Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Ibën Salih el-‘Uthejmin

Burimi: el-Menhexh li-men jurid el-‘Umrah uel-Haxh, fq.26-31

 

 

Kur të jetë dita “et-Teruije”, që është dita e tetë e muajit Dhul-Hixheh, vishet ihrami për Haxhin, paradite, në vendin nga ku do bëhet nisja për Haxh. Kur vesh ihramin e haxhit vepron njësoj siç vepron kur vesh ihramin për Umre: merret gusli, parfumosesh përpara veshjes së ihramit dhe falen dy rekate. Pastaj bën nijetin me ihramin për Haxh dhe pastaj bën telbijen. Forma e telbijes në Haxh është e njëjtë me formën e telbijes në Umre, përveç se në këtë rast thua “Lebejke haxhen”, në vend që të thuash “Lebejke umrah”.

 

 

E nëse ke frikë mos të del ndonjë pengesë që të ndalon nga kryerja e Haxhit deri në fund, atëherë e kushtëzon atë duke thënë:

 

وَ إِنْ حَبَسَنِي حَابِسٌ فَمَحِلِّي حَيْثُ حَبَسْتَنِي

“Ue in habesenij haabisun, femehil-lij hajthu habestenij.”

Nëse më pengon ndonjë gjë nga plotësimi i Haxhit, unë do ta ndërpres haxhin aty ku do të më ndalosh Ti.”

Ama nëse nuk ke ndonjë frikë, atëherë nuk e kushtëzon ndërprerjen e tij.

 

Pastaj del për të shkuar në Mina dhe atje fal namazin e drekës, ikindisë, akshamit, jacisë dhe sabahut, duke i shkurtuar, por pa i bashkuar, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – i shkurtonte namazet në Mina por nuk i bashkonte. Dhe shkurtimi i namazit, siç dihet, është që namazet të cilat janë me nga katër rekate, t’i falësh me nga dy rekate secila. Namazin e shkurtojnë banorët e Mekkes dhe ata që vijnë nga jashtë saj, si në Mina ashtu edhe në Arafat dhe në Muzdelifeh, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – falej me njerëzit në Haxhin e Lamtumirës dhe bashkë me të ishin banorët e Mekkes, mirëpo ai nuk i urdhëroi ata që ta plotësonin namazin me katër rekate. E po të kishte qenë obligim për ta, ai padyshim që do t’i kishte urdhëruar ata që ta plotësonin namazin, ashtu siç i urdhëroi vitin e çlirimit të Mekkes.

 

Kur të lindë dielli, ditën e Arafatit, nisesh nga Mina drejt Arafatit dhe ndalon në vendin Nemirah, deri në mesditë – nëse ka mundësi që të qëndrosh atje, sepse qëndrimi në Nemirah është Sunet. E kur të kalojë mesdita, fal drekën me ikindinë me nga dy rekate secila dhe i bashkon, duke i falur të dyja në kohën e namazit të drekës, ashtu siç ka bërë Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, në mënyrë që të zgjaste kohën e qëndrimit atje dhe të bënte sa më shumë dua.

 

Mbas namazit angazhohesh me dhikër dhe dua, duke iu lutur Allahut – ‘Azze ue Xhel-le –; lutesh si të duash, duke ngritur duart lart, në drejtim të Kiblës, edhe nëse mali i Mëshirës është mbrapa teje, sepse Suneti është që të drejtohesh nga Kibla dhe jo nga mali. Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka qëndruar te mali dhe ka thënë:

 

عَرَفَةُ كُلُّهَا مَوْقِفٌ , وَارْفَعُوا عَنْ بَطْنِ عُرَنَةَ

“Unë qëndrova këtu, dhe i gjithë Arafati është vendqëndrim, mirëpo ju mos qëndroni në luginën ‘Uraneh.”

[E ka transmetuar Ahmedi, me numër 16309.]

 

Duaja që ka bërë më shumë Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, në atë vendqëndrim madhështor, ishte:

 

لاَ إِلَهَ إِلاَّ اللَّهُ وَحْدَهُ لاَ شَرِيكَ لَهُ لَهُ الْمُلْكُ وَلَهُ الْحَمْدُ وَهُوَ عَلَى كُلِّ شَىْءٍ قَدِيرٌ

“La ilahe il-lAllahu uahdeHu la sherike Lehu, leHul-mulku ue leHul-hamdu ue Huue `alaa kul-li shej’in Kadiir.”

“Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut të vetëm! Ai është i paortakë! Atij i përket sundimi mbi gjithçka, Atij i takojnë lavdet dhe Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka!”

 

E nëse të kaplon mërzia dhe do që të rehatohesh duke bërë muhabet me shokët, për gjëra të dobishme, ose duke lexuar libra të dobishëm, sidomos për sa i përket bujarisë së Allahut dhe dhuntive të Tij të shumta, në mënyrë që të të forcohet shpresa atë ditë, atëherë kjo është gjë e mirë. Pastaj i rikthehesh lutjes dhe duave drejtuar Allahut, si dhe përpiqesh të shfrytëzosh fundin e ditës për të bërë dua, sepse duaja më e mirë është ajo që bëhet ditën e Arafatit.

 

Kur të perëndojë dielli, nisesh për në Muzdelifeh. Me të mbërritur atje, fal akshamin dhe jacinë duke i bashkuar, përveç nëse mbërrin në Muzdelifeh përpara jacisë, atëherë e fal akshamin në kohën e tij, pastaj pret derisa të hyjë koha e jacisë dhe e fal atë në kohën e saj. Ky është mendimi im për këtë çështje. Këtë e tregon edhe fjala e dijetarëve të medh’hebit Hanbelij – Allahu i mëshiroftë –, në lidhje me kohët e namazit: falja e akshamit në kohën e tij është më e mirë, përveç në natën kur bashkohet nga ai që është me ihram, nëse ai nuk e fal dot në kohën e akshamit. E nëse e fal namazin e akshamit në kohën e perëndimit, atëherë e fal akshamin në kohën e tij dhe nuk e vonon.

 

Tha autori i veprës “Sherh el-Iknaa”:

“Nëse haxhiu arrin në kohën e akshamit, nuk duhet ta vonojë atë por duhet ta falë në kohën e tij, sepse ai nuk ka asnjë justifikim. Kanë thënë për bashkimin (e akshamit me jacinë) se akshami vonohet në Muzdelifeh. Pastaj ata shpjeguan se arsyeja është ngaqë koha e namazit të akshamit është e zënë me udhëtimin drejt Muzdelifes.”

 

Thanë Malikitë:

“Nëse haxhiu rri me prijësin dhe ecën me të, ai duhet t’i bashkojë namazet në Muzdelifeh; e nëse haxhiu nuk rri me prijësin dhe nuk ecën me të, porse rri vetëm ose vonohet nga nisja e prijësit, atëherë e fal akshamin dhe jacinë në kohët e tyre përkatëse.” Këtë e ka thënë autori në veprën “Xheuahir el-Ikliil” (vëll.1/181).

 

Ndërsa Ibën Hazmi u tregua i ashpër, saqë tha:

“Nuk quhet i kryer namazi i akshamit në atë natë, përveç nëse falet në Muzdelifeh, sepse ai duhet të falet patjetër atje, si dhe duhet të falet patjetër pas perëndimit.” Mbaroi fjala e tij.

 

Është transmetuar në Sahihun e Bukharit, nga `Abdullah Ibën Mes’udi – radijAllahu ‘anhu –:

“…se ai mbërriti në Muzdelifeh në kohën kur thirret ezani i jacisë apo afër saj, dhe urdhëroi dikë që të thërrasë ezanin dhe ikametin, pastaj fali akshamin dhe pas tij i fali dy rekate. Pastaj thirri që t’i sillnin darkën dhe hëngri. Pastaj urdhëroi dikë që të thërriste ezanin dhe ikametin, e pastaj fali jacinë dy rekate.”

Kurse në një transmetim tjetër ka ardhur:

“Pastaj fali dy namazet, secilin e fali veç e veç, me ezan dhe ikamet dhe me ngrënien e darkës ndërmjet dy namazeve.”

[E ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: “Kush ka thirrur ezanin dhe ikametin për secilin nga dy namazet”, me numër (1675).]

