Bismilah...

 

Ibn Lahi’a ka transmetuar nga ‘Ubejdullah Ibn Ebi Xha’fer në formë mursel nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) se ai ka thënë:

“Ai që është më i guximtari nga ju në dhënien e fetvave, ai do të jetë më guximtari që do të shkojë drejt Xhehenemit.” [1]

Alkame ka thënë: “Ata (Selefët) thonin: -Ai që ka më shumë guxim nga ju në dhënien e fetvave, është ai që ka më pak dije.”

El-Bera’ ka thënë: “Unë kam takuar njëqind e njëzetë Ensarë nga Sahabët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe kur ndonjëri prej tyre pyetej për ndonjë çështje, nuk kishte asnjë nga ata që të mos dëshironte që të mjaftohej me vëllain e tij (për t’i kthyer përgjigje).” [2]

 

Në një transmetim tjetër gjendet kjo shtesë: “... kështu që ky ia kalonte tjetrit e ai ia kalonte dikujt tjetër derisa ajo kthehej në fund tek i pari.”

Nga Ibn Mes’udi (radij-Allahu ‘anhu) i cili ka thënë: “Ai që u jep fetva njerëzve për gjithçka që pyetet është me të vërtet i çmendur.” [3]

‘Umer Ibn ‘Abdul-‘Azijz u pyet për diçka dhe ai u përgjigj: “Unë nuk jam i tillë që të marr guximin për të dhënë fetva.”

Gjithashtu, ai i shkroi njërit nga guvernatorët e tij: “Pasha Allahun, unë nuk i shkoj nga pas dhënies së fetvasë për sa kohë që mund t’i shmangem asaj.”

Ibn Jemine ka thënë: “Kjo çështje nuk është për ata të cilët duan që njerëzit t’ua kenë nevojën, por kjo çështje është vetëm për ata të cilët duan që të gjejnë dikë tjetër në vend të tij.”

Gjithashtu është transmetuar nga ai se ka thënë: “Më i ditur nga njerëzit në lidhje me fetvate është ai që rri më së shumti i heshtur; dhe më injoranti nga njerëzit në lidhje me to është ai që flet më shumë për to.” [4]

Sufjan eth-Theuri ka thënë: “I arritëm dijetarët dhe ata urrenin që t’u përgjigjeshin pyetjeve dhe të jepnin fetva derisa të mos gjenin rrugëzgjidhje tjetër përveç se të jepnin një fetva. Por, nëse do të shpëtonin nga dhënia e fetvasë, atëherë kjo ishte më e dashur për ta.”

Imam Ahmedi ka thënë: “Ai që del përpara për të dhënë fetva, ai ka dalë përpara një çështjeje tepër serioze, përveç nëse ka qenë i detyruar nga domosdoshmëria.”

I thanë atij: Atëherë, si është më mirë për të, të flasë apo të heshtë?”
Ai tha: “Më e dashur për ne është që ai të përmbahet.”
I thanë: “Po nëqoftë se është e nevojshme?”
Ai filloi të thoshte: “Nevoja! Nevoja!”
Dhe pastaj tha: “Është më e sigurt për të që të përmbahet.”

Pra, ata që japin fetva duhet ta kuptojnë se ata po përcjellin urdhërat dhe ndalesat e Allahut dhe se ai do të merret në llogari e do të pyetet për to.

Rabia` Ibn Khaithem ka thënë: “O ti që jep fetva! Hapi sytë e shiko se si po i jep fetvatë.”

‘Amr Ibn Dinar i ka thënë Katades kur ai u ul për të dhënë fetva: “A e kupton çështjen në të cilën ke rënë. Ti je futur mes Allahut dhe robërve të Tij dhe po thua ‘Kjo është e saktë dhe kjo nuk është e saktë’.” [5]

Ibnul-Munkadir ka thënë: “Dijetari futet midis Allahut dhe krijesave të Tij, kështu që le të shohi se si po futet midis tyre.” [6]

Kur pyetej Ibn Sirrini për ndonjë gjë që kishte të bënte me hallallin dhe haramin, atij i ndryshonte ngjyra dhe bëhej tjetër njeri, aq sa nuk njihej më.” [7]

Kur pyetej Nekha’iu për diçka, atëherë atij i dallohej urrejtja në fytyrë dhe thoshte: “A nuk gjen ndonjë tjetër për të pyetur në vendin tim?”

