Autor: Muhamed Nasiruddin el-Albani

Burimi: http://www.salafie.net/vb/showthread.php?t=4967

 

Pyetësi: Pyetja e dytë, e cila është shumë shumë emergjente për ne tani në Algjeri, e cila është: çfarë gjykimi ka hyrja e Islamikëve në parlament, në parlamentin e shtetit?

Shejkhul-Albani rahimehullah: Natyrisht, ne nuk e konsiderojmë të lejuar këtë. Madje kjo është humbje e mundit Islam në diçka që s’ka dobi, që është hyrja e tyre në parlament, ngaqë së pari, këto parlamente – siç dihet – nuk gjykojnë me ligjet që ka zbritur Allahu. Dhe së dyti, ata që hyjnë në këto parlamente – disa prej tyre – hyjnë me nijet të mirë e të drejtë. Domethënë, ata mendojnë se sipas mundësisë që kanë do ta ndryshojnë sistemin e qeverisjes, porse ata sikur kanë harruar – nëse nuk themi që harrojnë – një realitet të hidhur, i cili është: se ata që hyjnë në parlament janë të gjykuar dhe jo gjykues. E meqë çështja qenka kështu, atëherë ata s’mund të bëjnë gjë, madje ata do të jenë të detyruar që të jenë konform sistemit qeverisës edhe nëse ai bie ndesh me Islamin.

Dhe ne sot jetojmë në një problem të quajtur “Konventa Kombëtare”, e ndoshta edhe ju keni dëgjuar apo ndoshta jeni sprovuar gjithashtu me këtë që jemi sprovuar ne? Kuptimi i Konventës Kombëtare është:

njohja e çdo e feje dhe partie kufri të cilat i kundërvihen Islamit. Dhe njohja është prania e tyre në parlament. Dhe kështu do të ketë beteja fjalësh e debatesh në parlament. Çështja do të hidhet në votim dhe rrjedhimisht ajo parti që ka më shumë zëra (deputetë) do të fitojë, edhe nëse është në Batil (devijim, pavërtetësi)!

Dhe për këtë arsye nuk lejohet që t’i fusësh të rinjtë Muslimanë në parlament me qëllimin e përmirësimit të qeverisë. Përmirësimi i qeverisë s’bëhet nëpërmjet kësaj rruge të shpikur. Ajo që në themel është e bidat ngase ju e dini që sistemi parlamentar ngrihet mbi themelet e zgjedhjeve dhe zgjedhjet po ashtu përfshijnë burrat dhe gratë. Dhe prej këtu fillon kotësia e këtij sistemi dhe kundërshtimi i tij ndaj Islamit.

Pastaj, sistemi zgjedhor përfshin të mirin dhe të ligun dhe s’ka ndryshim midis të mirit dhe ligut, çdonjëri nga ata të dy ka të drejtën e kandidimit në zgjedhje! Pastaj, tek këto kategori s’ka ndryshim midis të diturit dhe injorantit, kurse Islami nuk do që në kuvendin e parlamentit, që është “Mexhlis esh-Shuura”, të jenë njerëz të tjerë përveç elitës së popullit Musliman, me dije, me devotshmëri dhe me burrëri, e jo gra!

Pra, bëhet e qartë shkelja që në hapin e parë në temën e parlamentit, i cili bazohet mbi zgjedhjet që u shkojnë për shtat qafirave – sistemit qafir – dhe nuk i përshtatet sistemit Islamik.

Dhe në saj të kësaj, është obligim që Muslimanët të vazhdojnë të merren me dijen e dobishme dhe me veprat e mira dhe t’i edukojnë vetet e tyre dhe popujt e tyre me këtë pastrim dhe edukim (et-Tesfijeh uet-Terbijeh) dhe të qëndrojnë larg këtyre parlamenteve të Xhahilijetit.

Pyetësi: Ta plotësojmë pyetjen o Shejkhu ynë... thonë se ky koalicon i fuqishëm Islamik i cili realizoi fitoren në zgjedhjet vendore shpreson që të realizojë - in shaa`Allah – të njëjtën fitore në zgjedhjet parlamentare. Kjo është ajo të cilës po i mëshojnë tani. Prandaj ne duam nga Shejkhu ynë gjithashtu që të na sqarojë ndarjen midis kësaj dhe asaj, derisa atyre t’u bëhet i qarta haku – in shaa`Allah.

Shejkhu: ...fjala e mëparëshme është përgjigje për një çështje të tillë. Domethënë, sistemi nuk është sistem Islamik. Dhe kjo aleancë Islamike, nëse është e saktë që të shprehem kështu, që të gjithë ato xhemate Islamike dhe grupacione Islamike do të përfshihen nën këtë sistem i cili konsiderohet sistem jo-Islamik. Dhe tek kjo pikë s’besoj të ketë kundërshtim tek të gjithë. Nëse çështja është ashtu, atëherë a fillon përmirësimi me këtë rrugë, me rrugën e përfshirjes në një ligj i cili qartazi fare duket që kundërshton ligjin Islam, me qëllimin e përmirësimit të kësaj qeverie?!

A kështu është rruga e përmirësimit? Apo rruga e përmirësimit fillon me hedhjen e themeleve dhe nuk është gjëja kryesore hyrja në parlament?! Ne kemi parë në historinë e kohës së sotme shumë prej xhemateve Islamike, qofshin në Siri apo këtu apo në Egjipt: hynë në parlament dhe nuk mundën të bënin gjë! Arriti puna këtu tek ne në Siri deri në atë pikë saqë njëri nga xhematet islamike u bë ministër i informacionit, diçka e tillë, s’më kujtohet mirë. E rëndësishme, ai ushtroi autoritetin apo e detyroi radion që të mos lejonte asnjë nga kënduesit e Kur’anit që të lexonin ajetet në të cilat qortoheshin Kristianët.

 

Video në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Alban Malaj