 

Mirëpo nëse ai ka nevojë që ta bashkojë akshamin me jacinë ngaqë është i lodhur apo ngaqë ka pak ujë apo për ndonjë arsye tjetër, atëherë s’ka problem që t’i bashkojë, edhe nëse nuk ka hyrë koha e jacisë. E nëse haxhiu ka frikë se nuk arrin dot në Muzdelife veçse mbasi që të ketë kaluar gjysma e natës, atëherë ai duhet të falet, edhe nëse nuk ka arritur akoma në Muzdelife, dhe nuk i lejohet atij që ta vonojë namazin deri sa të kalojë gjysma e natës.

 

Pastaj e kalon natën në Muzdelife. Kur të dalë agimi i qartë, fal namazin e sabahut herët, me ezan dhe me ikamet, e pastaj nisesh drejt  kodrës Mesh’ar el-Haram duke thënë “La ilahe il-lAllah” dhe duke thënë “Allahu Ekber” dhe lutesh si të duash, derisa të zbardhet mirë. E nëse nuk është e mundur që të shkojë në kodrën Mesh’ar el-Haram, bën dua në vendin ku je, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Unë qëndrova këtu, mirëpo i gjithi është vend për të qëndruar.”

[E ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Çfarë ka ardhur për Arafatin që i gjithi është vendqëndrim, me numër (1218).]

 

Kur bën dhikër dhe lutje, duhet të jesh i drejtuar nga Kibla dhe duhet të ngresh duart.

 

E kur të jetë zbardhur mirë, haxhiu duhet të niset drejt Minas, përpara se të dalë dielli. Kur të kalojë në luginën Muhassir e shpejton hapin. Pastaj kur të mbërrijë në Mina gjuan guralecët në Xhemeratin Akabeh, që është i fundit sipas radhës, pas të cilit është Mekka. Ai duhet të gjuajë në të shtatë guralecë, pa ndalur, njëri pas tjetrit. Çdo guralec është afërsisht sa bërthama e hurmës. Sa herë që gjuan një guralec duhet të thotë “Allahu Ekber”. Kur të mbarojë, ai duhet të shkojë të bëjë kurbanin, pastaj duhet të rruajë kokën, nëse është mashkull, kurse femra duhet të shkurtojë pak flokët, e jo t’i rruajë. Pastaj duhet të zbresë në Mekke, ku duhet të bëjë Tauafin dhe Sa’jin për Haxhin.

 

Suneti është që të parfumoset atëherë kur do të zbresë në Mekke për të bërë Tauafin, mbasi që ka gjuajtur guralecët dhe ka rruar kokën, sepse ‘Aishah – radijAllahu ‘anha – ka thënë:

“Unë e lyeja me parfum Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – para se të hynte në Ihram dhe mbasi që dilte nga Ihrami, përpara se të shkonte në Kabe.”

[E ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Parfumosja kur hyn në Ihram dhe çfarë duhet të veshësh, me numër (1539); edhe Muslimi në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Parfumosja e atij që do të hyjë në Ihram, me numër (1189).]

 

Pasi që të kryejë Tauafin dhe Sa’jin, ai duhet të kthehet në Mina, ku duhet të kalojë dy netë: natën e ditës së njëmbëdhjetë dhe natën e ditës së dymbëdhjetë. Gjithashtu, gjatë këtyre dy ditëve ai duhet të gjuajë guralecët në të tre Xhemaratet, atëherë kur dielli bie nga kulmi i qiellit. Më e mira është që të shkojë në këmbë për të gjuajtur guralecët, ama edhe nëse shkon me ndonjë mjet s’ka problem. Në fillim gjuan te Xhemerati i parë, që është më i largëti nga Mekka, i cili vjen pas xhamisë Khajf. Ai duhet të gjuajë shtatë guralecë, pa ndërprerje, njëri mbas tjetrit, e duhet të thotë “Allahu Ekber” për çdo guralec që gjuan. Pastaj ecën pak përpara dhe ndalon dhe bën dua të gjatë, lutet si të dojë ai. Nëse e ka të vështirë që të qëndrojë gjatë për të bërë dua, le të bëjë dua sa të mundet, qoftë edhe pak, në mënyrë që të bëjë Sunetin.

