Bismilah...

Autor: Muhamed es-Sefarinij el-Hanbelij

Burimi: Gidhabul-Elbab Sherh Mend’dhumeti el-Adab, 2/351.

 

 

Shfrytëzoje – Allahu të mëshiroftë – jetën tënde të çmuar dhe ruaje kohën tënde të shtrenjtë. Dije se, periudha e jetës tënde është e shkurtër dhe frymëmarrjet e tua janë të numëruara. Çdo frymëmarrje pakëson një pjesë të jetës tënde. E gjithë jeta është e shkurtër dhe pjesa e mbetur e jetës tënde është e pakët. Çdo pjesë e jetës tënde është një margaritar i çmuar që nuk krahasohet dhe nuk zëvendësohet me asgjë.

Pas kësaj jete të shkurtër, ka bollëk të përhershëm (xhenet) apo dënim të dhimbshëm (xhehenem). Nëse e krahason këtë jetë me përjetësinë, do ta kuptoje se çdo frymëmarrje është e barabartë me më shumë se mijëra vite në bollëk (xhenet) në të cilin nuk ka rreziqe, apo e kundërta e kësaj (në dënimin e xhehenemit). Nëse ai e ka punën kështu, ai nuk ka vlerë.

Mos i humb perlat e shtrenjta të jetës tënde pa bërë vepra të mira dhe mos i kalo pa ndonjë çmim! Përpiqu dhe mundohu që mos të të shpëtojë asnjë frymëmarrje nga frymëmarrjet e tua vetëm se, duke bërë një vepër të mirë apo duke bëra vepra që kërkon përmes tyre afrim te Allahu. Sepse, po të posedoje një perlë nga perlat e dynjasë dhe ajo të të humbte, do të ndjeheshe keq. Atëherë, si tregohesh i shkujdesur për çastet dhe kohën tënde! Si nuk pikëllohesh për jetën tënde që të kalon pa ndonjë çmim!

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari