Autor: Shejkh Ahmed es-Subej’i
Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=138157
Pyetje: Si të bëjmë bashkimin midis fjalës së Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -: “Xhihadi më i mirë është thënia e fjalës së vërtetë tek udhëheqësi tiran”, dhe këshillimit të udhëheqësit në fshehtësi e me butësi? Ka nderin dhe është i falenderuar Shejkh Ahmed es-Subej’i:
Përgjigje: Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, lavdërimi dhe bekimi qoftë mbi të Dërguarin e Allahut dhe mbi Familjen e tij.
Ky hadith, së pari, ka ardhur me disa fraza, prej të cilave: nga hadithi i Xhabirit, tek Hakimi etj., i cili ka shumë mundësi që të jetë hasen. Thotë Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -:
سَيِّدُ الشُّهَدَاءِ حَمْزَة وَرَجُلٌ قَامَ إِلَى إِمَامِِ جَائِرِِ فَأَمَرَهُ وَنَهَاهُ فَقَتَلَهُ
“Zotëria i shehidëve është Hamzah, si dhe burri që shkoi tek prijësi tiran dhe e urdhëron atë (për të mira) dhe e ndalon (nga të këqijat), kurse ai e vret.”
Kurse në frazën tjetër, e cila ishte në pyetje, thotë Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):
أَفْضَلُ الْجِهَادِ كَلِمَةُ حَقِِ (وفى لفظ: كلمةُ عَدْلِِ)عِنْدَ سُلْطَانٍ جَائِر
“Xhihadi më i mirë është fjala e vërtetë – [kurse në një transmetim tjetër: “fjala e drejtë”] – tek udhëheqësi tiran.” Dhe kjo ka ardhur në hadithin e Xhabirit dhe Ebu Se’ijd el-Khudrij. Ka ardhur edhe nga Zuhriu transmetim mursel, nga Ebij Umameh dhe nga Sahabë të tjerë të Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, dhe ai është hadith sahih.
Dhe ky hadith që ka ardhur nga Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - në të vërtetë është prej argumenteve të Ehli-Sunetit dhe Xhematit, se këshilla për udhëheqësin duhet të bëhet në fshehtësi. Ky hadith është prej argumenteve të Ehli-Sunetit dhe Xhematit që këshilla për udhëheqësin duhet të bëhet në fshehtësi. Dhe argumenti që përmban ky hadith për këtë kuptim është nga dy aspekte, domethënë argumenti i tij që tregon se këshilla për udhëheqësin duhet të bëhet në fshehtësi, është nga dy aspekte:
Aspekti i parë: sepse në frazën e hadithit, ai - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - tha, "tek udhëheqësi tiran", jo duke qenë larg tij por duke qenë tek ai, dhe kjo është e qartë se këshilla duhet të jepet duke qenë tek ai e jo duke qenë larg tij.
Dhe ky hadith – me keqardhje shumë të madhe – dhe kjo frazë e hadithit fisnik pejgamberik, e cila është vërtetuar se e ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue Aalihi ue sel-lem - dhe është obligim që hadithi të kuptohet nëpërmjet kësaj frazë, nëpërmjet fjalës së Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, sepse ulematë kanë ixhma që ai është ruajtësi i burimeve të teksteve, domethënë fjalëve pejgamberike, prandaj hadithet duhet të kuptohet nëpërmjet tij. Dhe këtë frazë të qartë “tek udhëheqësi tiran” e shpërfillën xhematet islamike politike, përgjatë dekadave të tëra, dhe gati-gati këtë hadith e dëgjon vetëm në kontekstin e nxitjes kundër udhëheqësve. Pra, ata e shpërfillën plotësisht këtë frazë.
Kurse aspekti i dytë që tregon se ky hadith përputhet me hadithet e tjera që tregojnë se udhëheqësi apo emiri këshillohen në fshehtësi, është po tek ky hadith, se Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - urdhëroi dhe inkurajoi dhe nxiti që të këshillohet udhëheqësi tiran kur merret vesh se ai bën shkelje dhe zullum, dhe nëse këshillohet për këtë zullum ka gjasa ai e refuzon dhe e vret këshilluesin. Pra, Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - e nxit këshilluesin për shpërblimin që ka tek Allahu dhe për të arritur dobinë e përgjithshme për Muslimanët. Prandaj tha Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - “...dhe e urdhëron atë (për të mira) dhe e ndalon (nga të këqijat), kurse ai e vret.” Pra, nëse aty do të lejohej që të ruhej gjaku i Muslimanit duke e këshilluar udhëheqësin pa qenë në prezencën e tij, Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - nuk do ta kishte lejuar që Muslimani t’i ekspozohej të keqes, duke rrezikuar gjakun e tij dhe duke iu ekspozuar vrasjes, nëse do të kishte qenë e lejuar që ai ta këshillonte sipas rrugës që e duan njerëzit e bidatit.
