Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1420 h.)

Burimi: Telkhisu Kitab Ahkamu el-Ud’hijeti ue edh-Dhekat, fq. 27-32

 

Kapitulli i pestë

Si bëhet caktimi i kurbanit dhe dispozitat e këtij caktimi

 

Kurbani përcaktohet me këto dy gjëra:

E para: të thotë me fjalë “Kjo kafshë do të theret për kurban” dhe ka për qëllim caktimin e kësaj kafshe për kurban. Por nëse ka për qëllim thjesht lajmërimin për atë që do të bëjë me të në të ardhmen, atëherë ajo nuk përcaktohet për kurban me këtë fjalë, sepse qëllimi është lajmërimi se çfarë do të bëjë në të ardhmen e nuk ka për qëllim caktimin e saj për kurban.

E dyta: Kjo është dy llojesh:

Lloji i parë: Therja e kafshës me nijet për kurban. Në kohën që ai e ther kurbanin me këtë nijet, për të vlen gjykimi i kurbanit.

Lloji i dytë: Blerja e kafshës me nijetin për ta therur për kurban, nëse është kurban që është zëvendësuar me një tjetër që është caktuar më parë. Për shembull: ai e cakton një kafshë për kurban dhe ajo ngordh për shkak të shkujdesjes së personit, kështu ai blen një tjetër në vend të saj me nijetin që ta zëvendësojë të parën që ngordhi. Kjo llogaritet kurban që në çastin që është blerë me këtë nijet, sepse e zëvendëson atë të parën që u caktua. Ajo që zëvendësohet ka gjykimin e asaj të parës për të cilën është zëvendësuar. Por nëse nuk bëhet me nijet që të zëvendësohet ajo që është caktuar më përpara, atëherë blerja e të dytës nuk është më nijet kurbani.

Për shembull: një njeri blen një skllav dhe dëshiron ta lirojë atë nga skllavëria, ky skllav nuk bëhet i lirë thjesht vetëm pse është blerë; ose nëse dikush blen diçka që ta lë atë vakëf, ajo nuk bëhet vakëf sapo e ka blerë atë. Po ashtu, nëse dikush blen çfarëdolloj kafshe me nijetin për ta bërë kurban, ajo nuk llogaritet kurban sapo e ka blerë atë.

Nëse përcaktohet kurbani, atëherë ai ka disa dispozita:

Dispozita e parë: Nuk lejohet që të bëhen gjëra me kurbanin të cilat janë të ndaluara, siç janë: shitja, dhurimi, lënia peng e tij, etj. përveç nëse e zëvendëson atë me një kurban më të mirë për shkak të dobive që ka kurbani, e jo për ndonjë interes personal. Pra, nëse personi e cakton një kafshë për kurban, pastaj shikon te vetja e tij ndonjë interes për këtë kurban dhe bëhet pishman, kështu e ndërron me një të dytë më të mirë me qëllim që ta mbajë për vete të parin e mos ta ther, atëherë kjo që bën ky nuk lejohet. Sepse kjo konsiderohet kthim mbrapa nga ajo që e ka nxjerrë për hir të Allahut për interesat e tij personale, e jo për atë se ky kurban është më i mirë se i pari.

Dispozita e dytë: Nëse personi vdes pasi që e ka caktuar kurbanin, atëherë pasardhësit e tij e kanë detyrë që ta therin atë. E nëse personi vdes para se ta caktojë atë, atëherë ai është pronë e tyre dhe ata bëjnë atë që duan me të. 

Dispozita e tretë: Të mos e shfrytëzojë kurbanin për ndonjë gjë, si p.sh të mos e përdorë atë për lëvrimin e tokës apo për diçka të ngjashme, të mos i hip kafshës vetëm se në rast nevoje dhe të mos e dëmtojë atë; të mos e mjelë qumështin e saj saqë ta dëmtojë atë apo atë që ka nevojë i vogli i saj; të mos e qeth leshin e saj apo diçka të ngjashme si kjo, përveç nëse kjo është më e dobishme për kurbanin, kështu ai e qeth atë, e jep sadaka leshin e saj, apo e dhuron atë, apo e mban për vete që të përfitoj prej saj dhe nuk e shet leshin.

Dispozita e katërt: Nëse kafsha që është caktuar për kurban, dëmtohet dhe kjo gjë e bën atë të pavlefshme për kurban, si për shembull: nëse ai blen një dele dhe e ka caktuar atë për kurban, dhe pas një kohe njëri sy fillon t’i verbohet saqë bëhet qorre në njërin sy dhe kjo duket qartë, atëherë këtu kemi dy raste:

Rasti i parë: Nëse ai vet ia ka dëmtuar syrin kafshës, ose kjo ka ndodhur si rrjedhojë e pakujdesisë së tij, në këtë rast ai e ka detyrë që ta zëvendësojë me një të njëjtë sikur tiparet që ka e para ose edhe më të mirë, sepse ajo është dëmtuar për fajin e tij. Kështu, ai e ka detyrë që të sigurojë një sikur e para, që ta therë në vend të saj. Kurse, ajo e para që është dëmtuar, ngelet pronë e tij sipas mendimit më të saktë të dijetarëve dhe ai mund të bëjë çfarë të dojë me të, ta shesë apo të bëj diçka tjetër.

