Bismilah...

Emrat e këtij namazi:

Salat ed-Duha (Namazi i Paradites), Salatul-Euabijn (Namazi i atyre që kthehen) dhe Salatul-Ishrak (Namazi pas Lindjes së Diellit) janë emra të ndryshëm për të njëjtin namaz.

Ai është quajtur “Namazi i atyre që kthehen” sepse ai që falet shkëputet nga gjithçka dhe kthehet e përqëndrohet në bindjen ndaj Allahut dhe adhurimin e Tij, në një kohë kur një pjesë e njerëzve janë të preokupuar me punët e tyre kurse një pjesë tjetër pushojnë. [Teudihul-Ahkam, 2/445, e përshtatur.]

Koha e tij:

Kur dielli është aty afër gjatësisë sa një shtizë mbi horizont dhe vazhdon derisa dielli të arrijë pikën e tij kulmore. [Teshijl el-Ilmam, 2/391]

Shejkh Ibn ‘Uthejmin ka thënë, sikurse gjendet edhe në Mexhmu’ul-Fetaua (14/306, n. 875):

“Koha e Namazit të Duhasë është që kur Dielli të jetë ngritur në gjatësinë e një shtize, d.m.th. çerek apo tri çerek ore pasi të ketë dalë; deri para zeualit (mesit të ditës, kur dielli të ketë arritur në pikën e tij kulmore) dhe deri para zeualit do të thotë midis dhjetë apo pesë minutave (para zeualit)...”

Ebu Derda (radijAllahu anhu) ka transmetuar se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë se Allahu ka thënë:

“O Biri i Ademit, fali për Mua katër rekate në fillimin e ditës...”

[Transmetuar nga Tirmidhiu, n. 475 dhe është shpallur sahih nga Shejkhul-Albani.]

Në një hadith tjetër: “...derisa të dalë dielli dhe pastaj ai fal dy rekate.” [Pjesë e një hadithi të transmetuar nga Tirmidhiu, n. 586 dhe i shpallur hasen nga Shejkhul-Albani.]

Ky hadith bën fjalë për dy rekatet e Duhasë.

Koha më e mirë për të falur Namazin e Duhasë është kur Dielli të jetë shumë i nxehtë.

Zejd Ibn Erkam pa disa njerëz duke falur namazin e Duhasë. Ai tha: “Mos ata nuk janë në dijeni se është më mirë që ai të falet në një tjetër kohë. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Namazi i pendimtarit duhet të falet (në kohën) kur deveja e shkëputur nga qumështi ta ndiejë nxehtësinë e Diellit.” [Transmetuar nga Muslimi, n. 748.]

Urtësia e këtij Namazi:

Është lejuar namazi nafile në këtë kohë për shkak se është një interval i gjatë kohor midis namazit të Sabahut dhe namazit të Drekës. Kështu që ky pengon që të ketë një boshllëk kaq të madh pa asnjë namaz, pasi të mos falurit gjatë kësaj kohe mund t’i shkaktojë njeriut humbjen e vëmendjes duke mos e përkujtuar Allahun. [Teshijl el-Ilmam, 2/391] Dhe Allahu e di më së miri.

Një kuptim i Gabuar:

Ibn Haxher përmend në Fet’hul-Bari (3/71) el-Hafidh el-‘Irakin i cili thotë: “Është bërë e famshme mes njerëzve se kushdo që fal namazin e Duhasë dhe pastaj nuk e fal më atë do të verbohet. Kështu, shumë njerëz e kanë braktisur fare. Ajo çfarë kanë thënë ata është krejtësisht e pabazë. Por, duket sikur shejtani e ka vendosur këtë në gjuhët e njerëzve të thjeshtë për t’i larguar ata nga kjo sasi e madhe mirësie.”

Vlera e tij:

Ka shumë hadithe që theksojnë vlerën e këtij namazi. Na mjafton që të përmendim këtu:

Ebu Dherri ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Në mëngjes duhet sadaka për çdo nyje të trupit tënd. Çdo tesbih (të thuash SubhanAllah) është sadaka. Çdo tahmid (të thuash Elhamdulilah) është sadaka. Çdo tahlil (të thuash La ilahe il-lAllah) është sadaka. Çdo tekbir (të thuash Allahu Ekber) është sadaka. Urdhërimi për të mirë është sadaka. Ndalimi i të keqes është sadaka dhe falja e dy rekateve të Duhasë mjafton për të gjitha.” [Transmetuar nga Muslimi, n. 720]

Ebu Hurejra ka transmetuar:

“Miku im i dashur (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) më këshilloi që të bëja tri gjëra dhe unë s’do t’i lë kurrë ato derisa të vdes: të agjëroj tri ditë në çdo muaj, të fal Duhanë dhe të fal Vitrin para se të fle.” [Transmetuar nga Bukhari, n. 1178]

Ebu Hurejra ka transmetuar gjithashtu se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Askush nuk është i qëndrueshëm me Namazin e Duhasë përveç se pendimtari.” Ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ai është Namazi i Pendimtarit.” [Transmetuar nga Hakimi në Mustedrak (1/314) i cili ka deklaruar se është sahih. Albani e ka deklaruar hasen në Silsiletul-Ehadithus-Sahiha, n. 1994.]

