Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

 

Hamdi (Falenderimi i Allahut) duhet të bëhet me gjuhë.

وَأَمَّا بِنِعْمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثْ

"E të mirat që të dha Zoti yt, tregoji!" [edDuha, 8]

Pra, duhet patjetër që t'i përmendësh të mirat me gjuhën tënde, duhet të flasësh për to dhe duhet ta falënderosh Allahun për ato me gjuhën tënde. Gjithashtu falënderimi të bëhet me zemër, duke e pranuar që këto mirësi janë nga Allahu e jo nga përpjekja jote e as nga fuqia jote. Pra, duhet ta pranosh atë përbrenda vetes tënde. E treta është që duhet t'i përdorësh ato mirësi në bindje ndaj Allahut - Azze ue Xhele; t'i shpenzosh në bindje ndaj Atij që t'i dhuroi dhe të pasuroi me to. Të mos i përdorësh të mirat e Allahut si ndihmesë për të bërë gjynahe, sepse ky është mohim i të mirave. Ndërsa të ndihmosh veten tënde me to në bindje ndaj Allahut është falënderim për mirësitë që t'i dha Allahu. Të ndihmosh veten tënde me të mirat e Allahut që të bësh gjynahe, ky është mohim i të mirave, Allahu na ruajttë.

Prandaj kanë thënë se shtyllat e falënderimit janë tre. Duhet patjetër që t'i kesh të tria ato. Nëse mungon njëra nga ato, atëherë ai nuk është falënderim.

Shtylla e parë: është pohimi i mirësisë me gjuhë dhe lavdërimi i Allahut me gjuhë që ta dha atë.

Shtylla e dytë: është pohimi i asaj mirësie me zemër dhe pranimi i saj.

Shtylla e tretë: është që të punosh me këtë mirësi në bindje ndaj Allahut – SubhaneHu ue Te’ala – dhe në atë që Ai kënaqet. Allahu të jep të mira që ti ta adhurosh Atë, që ta falënderosh, nuk të jep të mira me qëllim që ti të bëhesh mendjemadh, të shpërdorosh dhe të bësh shkatërrim në tokë.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org