Bismilah...

Nga Shejkh Sulejman Ibn Selimullah er-Rruhajli

Burimi: Sahab.net


Kjo është një këshillë e çmuar nga Shejkh Sulejman er-Rruhajli (hafidhahullah) gjatë mësimit të tij “Sherh Adab el-Meshij iles-Salat” në kursin e gjashtë të përvitshëm “el-Imam Ibn Kajjim el-Xheuzijjeh”, në xhaminë Benij Selemeh në Medinen Pejgamberike, dt. 28 Sheual, 1432 Hixhrij.

Tha Shejkhu, Allahu ia shpërbleftë me të mira:

“Përpara se të fillojmë mësimin dua t’u kujtoj o vëllezërit e mi një çëshje, lus Allahun ‘Azze ue Xhel që të japë mirësi e dobi në të, se prej epidemive dhe pengesave të mëdha që hasen në rrugën e kërkuesit të diturisë, në rrugëtimin e tij për kërkimin e dijes dhe në rrugëtimin e tij drejt Allahut ‘Azze ue Xhel është dashuria për të dalë në krye, është dashuria për famë, është dëshira që njerëzit të ta kenë nevojën, sepse me të vërtetë këto janë prej epidemive të mëdha. Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë:

»لا تعلموا العلم لتباهوا به العلماء، ولا لتماروا به السفهاء، ولا تخيروا به المجالس، فمن فعل ذلك فالنار النار«

“Mos e mësoni dijen që të mburreni me të para Ulemave, dhe as që të debatoni me të injorantët, dhe as që të zini qoshet e mexhliseve. Dhe kush e bën atë, atëherë Zjarri, Zjarri!”

Selefët e Devotshëm – Allahu qoftë i kënaqur me ta – nuk e donin famën, nuk donin që të përmendeshin, pavarsisht dashurisë që kishin që të shfaqej e vërteta.

Ejub es-Sikhtijani thoshte: “Më kanë përmendur, mirëpo unë s’dua që të përmendem.”

Dhe kanë thënë për të se ai kur ecte kalonte nëpër rrugicat ku nuk e njihte askush, derisa disa thanë: “Nuk e di si e gjen rrugën ai andej!”

Thoshte Imam Ahmedi, Allahu ‘Azze ue Xhel pastë mëshirë për të: “Do të doja të isha në ndonjë prej rrugicave të Mekkes.” Dhe i thotë të birit të tij: “Do të doja të mos i atribohej asgjë prej saj babait tënd, mirëpo unë jam sprovuar me famën tashmë.”

Kështu që, llogariteni famën si bela dhe konsiderojeni atë bela. Prandaj nxënësi i dijes duhet ta kërkojë dijen me përulësi. Dhe sa herë e shton dijen, aq herë ai e shton edhe përulësinë e tij. Për këtë arsye, kur Imam Ahmedi – Allahu ‘Azze ue Xhel pastë mëshirë për të – tha se asgjë nuk krahasohet me kërkimin e dijes – dmth. asgjë prej veprave nafile – për atë që e ka të saktë nijetin e tij, i thanë: “E si mund të bëhet nijeti i tij i saktë?” Ai tha: “Duke e kërkuar atë me përulësi dhe duke patur për nijet t’i bëjë dobi vetes së vet.”

Prandaj, nxënësi i dijes duhet të përpiqet gjithmonë të jetë i përulur në kërkimin e diturisë, të përpiqet të jetë i sigurtë sepse asgjë nuk krahasohet me sigurinë. Për këtë arsye Selefët nuk ngarendnin për të dhënë fetva, nuk ngarendnin për të mbledhur pas vetes nxënësat e dijes, por i drejtonin njerëzit tek dijetari tjetër. Kur i vinte ndonjë pyetje dhe ai e dinte përgjigjen e saj, ai e drejtonte pyetësin tek dikush tjetër, kurse ai tjetri e drejtonte tek dikush tjetër, sikurse ka ndodhur kjo gjë mes disa Sahabëve – Allahu qoftë i kënaqur me ta – dhe kështu fetvanë e jepte dikush tjetër në vend të tij. Pastaj, ai që kërkoi fetvanë kthehej tek i dyti dhe e tregonte fetvanë që kishte marrë, kurse ai i thoshte: “Kështu them edhe unë.” Pastaj shkonte tek i pari dhe i tregonte fetvanë, edhe ai i thoshte: “Kështu them edhe unë.” Ata jo se nuk e dinin përgjigjen, porse e linin fetvanë për Ulematë e tjerë të cilëve ua njihnin diturinë dhe mençurinë.

