Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1420 h.)

Burimi: Telkhisu Kitab Ahkamu el-Ud’hijeti ue edh-Dhekat, fq. 23-26

 

Kapitulli i katërt

Për sa persona vlen një kurban

Një kurban nga bagëtitë e imta, vlen për një person dhe për njerëzit e shtëpisë së tij, si dhe për ata Muslimanë që ai dëshiron t’i përfshijë në shpërblime. Argument për këtë është hadithi i Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila thotë: Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, urdhëroi që t'i sillnin një dash me brirë, i cili i kishte këmbët e zeza, barkun e zi dhe sytë përreth i kishte me ngjyrë të zezë. Kështu, ia sollën atë që ta bënte kurban. Ai i tha asaj: "O Aisheh! Më jep thikën!" Unë ia dhashë atë, e ai e mori thikën, e mori edhe dashin dhe u bë gati që ta therë atë duke thënë:

بِاسْمِ اللَّهِ اللَّهُمَّ تَقَبَّلْ مِنْ مُحَمَّدٍ، وَآلِ مُحَمَّدٍ، وَمِنْ أُمَّةِ مُحَمَّدٍ

Bismil-Lah, Allahumme tekabbel min Muhammedin, ue ali Muhammedin, ue ummeti Muhammed

"Me Emrin e Allahut! O Allah, pranoje këtë prej Muhammedit, familjes së Muhammedit dhe umetit të Muhammedit!" Pastaj, e theri atë.” [1] Transmeton Muslimi.

Gjithashtu transmeton Ebu Rafi', Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, bënte kurban dy desh, njërin për vete dhe familjen e tij, ndërsa tjetrin për të gjithë umetin e tij. [2] Transmeton Ahmedi.

Transmeton Ebu Ejjub el-Ensarij, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “Në kohën e Pejgamberit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, një njeri bënte kurban një dele për veten e tij dhe për familjen e tij. Ata hanin për vete nga ky kurban dhe i ushqenin edhe të tjerët me të." Transmeton Ibn Maxheh (3147) dhe Tirmidhiu (1505), dhe e ka bërë të saktë hadithin.

Prandaj, nëse një njeri bën kurban një bagëti të imtë, dele ose dhi, për veten dhe për njerëzit e shtëpisë së tij, ky kurban vlen për të gjithë ata që e ka bërë nijet për familjen e tij, qofshin të gjallë apo të vdekur. Ndërsa nëse nuk bënë fare nijet që të përgjithësojë apo të veçojë dikë, atëherë në kurban përfshihen të gjithë ata që i përfshin termi “familje”, si nga zakoni po ashtu edhe kuptimi gjuhësor. Fjala “familje” sipas zakonit përfshin të gjitha për të cilët kujdeset, siç janë gratë, fëmijët dhe të afërmit. Ndërsa nga ana gjuhësore fjala “familje” do të thotë: çdo i afërm i personit, siç janë: pasardhësit e tij, pasardhësit e babait të tij, pasardhësit e gjyshit të tij dhe pasardhësit e gjyshit të babait të tij.

Deveja dhe lopa që mund të marrin pjesë deri në shtatë persona për kurban, vlen për kurban që ta therë edhe një person i vetëm, ashtu siç vlen delja për një person. Nëse një njeri bën kurban një deve ose një lopë për veten dhe njerëzit e shtëpisë së tij, kjo vlen për të. Sepse Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, e llogariti devenë dhe lopën të njëjtë me kurbanin që ther haxhiu (el-hedju). Po kështu është edhe me kurbanet tjerë, për shkak se nuk ka dallim midis kurbanit që theret për Bajram dhe kurbanit që ther haxhiu.

Një dele nuk vlen që ta bëjnë kurban dy veta apo më tepër, sepse nuk është transmetuar ndonjë argument për këtë në Kur'an dhe Sunet. Ashtu siç nuk lejohet që të marrin pjesë tetë veta apo më shumë në një deve apo në një lopë, sepse adhurimet janë të përcaktuara me Sheriat. Andaj, nuk lejohet që të kalohen kufijtë e caktuar as në sasi e as në mënyra! Kjo gjë nuk ka lidhje me pjesëmarrjen e shumë njerëzve në shpërblime, sepse pjesëmarrja në shpërblime nuk është kufizuar, siç e përmendëm më parë.

Duke u bazuar në këtë, nëse një grup njerëzish kanë lënë porosi që (pas vdekjes), për çdonjërin prej tyre të theret nga një kurban nga të ardhurat e një prone që ka lënë, kurse të ardhurat e çdonjërit prej tyre nuk mjaftojnë për porosinë e çdonjërit prej tyre. Në këtë rast, nuk lejohet që t’i bashkojmë këto porosi dhe të therim një kurban të vetëm për ta. Sepse e mësove se një bagëti e imët nuk vlen për dy e më shumë veta, përveç se në pjesëmarrjen në shpërblime. Pra, duhet të mblidhen të ardhurat e tyre derisa të arrihet çmimi i kurbanit, e nëse kjo shumë e kurbanit është e pamjaftueshme e që duhen vite për t’u mbledhur, atëherë ai këtë shumë e jep sadaka në dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.

E nëse ai ka lënë porosi që të theren disa kurbane dhe këto të ardhura nuk mjaftojnë për të gjithë kurbanet, në këtë rast ai që ka marr përsipër porosinë për të therur disa kurbane, ther vetëm një kurban, sepse ai që e ka lënë këtë porosi është një njeri i vetëm. E nëse dëshiron një vit ther një kurban dhe vitin tjetër ther një kurban tjetër, kurse e para është më e mirë.

 

Vërejtje e rëndësishme!

Disa që lënë porosi që të theret kurban nga pasuria e tyre pas vdekjes së tyre, përcaktojnë shumën e kurbanit duke patur për qëllim se edhe në qoftë çmimi i kurbanit shkon shumë shtrenjtë. Për shembull ai thotë: “Të theret kurban për mua, edhe nëse çmimi i kurbanit bëhet një rijal.” Sepse në kohën kur ai ishte gjallë, çmimi i kurbanit ishte shumë më lirë se kaq. Kurse, ata që e kanë marrë përsipër porosinë, të cilët nuk e kanë frikë Allahun, nuk ther kurban për atë që e ka porositur me ‘argumentin’ se i vdekuri e ka caktuar shumën duke thënë një rijal, e sot nuk ka kurban që kushton një rijal, edhe pse pasuria që ka lënë i vdekuri është shumë e madhe. Kjo që bën ky është e ndaluar dhe ai me këtë që bën është mëkatar. Ai e ka detyrë që të ther kurban për të, edhe nëse çmimi i kurbanit shkon me mijëra rijal, përderisa të ardhurat që i ka lënë ai mjaftojnë, sepse qëllimi i të vdekurit që e ka lënë këtë porosi duke e tepruar në caktimin e çmimit, nuk ka patur qëllim përcaktimin e këtij çmimi që ka thënë një rijal.

___________

[1] Transmeton Muslimi, “Libri i kurbaneve, kapitulli: çfarë preferohet te kurbanet dhe therja e tyre menjëherë,” nr. (1967).

[2] Ahmedi (6/8).

 

Përktheu: Servet Mata