 

Pastaj gjuan Xhemeratin e mesit, me shtatë guralecë, pa ndërprerje, duke thënë “Allahu Ekber” për çdo gur që gjuan. Pastaj ecën para nga e majta dhe ndalon duke u kthyer nga Kibla, ngre duart dhe bën dua të gjatë, nëse e ka të lehtë. Përndryshe, le të bëjë dua sa të ketë mundësi, por ama mos ta lërë qëndrimin pa bërë dua aty sepse është Sunet. Shumë njerëz e lënë mbas dore këtë, ose nga injoranca ose nga neglizhenca. E sa herë që humbet Suneti, bëhet më e theksuar thirrja për zbatimin dhe përhapjen e tij mes njerëzve, që të mos harrohet e të mos vdesë ai Sunet.

 

Pastaj ai gjuan Xhemeratin Akabe, me shtatë guralecë, pa ndërprerje, duke thënë “Allahu Ekber” për çdo gur që gjuan, e pas tij nuk bën dua por largohet.

 

Kur të mbarojë gjuajtjen e guralecëve në ditën e dymbëdhjetë, po të dojë ai e shpejton largimin nga Mina, e po të dojë qëndron atje për të kaluar natën e trembëdhjetë. Pastaj gjuan guralecët në të tre Xhemeratet, mbasi që të bjerë dielli nga kulmi i qiellit, siç e përmendëm më herët. Qëndrimi deri në Mina deri ditën e trembëdhjetë është më i mirë, por nuk është obligim. Përveç nëse perëndon dielli ditën e dymbëdhjetë dhe e kap mbrëmja në Mina, në këtë rast ai e ka detyrë që ta kalojë natën në Mina, derisa të gjuajë guralecët në të tre Xhemeratet, pas mesditës. Ama nëse atë e zë perëndimi i diellit në Mina, pa dëshirën e tij, ngaqë për shembull u nis për të dalë nga Mina duke ecur apo me automjet, mirëpo u vonua rrugës për shkak të trafikut apo për shkaqe të ngjashme, në këtë rast ai nuk e ka detyrë që ta kalojë natën në Mina, sepse vonimi i tij deri pas perëndimit të diellit ndodhi pa dëshirën e tij.

 

Nëse ai do që të dalë nga Mekka për të shkuar në vendin e tij, ai nuk duhet të dalë pa bërë Tauafin e Lamtumirës, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

 

لا يَنْفِرَنَّ أحدٌ حتّى يكون آخر عَهْدِه بالبيْت

“Asnjëri nga ju mos të largohet pa kaluar kohën e tij të fundit në Kabe.”

[E ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Obligimi i kryerjes së Tauafit të Lamtumirës dhe rënia e obligimit për gratë me menstruacione, me numër (1328).]

 

Kurse në një transmetim tjetër qëndron se:

“Ai i urdhëroi njerëzit që kohën e tyre të fundit ta kalonin në Kabe, me përjashtim të grave me menstruacione, si lehtësim për to.”

[E ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Tauafi i Lamtumirës, me numër (1755); e ka transmetuar edhe Muslimi në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Obligimi i kryerjes së Tauafit të Lamtumirës dhe rënia e obligimit për gratë me menstruacione, me numër (1328).]

 

Pra, gratë me menstruacione dhe lehoni nuk e kanë obligim kryerjen e Tauafit të Lamtumirës dhe as nuk duhet të qëndrojnë përpara portës së Xhamisë së Shenjtë për t’i dhënë lamtumirën, sepse nuk është transmetuar kjo gjë nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

 

Gjëja e fundit që bën haxhiu duhet të jetë Tauafi i Lamtumirës në Kabe, nëse do të niset për udhëtim. Nuk ka problem nëse ai qëndron pasi që ka bërë Tauafin e Lamtumirës, me qëllim që të presë shokët e tij ose që të merret me bagazhet e tij ose për të blerë gjëra që i nevojiten për udhëtim. Në këtë rast ai nuk duhet ta përsërisë Tauafin e Lamtumirës, përveç nëse ka për qëllim që ta vonojë udhëtimin. Për shembull, ai do të udhëtojë në fillimin e ditës, prandaj bën Tauafin e Lamtumirës, por pastaj e shtyn udhëtimin për në fund të ditës, në këtë rast ai e ka detyrë që ta përsërisë Tauafin e Lamtumirës, në mënyrë që koha e fundit që kalon të jetë në Kabe.

 

 

 

Përktheu: Alban Malaj