Bismilah...

Autor: Shejkh Abdul-Aziz Ibën Baz

Burimi: binbaz.org.sa/old/28814

 

 

Pyetje: Nëse e kam falur vitrin mbas jacisë, përpara se të fle, nga frika se mos nuk çohem dot që të falem në fundin e natës, por pastaj çohem në fundin e natës dhe dua që të fal namaz nate, a lejohet kjo dhe pastaj të fal vitrin në fund, apo jo?

 

 

Përgjigje: Nëse njeriu e fal vitrin në fillimin e natës, për siguri, kjo është me vend dhe është gjë e mirë. Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – e këshilloi Ebu Derdan dhe Ebu Hurejran që ta falnin vitrin në fillimin e natës. Disa dijetarë kanë thënë se ai i këshilloi kështu sepse ata angazhoheshin me dituri në fillimin e natës, pastaj e kishin të vështirë që të çoheshin të faleshin në fundin e natës.

 

Pra, nëse njeriu e fal vitrin në fillimin e natës, pastaj Allahu ia bëri të lehtë atij që të çohet në fundin e natës, ai mund të falë aq rekate sa të mundet, pa falur rekat tek, por i mjafton vitri i parë, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka thënë:

 

لا وتران في ليلة

“Nuk ka dy vitra në një natë.”

 

Pra, ai mund të falë dy rekate ose katër rekate ose gjashtë rekate ose më shumë, pa falur një rekat në fund të natës, s’ka problem nëse vepron kështu dhe s’ka gjë të keqe. Urdhri për ta vonuar vitrin në fundin e natës ka ardhur vetëm në rast kur nuk e fal atë në fillimin e natës, nëse njeriu e ka të lehtë që ta falë atë në fundin e natës. Pra, ky njeri këshillohet që ta falë vitrin në fundin e natës, në qoftë se e ka të lehtë, sepse fundi i natës është më i mirë.

 

Kështu që, nëse Allahu ia bën të lehtë robit që ta falë vitrin në fundin e natës, kjo është gjëja më e mirë. Ama nëse ai ka frikë se nuk do të çohet dot në fundin e natës, atëherë duhet të vendosë që ta falë vitrin në fillimin e natës, e nëse Allahu ia bën rrizk që të çohet në fundin e natës, le të falë aq rekate sa e ka të lehtë, pa falur rekat tek, ashtu siç ka ardhur në Sunet nga i Dërguari – ‘alejhis-salatu ues-selam. Ka ardhur në hadith të saktë nga ‘Aishah – radijAllahu ‘anha – se Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka falur mbas vitrit dy rekate, me qëllim që t’ua bëjë të qartë njerëzve se namazi mbas vitrit është i lejuar dhe s’ka gjë të keqe në të.

 

Përktheu: Alban Malaj