Ai ka thënë gjithashtu: “Unë fola, dhe sikur të kisha mundësi që të shmangesha, nuk do të kisha folur. Vërtet, koha kur jam dijetari i Kufas është një kohë e keqe.” [8]

Është transmetuar se Ibn ‘Umeri (radij-Allahu ‘anhuma) ka thënë:

“Ju na kërkoni fetva në një mënyrë të atillë sikur ne të jemi njerëz që nuk do të merremi në pyetje për fetvatë që ju japim.” [9]

Muhamed Ibn Uasi’ ka thënë: “Të parët që do të thirren për të dhënë llogari janë dijetarët.”

Është transmetuar se kur Maliku pyetej për ndonjë çështje, për të ishte sikur ndodhej midis Xhenetit dhe Xhehenemit.” [10]

Një dijetar i tha një personi që jepte fetva: “Kur pyetesh për ndonjë çështje mos të jetë interesi yt që të lirosh pyetësin apo të gjesh një zgjidhje për të, por që të lirosh e të ruash veten tënde.” [11]

Dikush tjetër nga Selefët ka thënë: “Nëse pyetesh për ndonjë çështje, atëherë mendohu, nëse gjen një zgjidhje për të fol, përndryshe rri i heshtur.”

Thëniet e Selefëve rreth dhënies së fetvave janë të shumta e nuk na del koha që t’i mbledhim të gjitha.

Fundnota:

[1] Transmetuar nga Darimi (1/57) dhe zinxhiri i tij i transmetimit është i dobët sepse ai është mursel, d.m.th. në të mungon lidhja midis transmetuesit të fundit dhe Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).
[2] Kjo thënie është transmetuar nga Darimi (1/53) dhe Ibn ‘Abdul-Berr në Xhami’ Bejanil-‘Ilm ue Fadlihi (2/163). Megjithatë, kjo është thënie e ‘Abdur-Rrahman Ibn Ebi Lejla dhe nuk është thënie e el-Bera’, ndërsa zinxhiri i tij i transmetimit është sahijh. Kurse thënia e el-Bera’ është: “Unë kam parë treqind nga njerëzit e Bedrit, e nuk kishte asnjë nga ata që të mos donte që dikush tjetër të përgjigjej në vend të tij.” Kjo është transmetuar nga Ibnul-Mubarak në ez-Zuhd (n. 58), Ibn Sa’d (6/11) dhe të tjerë. Zinxhiri i tij përmban Ebu Is`hak es-Sebij’i i cili është i pranueshëm (saduk), por vetëm se është mudelis dhe e transmeton atë pa thënë që e ka dëgjuar drejt për drejt.
[3] Transmetuar nga Ibn ‘Abdul-Berr (2/164-165), el-Khatib në el-Fekih uel-Mutefekkih (2/197-198) dhe Ebu Khaitheme në el-‘Ilm (n. 10) dhe zinxhiri i tij i transmetimit është sahijh.
[4] Transmetuar nga el-Khatib në el-Fekih uel-Mutefekkih (2/166) dhe zinxhiri i tij është i dobët.
[5] Transmetuar nga el-Khatib në el-Fekih uel-Mutefekkih (2/168).
[6] Transmetuar me disa ndryshime në tekst nga Darimi (1/53) dhe el-Khatib në el-Fekih uel-Mutefekkih (2/168) dhe zinxhiri i tij është sahijh.
[7] Transmetuar nga Ibn Sa’d (7/195) dhe el-Khatib në el-Fekih uel-Mutefekkih (2/167) dhe zinxhiri i tij është sahijh.
[8] Transmetuar në kuptim nga Ebu Khaitheme në el-‘Ilm (n. 131).
[9] Transmetuar nga el-Fesaui (1/490) dhe el-Khatib el-Bagdadi në el-Fekih uel-Mutefekkih (2/168) dhe zinxhiri i tij është i dobët.
[10] Transmetuar nga el-Khatib në el-Fekih uel-Mutefekkih (2/167) dhe zinxhiri i tij është i dobët.
[11] Ai që i ka thënë këto fjalë ishte ‘Umer Ibn Khalde ez-Zurki, i cili po i drejtohej Rabi’a Ibn Ebi ‘Abdur-Rrahman. Ky transmetim është transmetuar thuajse me fjalë të njëjta nga el-Fesaui (1/556-557), Ebu Nu’ajm në el-Hilje (3/260-261) dhe el-Khatib në el-Fekih uel-Mutefekkih (2/169) dhe zinxhiri i tij është sahijh.

 

Përktheu Alban Malaj