Autor: Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani

Burimi: Silsiletul-Ehadithi es-Sahihah (1/543)


“Vërtet, Umeti është ndarë në sekte e medh’hebe të cilat nuk egzistonin në brezat e parë të Muslimanëve. Çdo medh’heb ka bazat e tij (usuul), degëzimet e tij (furuu’) dhe hadithet e tij të cilat i përdor si argument dhe në të cilat mbështetet. Dhe personi që ndjek vetëm një medh’heb tregohet fanatik ndaj tij dhe kapet fort pas çdo gjëje që përmban medh’hebi i tij pa marrë në konsideratë medh’hebet e tjera dhe pa i parë ato; ndoshta ai mund të gjejë në to hadithe të cilat nuk i ka gjetur në medh’hebin që e ndjek verbërisht. Dhe është e konfirmuar mes dijetarëve se çdo medh’heb ka diçka nga Suneti si dhe hadithe të cilat nuk i kanë medh’hebet e tjera. Kështu që, një njeri që kapet fort vetëm pas një medh’hebi ka për të devijuar. Dhe nuk ka dyshim se një pjesë e madhe e Sunetit është e ruajtur tek medh’hebet e tjera. Dhe Ehlul-Hadithi nuk janë në këtë gjendje. Ata marrin çdo hadith që ka zinxhirin e transmetimit të saktësuar nga çdo medh’heb dhe nga çdo sekt prej nga mund të vijë hadithi, për sa kohë që transmetuesi i tij është Musliman i besueshëm.

Pra, Ehlul-Hadithi – Allahu na bashkoftë me ta – nuk kanë aleancë fanatike për një individ të caktuar, sado i lartë e i shquar që të jetë ai, përveç Muhamedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), ndryshe nga ata që nuk kapen pas hadithit dhe nuk veprojnë sipas tij. Kështu, ata tregojnë fanatizëm për fjalët e Imamëve të tyre – ndonëse ata janë ndaluar nga kjo gjë – ashtu sikurse Ehlul-Hadithi kanë fanatizëm për fjalët e Pejgamberit të tyre (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem)!! [1] Andaj nuk është e çuditshme pas këtij shpjegimi që Ehlul-Hadithi janë Grupi i Qartë dhe Pala e Shpëtuar. Më saktë, ata janë mesatarët e Umetit dhe dëshmitarë për njerëzimin.”

Fundnota:

[1] Shënim i përkthyesit: Shejkhul-Islam Ibn Tejmije (rahimehullah) ka thënë: “Nuk i lejohet askujt që të vendosë për Umetin një person dhe të thërrasë për tek rruga e tij duke treguar besnikëri dhe armiqësi për hir të asaj rruge në vend të rrugës së të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

Dhe nuk lejohet që t’u vendosësh atyre fjalë, të tregosh besnikëri dhe armiqësi për hir të asaj në vend të fjalës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe asaj ku është bashkuar i gjithë Umeti.

Por kjo është ajo që bëjnë njerëzit e bidatit të cilët vendosin për vetet e tyre një person apo disa fjalë dhe me to e përçajnë Umetin duke treguar besnikëri dhe armiqësi për hir të atij personi apo të atyre fjalëve apo atij cilësimi.” [Mexhmu’ul-Fetaua, vëll.20/fq.124]

Përktheu: Alban Malaj