Dhe nëse nxënësi i dijes sprovohet me dashurinë për të dalë në krye, për famë, që njerëzit t’i vijnë vërdallë, që njerëzit t’ia kenë nevojën, atëherë s’ka dyshim se ai është sprovuar me një sëmundje të hatashme. Më pas, nuk vonon shumë dhe do ta shikoni atë nxënës duke sharë Ulematë e Drejtë e të Besueshëm, mirësinë e të cilëve e kanë dëshmuar Muslimanët. Ajo sëmundje detyrimisht do ta shpjerë atë nxënës në sharjen e Ulemave të Mëdhenj e të Besueshëm, njerëzit e Mirësisë, njerëzit e Udhëzimit, njerëzit e Sunetit, siç janë Dijetarët tanë të Mëdhenj në Këshillin e Ulemave të Mëdhenj dhe në Komisionin e Përhershëm, si dhe Ulematë e tjerë të Mëdhenj, të tillë si Shejkh Salih Aali-Shejkh, Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad, Shejkh Rabij’ el-Medkhalij, Shejkh ‘Ubejd el-Xhabirij, Shejkh Salih es-Suhajmi, si dhe shumë të tjerë prej atyre që i njohin nxënësat e dijes.

Dhe sot shikon se fjalët e atij nxënësi tregojnë se ai i shan ata Ulema jo për të ndihmuar Fenë, por në të vërtetë ai i shan ata sepse i shikon si pengesë në rrugën drejt famës së tij.

Prandaj, o ju vëllezër, nëse Ulematë kritikuan ndonjë gjë apo ndonjë person, në kritikën e tyre gjen dashuri për Fenë, shfaqjen e të vërtetës, refuzimin e të pavërtetës, sikurse i gjen këto në mënyrë të qartë tek refuzimet e Shejkh Rabij’ el-Medkhalij. Nëse njeriu i drejtë i lexon refuzimet e Shejkhut (Rabij’ el-Medkhalij) do të gjejë në to dashurinë, dëshirën e zjarrtë, devocionin dhe ndihmesën e tij për të nxjerrë në pah Fenë. Ndërkohë që në fjalët e disa të tjerëve gjen vetëpëlqim. Dhe nuk vonon shumë dhe ai e nxjerr haptazi atë dhe thotë: “Sa herë që u kemi thënë atyre ndonjë gjë ata thonë: Ulematë nuk kanë folur, Ulematë nuk e kanë thënë”. Atëherë përse e thua ti?! Pra ai e thotë haptazi për shkak se do të shajë ata dijetarë.

Pastaj nuk vonon shumë dhe ai do t’u vijë njerëzve me gjëra të reja, sepse ai është ashtu siç ka ardhur në transmetimin e Ibn Mes’udit (radij-Allahu ‘anhu)për atë që thotë: “Çfarë kanë njerëzit që nuk më ndjekin? Unë e kam mësuar përmendësh të gjithë Kur'anin dhe kam marrë dije. Me të vërtetë, ata nuk kanë për të më ndjekur derisa unë t’u shpik atyre ndonjë gjë.” Dhe kështu, ai u shpik atyre diçka që të bëhet i famshëm me të. Prandaj, ai ose do të bjerë në bidatin e kalimit të kufijve në tekfir, ose vjen me bidate të tjera që kundërshtojnë Rrugën e Ehli-Sunetit dhe Xhematit me qëllim që të fitojë famë me to dhe të bëhet i njohur nëpërmjet tyre. Dhe nëse Ulematë e sqarojnë se ato gjëra janë bidat, ai bëhet arrogant dhe refuzon Ulematë. Nuk i refuzon me të vërtetën, porse i refuzon me Batil (me të pavërtetën).

E thëm këtë o vëllezërit e mi si këshillë për veten time – e sa nevojë kam unë për të – dhe si këshillë për vëllezërit e mia që ata të mos bien në këtë fatkeqësi.

Lus Allahun ‘Azze ue Xhel me Emrat e Tij të Bukur dhe Cilësitë e Tij të Larta që ta shërojë atë që është sprovuar me këtë sëmundje dhe ta kthejë tek Udhëzimi, tek Haku, tek Suneti, ta bëjë atë – nëqoftëse kthehet – flamur prej flamujve të Sunetit, të na mjaftojë neve dhe juve nga sherri i kësaj fatkeqësie, si dhe të na bëjë neve prej të udhëzuarve dhe udhëzues për të tjerët, që ta duam mirësinë dhe njerëzit e saj, si dhe ta ndihmojmë Hakun dhe njerëzit e tij.

Këto fjalë i thashë për një pyetje që ma drejtoi një prej nxënësve të dijes rreth kësaj teme.

Dhe lus Allahun ‘Azze ue Xhel që ta vendosë Hakun në fjalën time dhe ta bëjë atë të mirë e të dobishme.”

Përktheu: Alban Malaj