Rasti i dytë: Nëse ai nuk e ka dëmtuar kafshën dhe ky dëmtim nuk ka ndodhur si pasojë e shkujdesjes së tij, ai e ther atë dhe ajo vlen për kurban, sepse ajo është amanet tek ai dhe nuk është dëmtuar nga vet ai e as për shkak të shkujdesjes së tij. Kështu që, nuk ka problem për të që ta ther për kurban dhe as nuk mban përgjegjësi për dëmtimin.

Por nëse ky kurban është detyrë për të që të lirohet nga një përgjegjësi për të cilën është zotuar se do ta bënte përpara se të caktonte atë kurban, atëherë ai e ka detyrë që ta zëvendësojë atë me një të shëndoshë i cili është i vlefshëm për kurban në mënyrë që të largojë këtë përgjegjësi. Për shembull thotë “Zotohem para Allahut se do të ther kurban këtë vit”. Kështu, ai blen kurban dhe e cakton atë për zotimin që kishte bërë, pastaj ky kurban dëmtohet gjë që e bën të pavlefshëm për kurban, atëherë ky e ka detyrë që ta ndërrojë me një të shëndoshë që është i vlefshëm për kurban, kurse me të dëmtuarën mund të bëjë ç’të dojë. Por nëse kafsha e dëmtuar është më e mirë se e dyta që është zëvendësuar, atëherë ai e ka detyrë të japë sadaka aq sa është dallimi midis këtyre dyjave.

Dispozita e pestë: Nëse kurbani humbet apo vidhet, atëherë ai ka dy raste:

Rasti i parë: Nëse kjo ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë nga ana e tij, si për shembull: të lihet në një vend që nuk është i rrethuar, kështu kafsha ikën apo vidhet. Në këtë rast, personi e ka detyrë që ta zëvendësojë atë me një tjetër sikur ajo në tipare, ose edhe më të mirë dhe ta therë atë në vend të saj. Kështu, atë që e ka humbur apo që i është vjedhur, është pronë e tij dhe mund të bëjë çfarë të dojë, ta shesë apo diçka tjetër, nëse e gjen atë.  

Rasti i dytë: Nëse nuk ka ndodhur si rrjedhojë e pakujdesisë së tij, ai nuk ka ndonjë përgjegjësi për këtë. Kurbani është amanet dhe ai nuk ka përgjegjësi për një amanet përderisa nuk ka qenë i pakujdesshëm, përveç nëse kurbani është obligim për t’u liruar nga zotimi që e ka bërë më përpara. Në momentin që ai e gjen kafshën, e ka detyrë që ta ther atë për kurban, edhe në qoftë se ka kaluar koha. Po kështu, nëse hajduti e shpaguan kurbanin, pronari e ka detyrë që të ther për kurban një tjetër me të njëjtat tipare si ato të parës dhe të mos i mungojë gjë.

Por nëse personi është zotuar se do të therte kurban që para se të caktohet kafsha për kurban, atëherë ai e ka detyrë që të therë një tjetër në vend të saj, në mënyrë që të lirohet nga ajo detyrë për të cilën është zotuar. Në çastin që ai e gjen kafshën e humbur, ajo është pronë e tij dhe ai mund të bëjë ç’të dojë me të. Por nëse kafsha e zëvendësuar të cilën e ka theruar, ka më shumë mangësi se e kafsha e humbur, atëherë ai e ka detyrë që të japë sadaka aq sa është dallimi midis atyre dyjave.

Dispozita e gjashtë: Nëse kurbani ngordh, atëherë ka tre raste:

Rasti i parë: Të ketë ngordhur vetvetiu, e nuk është bërë shkak njeriu, siç janë: sëmundja, epidemia dhe ndonjë veprim që mund të ketë bërë vet kafsha, kështu ajo ngordh për shkak të këtyre. Në këtë rast, pronari nuk mban përgjegjësi për këtë, përveç nëse ai është zotuar përpara se ta caktonte kafshën për kurban, sepse zotimi është amanet që ai e ka mbi supe, atëherë ai e ka detyrë që të therë një tjetër në vend të saj e cila është e vlefshme për kurban, në mënyrë që të lirohet nga zotimi.

Rasti i dytë: Nëse kafsha ngordh nga vepra e vet pronarit, ai e ka detyrë që të therë një tjetër në vend të saj me të njëjtat tipare me ato të parës apo edhe më të mirë, për arsye se ai në këtë rast është përgjegjës për këtë vepër.