Namazi i Shpikur (Bidat):

“Ky hadith është një refuzim kundër atyre njerëzve që thonë ai se bën fjalë për gjashtë rekatet që falin ata pas Akshamit si Namazin e Pendimtarit. Ta quash atë me këtë emër nuk ka asnjë bazë dhe ky namaz në vetvete nuk ka asnjë argument (në tekstet e sakta).” [Sahih et-Tergijb uet-Terhijb, 1/423]

Shejkh ynë, Mukbil bin Hadij el-Uadi’i ka thënë gjithashtu në Ixhabetus-Sa’il (fq. 77) se nuk ka argumente të sakta për këtë namaz.

Namazi i Duhasë gjendet në Kur'an:

Ibn ‘Abbasi u pyet për namazin e Duhasë dhe ai u përgjigj:

“Ai gjendet në Librin e Allahut...” pastaj ai recitoi:

بُيُوتٍ أَذِنَ اللَّـهُ أَن تُرْفَعَ وَيُذْكَرَ فِيهَا اسْمُهُ يُسَبِّحُ لَهُ فِيهَا بِالْغُدُوِّ وَالْآصَالِ ﴿٣٦﴾

“Në shtëpitë që Allahu ka urdhëruar të ngrihen; në të cilët përmendet Emri i Tij me madhërim në mëngjes, pasdite dhe në mbrëmje.” En-Nur, 36

[Transmetoi Ibn Ebi Shejbe, n. 7872, me një zinxhir të saktë transmetimi.]

Gjykimi i tij:

Është mustehab (e pëlqyeshme) që të kryhet namazi i Duhasë. Imam Neueui i ka vënë titullin një kapitulli në Sahihun e Muslimit: ‘Pëlqyeshmëria për kryerjen e namazit të Duhasë.’

Hadithet që flasin për namazin e Duhasë arrijnë gradën muteuatir (që janë transmetuar nga një numër kaq i madh transmetuesish saqë është krejtësisht e pamundur që ata të jenë pajtuar me njëri-tjetrin për t’i shpikur ato.) [Sidik Hasen Khan, er-Raudetun-Nadije, 1/316]

Neueui ka thënë në Sherhul-Muslim (5/237): “Shumica e dijetarëve e konsiderojnë namazin e Duhasë mustehab (të pëlqyeshëm).” Në Mexhmu’u Sherhul-Muhedheb (4/43) thuhet: “Ai është qëndrimi që mbajnë shumica e Selefëve.”

Sidoqoftë, ka mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje. [Zadul-Me’ad, 2/330-348;Fet’hul-Bari, 3/68; dhe Nejlul-Eutar, 5/211-212]:

Ai është mustehab dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

Nuk lejohet të falet ky namaz pa arsye, pasi janë argumentuar që Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk e ka falur atë veçse kur ka patur ndonjë arsye.

Nuk është aspak mustehab (i pëlqyeshëm).

Është mustehab (i pëlqyeshëm) nëse falet në shtëpi.

Është mustehab që ky namaz të falet me raste.

Ai është bidat.

Mospajtimi në mendime del si rezultat i disa haditheve të saktë të cilët nga pamja e jashtme mohojnë ekzistencën e namazit të Duhasë, kurse hadithe të tjerë tregojnë se ai është kryer për ndonjë arsye dhe ka hadithe të sakta që e pohojnë këtë.

Duhet të kuptohet një parim i rëndësishëm që është: pohimi ka përparësi mbi mohimin. [Teshijl el-Ilmam, 2/391]

Pikat e mëposhtme i ka nxjerrë Ibn Khuzejme në Sahihun e tij (2/231), të përshtatura:

Kur Ibn ‘Umeri tha se Pejgamberi nuk e ka falur namazin e Duhasë përveç kur ai kthehej nga ndonjë udhëtim, ka patur për qëllim: “Unë nuk e kam parë atë të falej dhe mua nuk më ka njoftuar për këtë ndonjë transmetues i besueshëm...” E njëjta gjë është edhe me transmetimin e A’ishes. [A’ishah u pyet: “A e kryente i Dërguari namazin e Duhasë?” Ajo u përgjigj: “Jo, përveç se kur kthehej nga ndonjë udhëtim.” Transmetuar nga Muslimi, n. 717] Argumenti për ta mbështetur këtë lloj shpjegimi është se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ka falur namazin e Duhasë në raste kur ai nuk ishte kthyer nga ndonjë udhëtim.

