Autor: Abdul-Aziz ibën Baz (1420 h.)

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, 16/444

 

Pyetje: 

A lejohet të agjërohet agjërim vullnetar (nafile) përpara kompensimit të ditëve të mbetura të Ramazanit, si p.sh. të agjërosh gjashtë ditët e Sheualit pastaj të kompensosh ditët e mbetura të Ramazanit? Po ashtu, a është i saktë transmetimi se Aisheja – radijAllahu ‘anha – e vononte kompensimin e Ramazanit deri në muajin Shaban? Na jepni fetva, Allahu ju shpërbleftë

 

Përgjigje:

Dijetarët kanë mospajtime për këtë çështje, kurse më e mira dhe më e qëlluara është që të fillohet me kompensimin e Ramazanit, për shkak të fjalës së Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

مَن صامَ رَمَضانَ ثُمَّ أتْبَعَهُ سِتًّا مِن شَوّالٍ، كانَ كَصِيامِ الدَّهْرِ

 “Ai që e agjëron Ramazanin pastaj ia bashkëngjit edhe gjashtë ditë të Sheualit, është sikur të ketë agjëruar tërë vitin.” [1]

Nëse ai nuk e ka agjëruar një pjesë të Ramazanit, si do t’i agjërojë gjashtë ditët e Sheualit?! Ai e ka për detyrë që së pari të mbarojë kompensimin e Ramazanit. Po ashtu edhe gruaja, e ka detyrë që të mbarojë ditët që i kanë mbetur nga Ramazani dhe pastaj t’i agjërojë ditët e Sheualit nëse ka mundësi, e nëse nuk mund t’i agjërojë ato s’ka problem – lavdërimi i takon Allahut.

Disa dijetarë kanë thënë: “Fillohet me agjërimin vullnetar, ngase koha e këtij agjërimi është e kufizuar dhe kjo kohë mund të kalojë, kurse koha e kompensimit është e gjerë, kështu që s’ka ndalesë që të fillohet me gjashtë ditët, ose me agjërimin e të hënës dhe të enjtes, ose me agjërimin e ditës së Arafatit, ose agjërimin e Ashuras, kurse koha e kompensimit të ramazanit është e gjerë.”

Ky mendim i dijetarëve në një aspekt është këndvështrim i konsiderueshëm. Por mendimi i parë është më i qartë, ngaqë obligimi (fardi) është më i rëndësishëm për arsye se njeriu mund të vdesë apo të sëmuret, kështu që ai duhet të fillojë me atë që është më e rëndësishme, e që është kompensimi; pastaj nëse Allahu ia lehtëson atë agjërim vullnetar, ai i agjëron ato ditë të agjërimit vullnetar. 

Në lidhje me lajmin e Aishes – radijAllahu anha – ai është hadith i saktë që ka ardhur në Dy Sahihat, se ajo ka thënë: “Unë kisha ditë të mbetura të Ramazanit dhe nuk kisha mundësi që t’i kompensoja ato ditë përveç se në muajin Shaban, për shkak se i shërbeja të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.” [2]

Të mos mendohet për të se ajo agjëronte agjërim vullnetar dhe e vononte fardin e Ramazanit. Përderisa ajo nuk i agjëronte ditët e mbetura të Ramazanit për shkak se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kishte nevojë për të, atëherë është ende më e arsyeshme dhe logjike që ajo të mos agjërojë agjërim vullnetar. Me një fjalë: nuk mund të argumentohesh me veprën e saj e të thuash se ajo agjëronte agjërim vullnetar; vet ajo nuk ka thënë se unë agjëroja agjërim vullnetar, përkundrazi ajo tha se i vononte ditët e mbetura të Ramazanit për të qenë në shërbim të të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

Kështu që, kjo nuk tregon se ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ia lejoi asaj këtë gjë. Jo! Përkundrazi, çështja është e qartë se ajo e vonoi Ramazanin për t’u kujdesur për nevojat e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Në këtë hadith del në pah se Aisheja – radijAllahu anha – nuk agjëronte gjashtë ditët e Sheualit kur ishte gjallë i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e as ndonjë agjërim tjetër vullnetar dhe se asaj i kishin mbetur ditë të Ramazanit për të kompensuar. Ajo që është e qartë nga hadithi është se ajo e vononte kompensimin e Ramazanit si dhe gjëra tjera përveç Ramazanit. 

 

_________________________

[1] Muslimi, (1164).

[2] Bukhariu (1950), Muslimi (1146). 

 

Përktheu: Jeton Shasivari