Rasti i tretë: Nëse kafsha ka ngordhur nga vepra e ndonjë njeriu tjetër e jo nga vepra e pronarit të saj. Nëse nuk mund të merret dëmshpërblimi i kafshës, ta zëmë se e kanë bërë këtë vepër kusarët e rrugëve, në këtë rast kafsha ka gjykimin e asaj që ka ngordhur vetvetiu e jo si pasojë e veprës së njeriut. Ky rast trajtohet sikur rasti i parë më sipër. E nëse mund të sigurohet dëmshpërblimi, ta zëmë se e njohim personin i cili e ka therur kafshën dhe e ka ngrënë atë, ose e ka vrarë atë, e gjëra të ngjashme, atëherë ky person e ka detyrë t’i paguaj dëmshpërblimin pronarit të kafshës, në mënyrë që ai ta therë atë për kurban. Përveç në rast se pronari e fal hajdutin për këtë vepër dhe siguron një kafshë tjetër për kurban.

Dispozita e shtatë: Nëse kafsha theret para kohe, qoftë edhe me nijetin për kurban, ajo ka të njëjtin gjykim si gjykimi i kafshës së ngordhur që u përmend më lart. E nëse theret tamam në kohë, qoftë nga pronari ose ai që është ngarkuar për therje, kurbani është i vlefshëm. E nëse nuk e ther atë pronari e as ai kasapi që e ka ngarkuar pronari, atëherë kjo ka tre raste:

Rasti i parë: Ky që e ther nëse e bën nijet për pronarin e saj dhe pronari pajtohet me këtë, atëherë ajo vlen për kurban. E nëse nuk pajtohet, nuk vlen për kurban sipas mendimit më të saktë të dijetarëve dhe ky që e ka therur e ka detyrë që t’i sigurojë pronarit një kafshë të ngjashme për kurban, përveç nëse pronari e liron nga kjo përgjegjësi dhe ther një tjetër në vend të kësaj.

Disa dijetarë tjerë kanë thënë: Kjo kafshë vlen për kurban, edhe në qoftë se pronari nuk pajtohet. Ky është mendimi në medh’hebin e Ahmedit, Shafiut dhe Ebu Hanifes, Allahu i mëshiroftë të gjithë.  

Rasti i dytë: Nëse ky që e ther e bën nijet për veten e tij e jo për pronarin. Nëse kasapi e di se kjo kafshë është e tjetër kujt, nuk vlen si kurban për të e as për të tjerët. Ky e ka detyrë që t’i jap dëmshpërblimin pronarit të saj, që ai të therë një të ngjashme si ajo, përveç nëse pronari e liron atë nga kjo përgjegjësi.

Disa dijetarë tjerë kanë thënë: Kjo kafshë vlen për kurban për pronarin e saj dhe ai duhet t’i paguajë dëmshpërblim për mishin që e ka shpërndarë, edhe në qoftë se nuk e di se ajo është e tjetër kujt, kjo vlen për kurban për pronarin. E nëse ky që e ka therur e ka shpërndarë mishin e kafshës, e ka detyrë që t’ia kthej dëmshpërblimin pronarit me një kafshë të ngjashme si e para, përveç nëse pronari pajtohet me shpërndarjen që ka bërë ai që e theri atë.

Rasti i tretë: Ky që e ther të mos e bëjë nijet për asnjë njeri. Atëherë ky kurban nuk vlen për asnjë njeri për arsye se mungon nijeti.

Disa dijetarë kanë thënë: Kafsha vlen si kurban për pronarin dhe përderisa është i vlefshëm si kurban si në ndonjërin prej rasteve më lart, nëse mishi nuk është shpërndarë, atëherë pronari e merr mishin dhe e shpërndan atë; e nëse ai që e ka ther kurbanin e ka shpërndarë mishin ashtu siç shpërndahet kurbani dhe me këtë pajtohet pronari, atëherë ai që e ka therur nuk ngarkohet me ndonjë dëmshpërblim. Në të kundërtën, ia kthen pronarit atë dhe ai shpërndan ashtu si shpërndahet kurbani.

Dy dobi:

E para: Nëse kurbani ngordh para therjes, ose vidhet, ose e merr ai prej të cilit nuk mund ta kërkosh që të ta kthejë kafshën dhe pronari nuk është treguar i pakujdesshëm për ruajtjen e kurbanit, atëherë pronari nuk ka përgjegjësi për këtë. Në të kundërtën, nëse pronari tregohet i shkujdesur për ruajtjen e kafshës, atëherë ai e ka detyrë të nxjerrë sadaka për të.   

E dyta: Nëse kafsha lind të voglin e saj pasi që është caktuar për kurban, i vogli i saj merr gjykimin e nënës për të gjitha sendet që janë përmendur më lart. E nëse i vogli ka lindur para se të caktohet për kurban, ai është i ndarë nga nëna dhe nuk ka gjykimin e nënës për të qenët kurban, sepse nëna është caktuar që të jetë kurban pasi që ka lindur i vogli i saj.

 

Përktheu: Jeton Shasivari