Një këndështrim tjetër:

Nuk mund të përfytyrohet dot që A’ishah, Nëna e Besimtarëve, të kryente vazhdimisht një formë ibadeti (adhurimi) që nuk ishte bërë i lejuar.

A’ishah ka thënë:

“I Dërguari e linte ndonjë vepër edhe pse ai donte që ta kryente atë, nga frika se mos njerëzit e punonin atë dhe kështu u bëhej e detyrueshme. Unë nuk e kam parë kurrë Pejgamberin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të falte namazin e Duhasë, por unë e fal atë.” [Transmetuar nga Bukhari, n. 1128 dhe Muslimi, n. 718]

Disa nga njerëzit e dijes kanë shpjeguar se kjo do të thotë që A’ishah vetën nuk e ka parë kurrë Pejgamberin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të falte këtë namaz, por ajo ishte njoftuar për të nga Sahabët e tjerë. [Fet’hul-Bari, 3/69-70, Teshijl el-Ilmam, 2/396]

Një këndvështrim tjetër:

Nëse del ndonjë kundërshtim midis thënies së Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe një veprimi të tij, atëherë i jepet përparësi thënies së tij. [Shiko Teshijl el-Ilmam, 2/ 393]

Hadithet në të cilat Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i inkurajoi njerëzit që të falin namazin e Duhasë u përmendën më përpara.

Numri i Rekateve:

Imam Neueui i ka vënë titullin një kapitulli në Sahihun e Muslimit: ‘Pëlqyeshmëria e kryerjes së namazit të Duhasë. Numri më i vogël i rekateve të tij është dy, kurse maksimumi është tetë; dhe midis tyre ka katër apo gjashtë rekate.

Dy rekate:

Ebu Dherri ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Në mëngjes duhet sadaka për çdo nyje të trupit tënd. Çdo tesbih (të thuash SubhanAllah) është sadaka. Çdo tahmid (të thuash Elhamdulilah) është sadaka. Çdo tahlil (të thuash La ilahe il-lAllah) është sadaka. Çdo tekbir (të thuash Allahu Ekber) është sadaka. Urdhërimi për të mirë është sadka. Ndalimi i të keqes është sadaka dhe falja e dy rekateve të Duhasë mjafton për të gjitha.” [Transmetuar nga Muslimi, n. 720]

Katër rekate:

Ebu Derda (radijAllahu anhu) ka transmetuar se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë se Allahu ka thënë:

“O Biri i Ademit, fali për Mua katër rekate në fillimin e ditës...”

[Transmetuar nga Tirmidhiu, n. 475 dhe është shpallur sahih nga Shejkhul-Albani.]

Gjashtë rekate:

Enes Ibn Malik ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e falte Duhanë me gjashtë rekate.” [Transmetuar nga Tirmidhiu, Mukhtesir esh-Shema’il (fq. 156) dhe është deklaruar sahih (sahih ligajrihi) nga Shejkhul-Albani për shkak të transmetimeve të tjera që e mbështesin.]

Tetë rekate:

Umm Hani ka transmetuar: “...pastaj Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) fali tetë rekate të Duhasë.” [Transmetuar nga Bukhari, n. 1176 dhe Muslimi, n. 336]

Kur A’ishah u pyet për numrin e rekateve që falte Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për namazin e Duhasë, ajo u përgjigj:

“Ai falte katër rekate dhe ndonjëherë kur dëshironte falte më shumë, aq sa dëshironte Allahu.” [Transmetuar nga Muslimi, n. 719]

“Ky transmetim i A’ishes duhet të kuptohet duke marrë parasysh edhe hadithet e mëparëshme.” [Bughja el-Muteteui fij es-Salatut-Tetewu’, fq. 86]

Veçanërisht kur është transmetuar se A’ishah, transmetuesja e këtij hadithi, e falte Duhanë me tetë rekate... [Transmetuar nga Maliku në el-Muwetta (1/153) dhe është sahih. Shiko Ma Sahha min Ether es-Sahabe fil-Fik’h (1/432).]

“Kurse falja e këtyre rekateve në çift është për shkak të hadithit: ‘Namazet e natës dhe të ditës janë çift.’ [Sahih Sunen Ibn Maxheh (1/221)]”

[Shiko Bughja el-Muteteui fij es-Salatut-Tetewu’, fq. 86]

Allahu është Dhënësi i suksesit; çdo gjë që është e saktë është prej Allahut; kurse çdo gjë që është e pasaktë është prej meje dhe prej Shejtanit.” [1].

Fundnota:

[1] ‘Abdullah Ibn Mes’udi ka thënë: “...nëse ajo është e saktë, atëherë është prej Allahut; dhe nëse është e pasaktë, atëherë është prej meje dhe prej Shejtanit.” [Transmetuar nga Ibn ebi Shejbe në el-Musannef, n. 17286 dhe është deklaruar sahihnga Ibnul-Kajjim në I’lamul-Muuaki’in.]

Përktheu: Alban Malaj