18 Dobitë e Namazit

Autor: Ibn Kajjim el-Xheuzijje


 

[Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit]

Në librin e tij të shkëlqyer, Zadul-Me'ad, në kapitullin ku përfshihet libri et-Tibb en-Nebeui, Shajkhul-Islam Ibnul-Kajjim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë në diskutimin e tij rreth mjekimit dhe ushqimit, sipas rendit alfabetik:

 

 

- Namazi -

 

Allahu i Lartësuar ka thënë:

Dhe kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz. Vërtet kjo është diçka shumë e vështirë (për njerëzit) përveç atyre që janë të nënshtruar dhe kanë frikë (nga Ndëshkimi i Tij).[1]

 

Dhe Ai ka thënë:

O ju që besoni! Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz. Padyshim që Allahu është me durimtarët.[2]

 

Dhe Allahu i Lartësuar ka thënë:

Urdhëroje edhe familjen tënde të falin namazin dhe bëj durim në përmbushjen e tyre. Ne nuk të kërkojmë ty furnizim; (por) Ne t’i sigurojmë ato dhe fundi më i mirë është për ata që kanë tekua (të cilët i zbatojnë urdhërat e Allahut duke shpresuar Xhenetin e Tij dhe qëndrojnë larg ndalesave të Allahut duke u frikësuar nga Dënimi i Tij).[3]

 

Në librat e Sunetit është transmetuar se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem nxitonte të falte namaz sa herë që e shqetësonte ndonjë çështje. Më herët u diskutua ideja e shërimit të pjesës më të madhe të sëmundjeve me anë të namazit përpara se të kërkojmë që t’i trajtojmë ato me diçka tjetër.

 

1- Namazi është shkak për furnizimin dhe rrizkun.

2- Namazi është diçka që e ruan shëndetin.

3- Namazi të mban larg nga gjërat e dëmshme

4- Namazi të largon sëmundjet.

5- Namazi të forcon zemrën.

6- Namazi të ndriçon pamjen e fytyrës.

7- Namazi i jep kënaqësi shpirtit.

8- Namazi largon dembelizmin dhe përtacinë.

9- Namazi i bën gjymtyrët që të jenë aktivë.

10- Namazi të shton fuqinë fizike.

11- Namazi të zgjeron kraharorin (duke të dhënë çlodhje dhe mendjemprehtësi).

12- Namazi është ushqim për shpirtin

13- Namazi të ndriçon zemrën

14- Namazi ruan begatitë dhe mirësitë.

15- Namazi shmang fatkeqësitë dhe katastrofat.

16- Namazi sjell begati dhe mirësi.

17- Namazi e mban larg Shejtanin.

18- Namazi të afron tek Rrahmani (Allahu, i Gjithëmëshirëshmi).

Dhe të gjitha këto kanë një efekt mahnitës në shëndetin e trupit dhe zemrës, në forcimin e tyre dhe largimin e ndyrësirave të dëmshme për to. Nuk ka dy njerëz që janë goditur me ndofarë paaftësie, sëmundjeje, apo ndonjë fatkeqësi tjetër përveç se pjesa e atij që falet është më e vogël dhe përfundimi i tij do të jetë më i pastër.

Namazi gjithashtu ka një ndikim mahnitës tek të këqiat e kësaj dynjaje dhe në largimin e tyre, në mënyrë të veçantë kur namazi kryhet me përpikmëri dhe plotësisht, si nga ana brendshme ashtu dhe nga ana e jashtme. Asgjë nuk i largon të këqiat e kësaj dynjaje dhe nuk sjell begatitë e saj sikurse namazi.

Shkak për këtë është se namazi është lidhja që mban robi me Allahun subhanahu ue teala. Kështu, sipas fuqisë së lidhjes që mban robi me Zotin e tij subhanahu ue teala atij do t’i hapen dyert e mirësisë, do të pushojnë së rëni gjërat e këqia dhe shkaqet e tyre që e kanë goditur atë, do t’i jepet sukses nga Zoti i tij subhanahu ue teala bashkë me sigurinë, shëndetin, pasuritë e kësaj dynjaje, çlodhje, lumturi, kënaqësi dhe çdo gjë të gëzuar, të gjitha këto do t’i vijnë në mënyrën më të përshtatshme.[4]



[1] Përkthim i kuptimit të ajetit në Suren Bekare, 45.

[2] Përkthim i kuptimit të ajetit në Suren Bekare, 153.

[3] Përkthim i kuptimit të ajetit në Suren Ta-Ha, 132.

[4] Zadul-Me’ad (4/304-305) e Ibn Kajim el-Xheuzijje, Mu’assesetur-Risale, botimi 4, 1424.

Përktheu: 
Alban Malaj