Bismilah...

Autor: Shemsuddin Muhamed bin Bekër bin Ejjub ibën Kajjim el-Xheuzijeh, (v.751 H.)

Burimi: Medarixhu Salikin,  vëll. 1, fq. 406.

 

 

Pejgamberi – ‘alejhi salatu ue selam – para se të bëhej beteja e Uhudit, pa në ëndërr se po therej një lopë, dhe kjo ëndërr u interpretua me atë që i goditi besimtarët kur u vranë nga kufarët (mushrikët e Mekkes në Uhud).

 

Lopa është nga kafshët më të dobishme në tokë; ajo përdoret për të lëvruar tokën, ngase është kafshë e nënshtruar, e dobishme dhe e bindur. Pra, ajo është e butë dhe nuk është e egër. Kurse buajt janë të parët dhe prijësit e tyre. Umer ibnul Khatabi pa në ëndërr një gjel që e çukiti tre herë, dhe kjo ëndërr u interpretua me goditjet e Ebu Lulu el-Mexhusijt kur e goditi me thikë dhe gjeli që u pa në ëndërr u interpretua se ai është një jo-arab mizor.

 

Ka njerëz që e kanë natyrën si të derrit, kalon nëpër të mirat dhe nuk i vlerëson ato, por nëse rastis në jashtëqitjen e njeriut, e përpin atë. Kështu janë shumica e njerëzve: dëgjon mirë për ty dhe sheh të mira te ti që janë shumëfish më të mëdha se të këqijat, por nuk t'i ruan ato, nuk i përcjell dhe as që pajtohet me to. Por, nëse sheh te ti një lëshim apo fjalë të keqe, aty gjen prehje dhe kënaqësi; e llogarit atë fryt dhe e bën atë muhabet pazari.

 

Ka njerëz që kanë natyrë si ajo e palloit, nuk posedojnë tjetër pos shfaqjes së “bishtit” të tyre dhe zbukurimit me “penda”; prapa atij bishti nuk gjendet asgjë.

 

Ka njerëz që kanë natyrë si ajo e devesë, që është një nga kafshët më inatçore dhe më të ashpra.

 

Ka prej tyre që kanë natyrën e ariut, që është memec dhe i fëlliqur; ka prej tyre që kanë natyrën e majmunit.

 

Natyra më e mirë e kafshëve është ajo e kuajve, të cilët kanë shpirt më fisnik dhe natyrë më bujare. Po kështu janë edhe delet.

 

Çdo njeri që kujdeset dhe ruan një lloj të këtyre kafshëve, do të ndikohet dhe do të marrë nga natyra dhe sjellja e tyre. Nëse ushqehet me mishin e ndonjë lloji të këtyre kafshëve, përngjasimi do të jetë më i madh. Sepse ai që ushqehet me mishin e një kafshe, u përngjan atyre. Për këtë arsye, Allahu e ka ndaluar ngrënien e mishit të egërsirave dhe grabitqarëve, për shkak se ngrënia e mishit të tyre bën që t’u përngjasosh shpirtrave të atyre kafshëve.  

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari