Autor: ‘Abdul-Aziz ibën Baz

Burimi: https://binbaz.org.sa/fatwas/8464/السكن-مع-من-يقترف-الكباىر-كشرب-الخمر-او-غيره

 

 

Pyetje: Unë – lavdi Allahut – jam Musliman dhe i fal pesë kohët e namazit. Unë banoj me një grup personash, por disa prej tyre – Allahu i faltë – e konsumojnë alkoolin brenda në dhomë, duke e ditur se unë falem dhe ha bashkë me ta aty! A më lejohet mua që të falem dhe të ha bashkë me ta aty? Allahu jua shpërbleftë me të mira!

 

Përgjigje: Lavdia dhe falenderimi i takon Allahut që të ka bërë të qëndrueshëm në fe! Të këshilloj që të përpiqesh për t’i këshilluar ata që konsumojnë alkool dhe të lutesh për ta që të udhëzohen në rrugë të drejtë; t'i këshillosh vëllezërit e tu që të të ndihmojnë në këshillimin e tyre, në mënyrë që të pendohen nga kjo vepër e keqe dhe nga ky gjynah i madh!

Ndërsa namazi yt të cilin e fal në atë dhomë, nuk cënohet nga ato gjëra që ata bëjnë; edhe namazi nafile aty është i rregullt! Gjithashtu, ngrënia së bashku me ata, nëse bëhet me qëllim që t'i udhëzosh drejtë të mirës dhe t'i këshillosh, kjo është diçka e mirë. Por, nëse ata refuzojnë dhe pinë alkool në prezencën tënde, atëherë jo, mos u ul me ata! Mos ha me ata në të njëjtën tavolinë ku konsumohet alkooli!

Ndërsa nëse ti i këshillon, e ata nuk konsumojnë alkool në prezencën tënde, atëherë këshilloji dhe drejtoji për tek e mira, por me kusht që të mos pinë alkool në prezencën tënde! Por kur ti e di se disa prej tyre pinë alkool (në mos-prezencën tënde), kjo nuk është shkas që ti mos të ulesh me ta, t'i këshillosh dhe të hash bashkë me ta! Ti e bën këtë që Allahu t'i udhëzojë ata që pinë alkool duke e braktisur atë dhe që ata të kthehen tek e vërteta duke u bërë ti shkaktar për këtë – in sha Allah.

 

Përktheu: Servet Mata