Autor: Shemsuddin Muhamed bin Bekër bin Ejjub ibën Kajjim el-Xheuzijeh, (v.751 H.)

Burimi: ‘Iddetu Sabiriin, fq. 425

 

 

Dashuria për dunja dhe udhëheqje, është ajo që e ka mbushur Xhehenemin me banorët e tij, ndërsa largimi nga dunjaja dhe udhëheqja, është ajo që e ka mbushur Xhenetin me banorët e tij; kurse dehja me dashurinë për dunja është shumë më e rëndë se sa dehja me pirje të alkoolit. Ai që është i dehur me dunja, nuk zgjohet vetëm se në errësirën e varrit. Nëse atij do t’i hiqej kjo “perde” e dashurisë për këtë dunja, do ta kuptonte se në çfarë dehje ka qenë dhe se kjo dehje është më e rëndë se ajo me alkool. Dunjaja i ysht mendjet më shumë sesa magjia (e vërtetë). Imam Ahmedi ka thënë: Na ka treguar Sejjari, na ka treguar Xh’aferi, se e kam dëgjuar Malik ibën Dinarin – Allahu e mëshiroftë – duke thënë: “Kini frikë nga magjepsja (dunjaja)! Sepse ajo u bën magji (edhe) zemrave të dijetarëve.” [1]

 

Jahja ibën Mu’adh er-Razij ka thënë: “Dunjaja është alkooli i shejtanit. Ai që dehet me të, nuk ka për t’u zgjuar vetëm se në errësirën e të vdekurve; i penduar thellë dhe duke qëndruar në mesin e të dështuarve.” [2]

 

Ajo që është më e pakta te dashuria për dynjanë, është se ajo të largon nga dashuria për Allahun dhe përmendjen e Tij. Atë që e largon pasuria e tij nga përmendja e Allahut, ai është i shkatërruar. Nëse zemra tregohet e shkujdesur për ta përmendur Allahun, në atë zemër do të zërë vend shejtani dhe do ta çojë atë andej nga të dojë. Nga njohja e thellë e sherrit që ka shejtani është se ai e kënaq njeriun me ndonjë vepër të mirë që bën, për t’i treguar se ai bën vepra të mira dhe se zemra e tij tashmë i është nënshtruar këtyre veprave. Po ku krahasohet vepra e mirë që mund të bëjë ai me robërimin e zemrës së tij ndaj epsheve!?

 

I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ka mallkuar atë (robin e dunjasë) dhe është lutur kundër tij, duke thënë:

‏ "‏ لُعِنَ عَبْدُ الدِّينَارِ لُعِنَ عَبْدُ الدِّرْهَمِ ‏"‏

“I mallkuar qoftë robi i dinarit; i mallkuar qoftë robi i dirhemit.” [3]

 

Po ashtu ka thënë:

تَعِسَ عَبْدُ الدِّينَارِ  تَعِسَ عَبْدُ الدِّرْهَمِ  إِنْ أُعْطِيَ رَضِيَ وَإِنْ لَمْ يُعْطَ سَخِطَ

“U shkatërroftë robi i dinarit, u shkatërroftë robi i dirhemit. Kur atij i jepet, gëzohet dhe kur nuk i jepet, zemërohet dhe hidhërohet.” [4]

 

Ky është shpjegimi i Pejgamberit – alejhi salatu ue selam – dhe sqarim për robërinë e njeriut ndaj dinarit.

 

Fundnotat:

[1] “Ez-Zuhd” fq. 259, botimi i Muhamed Abdus-Selam Shahin. E ka transmetuar Ibën Ebi Dunja në “Dhemmu Dunja” nr. (39) dhe Ebu Nu’ajm në “Hiljetul Eulija” (2/364) dhe (6/287). 

[2] Nuk i kam gjetur zinxhir transmetimi. E ka përmendur Ibnul Xheuzij duke ia atribuuar atij në “Sifetu Safueh” (4/98) dhe eth-The’alebij në “Thimarul Kulub” fq. 77.

[3] E ka transmetuar Tirmidhiu (2375).

[4] E ka transmetuar Buhariu (2887).

 

Përktheu: Jeton Shasivari