Autor: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz

Burimi: Fataua Nurun ‘ala Derb, 12/340

 

Pyetje:

Pyetësi thotë: Unë lexoj avash në namaz, saqë imami shkon në ruku në dy rekatet e fundit (në namazet farz me nga katër rekate), apo edhe në rekatin e tretë të akshamit, para se të kem përfunduar leximin e el-Fatihasë dhe kur unë e përfundoj leximin e el-Fatihasë, imami ngrihet nga rukuja; ndoshta edhe imami ngrihet nga rukuja para se të shkoj unë në ruku, sidomos nëse falem mbrapa ndonjë imami që falet shpejt. Pyetja qëndron këtu: a të vazhdoj e të përfundoj leximin e el-Fatihasë edhe në qoftë se imami ngrihet nga rukuja, apo e kam detyrë që ta ndjek imamin edhe në qoftë se nuk arrij ta përfundoj el-Fatihanë në të gjithë namazin? Ngaqë kam dëgjuar disa nxënës dije që thonë “Pasimi i imamit është më i rëndësishëm dhe më obligativ se përfundimi i el-Fatihasë në të gjitha rekatet.” A është e vërtetë kjo?

 

Përgjigja:

Ti ke detyrë që ta pasosh imamin, edhe në qoftë se nuk e përfundon Fatihanë, për arsye se Profeti, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:

فإذا ركع فاركعوا

“Kur imami të përulet në ruku, edhe ju përuluni në ruku.” [1]

Andaj, e ke detyrë që të shkosh në ruku në të njëjtën kohë kur ai shkon në ruku; kur ai shkon në ruku, edhe ti shkon në ruku bashkë me të, edhe në qoftë se nuk e ke përfunduar el-Fatihanë. Megjithatë, kujdesu për leximin e el-Fatihasë që kur e thua tekbirin dhe pasi që je ngritur nga sexhdeja dhe qëndron në këmbë; e ke detyrë që t’i kushtosh rëndësi leximit të el-Fatihas dhe jo ta lexosh atë ngadalë duke u vonuar. E lexon atë paksa shpejt në mënyrë që ta përfundosh el-Fatihanë para shkuarjes në ruku. Po ashtu, duhet të ruhesh nga vesveset! Lexo mirë dhe qartë, elhamdulilah, edhe në qoftë se e lexon atë paksa shpejt.

Ka njerëz që e lexojnë el-Fatihanë duke u ndalur pas çdo ajeti dhe kështu vonohen. Jo kështu! Lexoje pa u ndalur dhe lexoje rrjedhshëm dhe qartë, menjëherë pasi e thua tekbirin fillestar pas leximit të lutjeve hapëse (para el-Fatihasë). Kështu vepron edhe në rekatet tjera, që prej kohës kur ngrihesh në këmbë, fillon të lexosh me shumë kujdes, e jo duke e lexuar atë ngadalë dhe me përtaci. Megjithatë, ta zëmë se imami shkon në ruku dhe të kanë mbetur disa ajete të el-Fatihasë pa i lexuar, atëherë ti i lë ato ajete dhe shkon në ruku, përveç nëse të kanë mbetur një apo dy ajete, atëherë i përfundon ato dhe shkon në ruku sepse ke mundësi që t’i lexosh dhe të shkosh në ruku.

Por, nëse ke frikë se imami do të ngrihet nga rukuja, atëherë ti shko në ruku dhe nuk ka kurrfarë problemi, elhamdulilah. Siç është rasti kur ti vjen në xhami dhe e gjen imamin në ruku, ti shkon menjëherë në ruku dhe bie obligimi i leximit të el-Fatihasë për ty. Ai që vjen me vonesë në namaz dhe e gjen imamin në ruku, edhe ai shkon në ruku dhe ky veprim është i vlefshëm, kurse bie për të obligimi i Fatihasë, siç ka ardhur një hadith i saktë nga Ebi Bekrah, radijAllahu anhu, i cili erdhi dhe e gjeti Pejgamberin në ruku, kështu edhe ai shkoi në ruku ende pa hyrë në saf, pastaj duke qenë në ruku eci avash-avash dhe iu bashkëngjit safit. Me këtë rast, Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i tha atij:

زادك الله حرصا، ولا تعد

“Allahu ta shtoftë zellin, por mos e përsërit më këtë gjë.” [2]

 

Kështu është edhe nëse xhemati nuk kanë njohuri për gjykimin e el-Fatihasë dhe nuk e lexojnë atë, ose harrojnë që ta lexojnë atë, namazin e kanë në rregull, sepse leximi i el-Fatihasë për xhematin është obligim, i cili bie nëse xhemati harron ta lexojë, ose nuk ka njohuri për gjykimin e saj, ose kur nuk mund ta kap namazin me imam kur ai është në këmbë dhe e gjen imamin në ruku. Të gjitha këto janë shkaqe të cilat e bëjnë që të bjerë obligimi i leximit të Fatihasë.

Pra, nëse një person nuk ka njohuri për gjykimin e Fatihasë, ose ka harruar që ta lexojë atë, ose kur vjen në xhami e gjen imamin në ruku, ose e gjen atë duke shkuar në ruku dhe nuk ka mundësi më që ta lexojë el-Fatihanë, atëherë bie obligimi i leximit të el-Fatihasë, elhamdulilah, dhe ky është mendimi i saktë.

Xhumhuri kanë thënë se Xhemati nuk e ka detyrë leximin e Fatihasë, kurse shumica e dijetarëve kanë thënë se është detyrë, por nëse e harron atë kur falet me imam, apo nuk ka njohuri për gjykimin e saj, ose vjen me vonesë në xhami dhe imami është veçse në ruku apo duke shkuar në ruku, atëherë bie obligimi i saj, sikurse mund të ndodh me obligimet tjera të namazit. Si për shembull: nëse harron të thotë “Subhane Rabbijel-Adhim,” ose “Subhane Rabbijel-E’ala,” ose “Rabbena ue lekel-Hamd,” apo gjëra të ngjashme, atëherë namazi i tij është i vlefshëm dhe bie obligimi i këtyre për xhematin, për arsye se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

«لعلكم تقرؤون خلف إمامكم قلنا: نعم. قال: لا تفعلوا إلا بفاتحة الكتاب؛ فإنه لا صلاة لمن لم يقرأ بها»

“Ndoshta ju lexoni mbrapa imamit tuaj.” Ne i thamë: “Po!” Ai tha: “Mos e bëni këtë, përveç leximit të el-Fatihasë, sepse nuk ka namaz ai që nuk e lexon el-Fatihanë.” [3]

Kjo tregon se Xhemati e lexojnë el-Fatihanë kur falen pas imamit dhe se kjo është detyrë për ta, por nëse dikush harron që ta lexojë ose nuk ka dije për gjykimin e saj, atëherë bie obligimi për të. Thotë Allahu i Lartësuar në Kuran:

فَاتَّقُوا اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتُمْ

“Kini frikë Allahun aq sa të mundeni.” Et-Tegabun, 16

Baza e gjithë kësaj që folëm është hadithi i Ebi Bekras, i cili kur erdhi në namaz dhe e gjeti Profetin, alejhi salatu ue selam, në ruku, Ebu Bekrah shkoi menjëherë në ruku, kurse Profeti nuk e urdhëroi më vonë që ta përsërisë atë rekat, edhe pse ai nuk e kishte lexuar Fatihanë, ngaqë ai kishte arsye për shkak se nuk mundi ta zë imamin kur ai ishte në këmbë në namaz.

 

--------------------------

[1] Bukhariu (373), Muslimi (412).

[2] Bukhariu (783),

[3] Ahmedi (22186).

 

Përktheu: Jeton Shasivari

19 Rebiul-Akhr 1443

24 Tetor 2021

Gostivar