nga pasardhësit e tij në tokë.

 

Nëse robi e pengon shejtanin nga të gjitha këto gjashtë grada dhe e lodh atë, atëherë shejtani ia lëshon grupin e tij, nga njerëzit dhe xhinët, që ta mundojnë atë me mundime të ndryshme, duke e shpallur qafir (pabesimtar), të devijuar, bidatçi dhe duke paralajmëruar kundër tij, në mënyrë që t’i largojnë njerëzit nga përfitimi prej tij. Kështu, shejtani vazhdon me përpjekjet e tij, duke lëshuar kundër njeriut gënjeshtarë nga shejtanët, njerëzit dhe xhinët; shejtani nuk pushon dhe e as nuk të lë rehat. Gjatë këtyre kohërave, besimtari i bën gati ‘pajisjet e luftës’ dhe nuk i lë ato deri sa të vdesë. Në çastin që i le ato, do të kapet rob ose do të goditet. Kështu që, ai vazhdon të bëjë xhihad (përpjekje në rrugë të Allahut), derisa ta takojë Allahun.

 

Medito për këtë ndarje, për këtë pozitë dhe për dobinë e saj të madhe. Bëje atë, peshoren tënde, me të cilën do t’i peshosh njerëzit dhe do t’i peshosh veprat e tyre, sepse kjo peshore, do të mundësojë të shohësh realitetin e ekzistencës dhe gradat e krijesave.

 

Prej Allahut kërkojmë ndihmë dhe tek Ai mbështetemi. Nëse do të ishte vetëm kjo ndarje tek ky komentim (i këtij libri), do të mjaftonte si dobi për atë që mediton rreth saj dhe e kap atë.

 

Fundnota:

[1] E ka nxjerrë Imam Ahmedi (5/331) si dhe të tjerë, nga hadithi Sehl bin S’ad – radijAllahu ‘anhu – dhe teksti i tij është:

“Ruhuni nga gjynahet që ju i zhvlerësoni. Ato janë si shembulli i një populli që zbresin në mesin e një lugine, njëri prej tyre sjell një degë druri, tjetri po ashtu sjell një tjetër, derisa e pjekin bukën e tyre. Kur njeriu jepet pas gjynaheve që i zhvlerëson, ato e shkatërrojnë atë.”

 

Hafidh ibën Haxher në “Fet-hul-Barij” (11/337) ka thënë: “Zinxhiri i tij është i mirë – hasen.” Ky hadith mbështetet nga hadithi i Ibën Mes’udit të cilin e ka nxjerrë Imam Ahmedi (6/367, nr. 3717). Në zinxhirin e tij ka dobësi dhe teksti i tij është më afër asaj që ka përmendur autori.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari