Bismilah...

Autor: Imam Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

Burimi: Silsiletul-Likai Shehrij, 49

Pyetje: Një pyetëse thotë: “Shejkh i nderuar. Shpresoj nga Shkëlqesia juaj kurimin tim përmes përgjigjes së plotë për hallin tim. Ai hall është: jam një vajzë që kam qëndrueshmëri në diçka prej fesë. Unë i ruaj kohët e namazit, sunetet e rregullta – elhamduliLah – dhe përpiqem të zbatoj sunnetin e Mustafas – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ndonjëherë. Ndonjëherë zgjohem natën për të falur namaz nate. Ajo që shpesh ma thyen zemrën time është kur dëgjoj ajete të kërcënimit me Zjarr dhe ajetet e premtimit me xhenet, më sheh duke qarë ose jam gati për të qarë. Pasha Allahun, unë i dua njerëzit e fesë dhe bindjes dhe i urrej së tepërmi njerëzit e mëkateve. Nuk jam nga ato vajza të cilat e humbasin kohën duke shikuar televizor apo duke lexuar gazeta apo revista. Nuk jam e tillë assesi. Halli im është se më kaplon një ndjenjë e çuditshme në disa çaste, veçanërisht kur fal namaz apo lexoj Kuran. Ndjej se më ngushtohet gjoksi së tepërmi dhe se diçka po ma shtyp gjoksin. Shoh se shejtani më pëshpërit duke më bërë vesvese të shumta, pyetje dhe kërkime të shumta të sqarimeve që kanë të bëjnë me fenë. Ngrihem dhe kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar duke e thënë shpesh këtë, porse shejtani nuk rresht së cyturi dhe unë nuk mund ta heq qafe atë, ku disa herë më fton që ta lë adhurimin që dua ta kryej. Tani – o Shejkh i nderuar – kam shumë frikë se mos pushton shejtani dhe të më fus dyshime në fenë dhe akiden time. Andaj cila është rruga e shpëtimit nga ai? Më udhëzoni, Allahu ju dhëntë sukses në të dyja botët. Allahu na bashkoftë neve dhe juve si dhe të gjithë Muslimanët në tokën e lavdisë së Tij (xhennet).

Përgjigje: Realiteti është se këto vesvese kanë një shkak dhe kanë një ilaç. Pa dyshim se ajo është sëmundje që ka nevojë për ilaç. Kjo sëmundje ka një shkak. Shkaku i saj është se nëse shejtani shikon te një person se ka qëndrueshmëri në fenë e Allahut, përpiqet me çdo lloj metode që ta largojë atë nga rruga e Allahut. Allahu – i Madhëruar dhe i Lartësuar – ka thënë për Shejtanin:

قَالَ فَبِمَا أَغْوَيْتَنِي لَأَقْعُدَنَّ لَهُمْ صِرَاطَكَ الْمُسْتَقِيمَ ﴿١٦﴾ ثُمَّ لَآتِيَنَّهُم مِّن بَيْنِ أَيْدِيهِمْ وَمِنْ خَلْفِهِمْ وَعَنْ أَيْمَانِهِمْ وَعَن شَمَائِلِهِمْ

“(Iblisi) tha: Për shkak se ti më devijove mua (nga udhëzimi), unë do të ulem që t’ju zë pritën njerëzve nga Rruga Jote e Drejtë. Pastaj, do t’ju vij atyre para, prapa, në të djathtë, në të majtë.” El-‘Araf, 16-17

Ai është armiku yt. Ai ulet për të të devijuar nga rruga e drejtë. Ai të vjen ty nga çdo anë, pa dyshim se ai do të të shkatërrojë dhe të të prishë. Por, shejtani i vjen atij që është i qëndrueshëm në fe, qoftë nga burrat apo gratë. Kurse ai që nuk është i qëndrueshëm në fe, shejtani ka rënë rehat nga ai. Ai nuk i vjen atij kurrë.

Për këtë arsye Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem – kur iu ankuan sahabët për këtë ai tha: “A e gjeni këtë tek vetja juaj?” Ata thanë: Po, o i Dërguari i Allahut. Ai tha:

ذَاكَ صَرِيحُ الإِيمَانِ

“Ky është imani i pastër.”

I pastër nga çdo gjë, i çiltër (i sinqertë) i cili nuk përzihet me asgjë. I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem – tha: “Ai është imani i pastër.” Që do të thotë i sinqertë. Edhe pse ka vesvese, porse besimtari e largon dhe e urren atë. Nëse do të pyetej për atë që ka në zemër: A e beson atë (vesvesin)? Do të thoshte: Kërkoj mbrojtje tek Allahu (e’udhibiLah)! Unë ik prej asaj ashtu siç ik nga luani apo më shumë se kaq. Porse shejtani i bën vesvese atij. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem – ka thënë:

ذَاكَ صَرِيحُ الإِيمَانِ

“Ky është imani i pastër.”

Dhe për këtë sëmundje Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem – ka përmendur dy ilaçe. Nëse do mund të thuash një ilaç i përbërë nga dy gjëra:

(E para): I kërkon mbrojtje Allahut prej shejtanit të mallkuar.

(E dyta): Dhënia fund. Që do të thotë të largohesh plotësisht (nga vesveset). Njeriu të tregohet neglizhent (ndaj vesveseve) dhe të merret me punët e tij, adhurimet e tij dhe atëherë ato vesvese largohen.

(E para): Kërkimi i mbrojtjes nga Allahu është që të thuash – dhe ti je i varfër tek Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – duke e ditur se ai është i Vetmi dhe i Plotfuqishëm që të të mbrojë ty, thua: EudhubiLahi mine shejtani rraxhim.

E dyta: Largimi i tërësishëm. Dhënia fund. Lëre këtë, sikur të mos kishte ekzistuar fare. Atëherë, ai (shejtani) largohet prej teje.

Përmendet se Jehudët u thanë Ensarëve që i kishin përreth dhe të tjerëve: “Ne me të vërtetë nuk bëjmë vesvese në namazin tonë.” Pra, nuk zhytemi në mendime. Për këtë u pyet Ibën Mes’udi ose Ibën Abbasi: Jehudët thonë se nuk zhytemi në mendime. Ai tha: “E kanë thënë të vërtetën. Çfarë do i bëj shejtani një zemre të prishur?!”

Çfarë do i bëj? Asgjë! Nëse zemra është e prishur, ai nuk përpiqet që ta shkatërrojë atë, por nëse zemra është gjallë me përmendjen e Allahut, me bindje ndaj Allahut dhe me frikë ndaj Allahut, atëherë shejtani e sulmon atë.

Andaj, i them kësaj vajze që pyet: Allahu e bekoftë në adhurimin e punën e saj. Ajo e ka detyrë të largohet nga këto (vesvese) plotësisht dhe të hiqet sikur i ka harruar ato pasi që të ketë kërkuar mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar. Pastaj, kjo nuk e dëmton atë, sepse i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem – ka thënë:

ذَاكَ صَرِيحُ الإِيمَانِ

“Ky është imani i pastër.”

Lavdërimet i takojnë Allahut për begatitë e Tij që vesveset e tilla shqetësuese e frikësuese nuk na bëjnë dëm – lavdërimi i takon Allahut.

E lus Allahun për qëndrueshmëri për ne dhe ju.

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari

29 Dhul-K’adeh 1436 H - 13 Shtator 2015