Autor: Muhamed bin Salih el-Uthejmin (1421 h.)

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, 324

 

Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira, Shejkh i nderuar. Pyetja e fundit e këtij pyetësi nga Sudani, thotë: “Një burrë që është i martuar me tre gra, disa prej tyre i ka lënë pas dore dhe nuk vepron me drejtësi midis tyre. Çfarë gjykimi ka ky veprim, Allahu ju shpërbleftë?”

Përgjigje: Njeriu që është i martuar me disa gra, nuk i lejohet që t’u bëjë padrejtësi atyre dhe në këtë rast atij i thuhet: Ti po bën një mëkat të madh. Për shkak të kërcënimit që ka ardhur nga Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, i cili ka thënë:

‏ مَنْ كَانَتْ لَهُ امْرَأَتَانِ فَمَالَ إِلَى إِحْدَاهُمَا جَاءَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَشِقُّهُ مَائِلٌ

“Ai që ka dy gra dhe anon më shumë nga njëra, do të vijë Ditën e Kijametit me gjysmën e trupit të shtrembur.” (Sahih Ebi Daud, 2133). 

Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar e ka ndaluar poligaminë në Librin e Tij nëse njeriu druan se nuk do të mund të mbajë drejtësi. Allahu i Plotëfuqishëm dhe i Madhëruar ka thënë:

﴿وَإِنْ خِفْتُمْ أَلَّا تُقْسِطُوا فِي الْيَتَامَى فَانْكِحُوا مَا طَابَ لَكُمْ مِنَ النِّسَاءِ مَثْنَى وَثُلاثَ وَرُبَاعَ فَإِنْ خِفْتُمْ أَلَّا تَعْدِلُوا فَوَاحِدَةً أَوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُمْ ذَلِكَ أَدْنَى أَلَّا تَعُولُوا﴾

“Nëse druani se nuk do mund të mbani drejtësi me jetimët, atëherë martoni dy, tre ose katër gra që ju pëlqejnë. E nëse druani se nuk do të jeni të drejtë, atëherë martoni vetëm një apo ato që i keni në pronën tuaj (robëreshat). Kjo është më e përafërt që ju të mos bëni padrejtësi.” En-Nisa, 3

Ai e ka detyrë që të mbajë drejtësi midis grave me të gjitha mundësitë që ka, kurse sa i përket dashurisë që ka në zemër dhe që ndonjërën e do më shumë, këtë gjë njeriu nuk mund ta kontrollojë, por atë që mund ta kontrollojë është që të kalojë natën me njërën ashtu siç kalon me tjetrën. Nëse do që të udhëtojë dhe ta marrë vetëm njërën me vete në udhëtim, atëherë le të hedhë short, asaj që i del shorti, udhëton me të.

Po ashtu, të jetë i drejtë në mbështjetjen financiare të tyre. Të mos i japë njërës më shumë se tjetrës si dhe për gjëra të tjera që ai ka mundësi, për arsye se Allahu i Lartësuar ka thënë:

﴿فَاتَّقُوا اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتُمْ﴾،

“Kini frikë Allahun aq sa të keni mundësi.” Et-Tegabun, 16

Si dhe fjala tjetër e të Madhëruarit e të Lartësuarit:

وَلَن تَسْتَطِيعُوا أَن تَعْدِلُوا بَيْنَ النِّسَاءِ وَلَوْ حَرَصْتُمْ ۖ

 “...e ju nuk do mund të mbani drejtësi midis grave, edhe në qoftë se ju e dëshironi këtë...” En-Nisa, 129

Do të thotë: nuk do mund të mbani drejtësi të plotë për çdo gjë, edhe nëse e doni këtë.

فَلَا تَمِیلُوا۟ كُلَّ ٱلۡمَیۡلِ فَتَذَرُوهَا كَٱلۡمُعَلَّقَةِۚ

“...porse mos anoni plotësisht nga njëra dhe ta lini tjetrën sikur të jetë e varur.” En-Nisa, 129

 

Përktheu: Jeton Shasivari