Pra, ky hadith është një nga hadithet e bukura të cilat theksojnë në parimin themelor për ata që reflektojnë mbi të, larg emocioneve dhe shfrytëzimit të këtyre xhemateve. Unë them se ai që reflekton në fjalën e të Dërguarit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - do të shikojë se ai përputhet me hadithet e tjera që tregojnë se këshilla duhet të jetë e fshehtë.
Të mjafton fraza e parë, që zotëria i shehidëve është Hamzah. Përse është përmendur kjo? Është përmendur në mënyrë që ta nxisë që të këshillojë dhe që të hyjë në kuptimin e zotërisë së shehidëve. Ka shehidllëk në rrugë të Allahut, dhe Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - e jep gjykimin e shehidllëkut për atë që shkon te udhëheqësi dhe e urdhëron (për të mira) dhe e ndalon (nga të këqijat) dhe e sqaron atë - sikurse ka ardhur në hadithe – në mënyrë që të arrijë këshillën e kërkuar nga Umeti. Dhe këtu është mirë që të nënvizoj disa përfitime:
Përfitimi i parë: se ky hadith të tregon që Ehli-Suneti dhe Xhemati nuk i miratojnë të këqijat që i bëjnë udhëheqësit dhe që kundërshtojnë Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -. Pra, ata nuk i miratojnë të këqijat, mirëpo në ndryshimin dhe përmirësimin e të këqijave ata ndjekin rrugën që ua ka ligjëruar Allahu - Tebarake ue Te’ala -.
Gjithashtu, prej përfitimeve që lidhen me këtë hadith dhe me hadithet e tjera, në realitet, duhet të dihet – dhe unë besoj se kjo çështje është tejet e rëndësishme – se kjo është prej çështjeve të Sunetit dhe bazave të Sunetit dhe udhëzimit të Ehli-Sunetit, është prej çështjeve për të cilat ata kanë ixhma dhe që janë përcjellë në librat e përmbledhur apo të zgjeruar të Ehli-Sunetit, sikurse edhe e përmendën edhe dijetarët e nderuar.
Në Sunet nuk ka ixhtihad. Çështjet e Sunetit nuk i nënshtrohen hulumtimit sikurse çështjet e tjera, sikurse çështjet e tjera ilmije, siç janë dispozitat e Fik`hut etj..
Dhe këto katastrofa të mëdha që po i shohim sot, në të vërtetë ato vijnë si rezultat i shtrembërimit të Sunetit nga ana e atyre që pretendojnë Sunetin, nga ndjekësit e xhemateve. Ndonjëri prej tyre zhbiron nëpër broshura apo libra, mbasi që ka marrë vendimin se refuzimi i udhëheqësit në ndonjë vend tjetër është çështje e lejuar. Shikon se ai kërkon e kërkon, dhe nëse gjen ndonjë gjurmë apo diçka që tregon se ka ndodhur kjo gjë (që kërkon ai), atëherë thotë: “Kjo tregon për lejimin e kësaj gjëje.” Kjo nuk është rruga e njerëzve të dijes dhe njerëzve të Sunetit. Sunetet nuk nxirren me këtë metodë, ato nuk i nënshtrohen hulumtimit me këtë mënyrë. S’mund të hapet derë për nxjerrjen e suneteve të reja.
Po ashtu, prej gjërave që të trishtojnë - dhe unë besoj se kjo është një çështje të cilën duhet ta përmendim gjithsesi -, është fakti që disa student këtu tek ne, në Kuvajt, pretendojnë se Ehli-Suneti ka dy fjalë për sa i përket refuzimit haptazi apo fshehurazi të udhëheqësve. Ata pretendojnë se Ehli-Suneti ka dy fjalë në këtë çështje. Në rregull - i kërkoj falje Allahut - o ti që do të luash me fenë tënde, luaj me fenë tënde dhe me veten tënde, por ama mos iu qas Sunetit sepse ka njerëz që të marrin në llogari, qoftë edhe me gjak ata do ta mbrojnë Sunetin e Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -. Prandaj them se ky njeri argumentohet për rrugën që ndjek me çfarë? Argumentohet se Shejkh ‘Abdul-‘Azijz, Imami dhe prindi ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz - rahimehullah - ndonjëherë shfaqet si? Shfaqet duke këshilluar udhëheqësat dhe thotë: “Udhëheqësat e kanë detyrë që të gjykojnë mes robërve të Allahut me Sheriatin e Allahut.” Pra, këto janë fjalë të Imamit - Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për të - tregojnë se janë këshillim që kanë diçka, kështu ai i merr ato si argument që Ehli-Suneti çfarë? Që Ehli-Suneti ka dy fjalë (në lidhje me këshillimin e udhëheqësve haptazi). Dhe tani që po flas unë e kam inçizimin me zërin e tij. Prandaj ne i themi si përgjigje këtij mendjelehti, dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet për një njeri të tillë, i cili i qaset Sunetit dhe e deformon atë me epshin e tij. Pra, ne i themi atij:
Së pari, kush të ka paraprirë ty tek kjo fjalë.
E dyta, Shejkh Ibën Bazi - rahimehullah - në të vërtetë ka pohuar vetëm një medh`heb, i cili është medh`hebi i Ehli-Sunetit, që këshillimi të jetë në fshehtësi, andaj a e kundërshton vepra e tij fjalën e tij!!
E treta, Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz - rahimehullah - parimisht është prej udhëheqësve në Saudi, siç e di këtë ai që është afër dhe ai që është larg.
E katërta, duket që fjalët e Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz - rahimehullah - janë fjalë të përgjithshme, si rikujtim dhe këshillë e përgjithshme, e nuk janë në aspektin e kritikimit.
Po ashtu, fjalët që janë përcjellë nga Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz në të tilla raste konsiderohen këshillim dhe qartësim.
Po ashtu, ai do që t’i shtyjë njerëzit, nëse ata kanë ndonjë gjë apo nëse kanë këshilla apo urdhërim apo ndalim, Shejkh ‘Abdul-‘Azijz (Ibën Baz) i mëson ata që të shkojnë tek dijetarët, tek dijetarët e mëdhenj, që t’ua përcjellin atyre. Dhe këtu qëndron zbatimi praktik i medh`hebit të Ehli-Sunetit.
Po ashtu, nëse shikon me vëmendje te fjalët e Shejkh ‘Abdul-‘Azijz (Ibën Bazit) - rahimehullah - të cilat marrin këtë kahje, nuk do të gjesh në to kuptimin e kritikimit publik ndaj udhëheqësve, të cilin Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa - e ka ndaluar, përkundrazi, në fjalët e tij ka përmirësim të mendimit të Muslimanëve për udhëheqësit e tyre, dhe pastaj udhëheqësit - in shaa Allah - do të bëjnë këtë e këtë, pra, këtu përmbushet dhe përforcohet kuptimi i fjalës udhëheqës.
Pastaj vjen ky njeri dhe thotë se Ehli-Suneti ka dy fjalë (rreth kritikimit të udhëheqësve), dhe fillon të kërkojë dyshime si kjo. Prandaj unë them se ky hadith madhështor është prej argumenteve të qarta të Ehli-Sunetit dhe Xhematit se këshilla për udhëheqësin duhet të bëhet me sinqeritet për Fytyrën e Allahut - Tebarake ue Te’ala -, siç u tha më përpara nga dijetarët, kur u përmend fjala e Usames i cili tha: “A po mendoni se unë kritikoj vetëm që të më shikoni ju?”
Qëllimi yt duhet të jetë dobia e përgjithshme e Muslimanëve apo qëllimi yt duhet të jetë ndonjë gjë tjetër?
Shikon se ndonjëri prej tyre nxjerr një kasetë të tërë në kritikimin e udhëheqësit publikisht dhe nxit kundër tij, pastaj nëse i jepet mundësia që të takohet me të nxiton të shkojë tek ai! Përse nxitove që të takohesh me udhëheqësin, ndërkohë që ti fillimisht e refuzove atë në publik, para njerëzve?!!
Po ashtu, prej dobive që duhet të mësohen është se këshilla për udhëheqësin nuk është thjesht një ibadet i prerë që duhet të bëhet patjetër ashtu siç është, në mënyrë absolute, jo jo! Këshilla për udhëheqësin është sikurse urdhërimi i të mirës dhe ndalimi i të keqes, ashtu siç këshillon ti vëllain tënd Musliman. A mendon ti se çdo Musliman që ka gabime duhet të shpejtosh që ta këshillosh? Apo së pari duhet të analizosh çështjen derisa të shikosh cila është rruga më e mirë nga mund t’i afrohesh atij, çfarë fjale do t’i thuash atij që t’i bësh dobi? E nëse e shikon se ai nuk i përgjigjet këshillës, atëherë mos e këshillo.
Pra, qëllimi është se këshillimi i udhëheqësit nuk është thjesht një formalitet, vjen njeriu e hedh një fjalë dhe pastaj ikën!! Jo, kjo duhet të jetë në varësi të dobisë që arrihet. E jo të shkojë tek udhëheqësi i kollarisur, me kostum dhe me kërkesa, punë apo gjëra që i dinë të gjithë që ai s’mund t’i bëjë dot, pastaj i thotë: “Gjyko mes nesh me Librin e Allahut dhe me Sunetin e Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - tani!”
Ti o njeri që e këshillove atë, a mund të gjykosh me Sheriat në këtë mënyrë në shtëpinë tënde apo në veten tënde?
Kështu që, kjo çështje nuk i nënshtrohet pazarllëqeve, qëllimi i këshillës është shtimi i të mirës dhe pakësimi i të keqes, ky është qëllimi i saj. Nëse mendon kështu dhe shikon se ka më shumë dobi, atëherë jepet këshilla.
Shpresoj se me këtë u plotësua përgjigja ime. Dhe Allahu e di më së miri.
Përktheu: Alban Malaj