Bismilah...

Autor: Shejkh Muhammed Nasirud–Din el–Albanij

Vijon hadithi tjetër, i cili po ashtu është me zinxhir transmetimi të saktë, i transmetuar nga Ebij Hurejrah – radijAllahu ‘anhu –, nga Pejgamberi – sal–lAllahu 'alejhi ue sel–lem –, se ai ka thënë:

لَا يَنْبَغِي لِذِي الْوَجْهَيْنِ أَنْ يَكُونَ أَمِينًا.

“Nuk duhet t’i zihet besë atij që është me dy fytyra.”

Dihet se ai që ka dy fytyra është njeriu që shkon tek këta me një fytyrë dhe shkon tek ata të tjerët me një fytyrë tjetër, pra ai bën hipokrizi dhe lajkatim dhe ai është ashtu siç i thonë: si uji që merr ngjyrën e çdo ene, sepse ai është me këta në batilin (të pavërtetën) dhe devijimin e tyre, shfaqet sikur është me këta, si dhe është me ata të tjerët në udhëzimin dhe mirësinë e tyre, kështu që ti nuk e di a është me të vërtetë me këta apo është me ata të tjerët. Ky është njeriu me dy fytyra. Thotë i Dërguari – sal–lAllahu 'alejhi ue sel–lem – se nuk bën që ai të jetë i besuar tek njerëzit. Dhe i besuari këtu është me kuptimin e gjerë, që nuk duhet të jetë i besuar për moralin e njerëzve, nuk duhet të jetë i besuar për pasuritë e njerëzve, e mbi të gjitha ai nuk duhet të jetë i besuar për akijden dhe fenë e tyre, sepse ai nuk ka fe dhe as moral, ngaqë ai takohet me çdo popull me atë gjë që i kënaq ata, dhe ky është kuptimi i tij, ai është munafiku. Dhe munafiku është ai që vjen te Muslimanët dhe u thotë atyre: “Me të vërtetë unë jam me ju.” Dhe kur munafikët kthehen tek shokët e tyre, ata thonë: “Në të vërtetë ne veçse u tallëm me ata.”

Kështu që, kur i Dërguari – sal–lAllahu 'alejhi ue sel–lem – thotë “(لَا يَنْبَغِي) la jenbegij – nuk duhet”, kuptimi i saj është “la jexhuzu – nuk lejohet”, dhe kuptimi i “la jexhuzu” do të thotë “jahrumu – është e ndaluar”.

وَمَا يَنْبَغِي لِلرَّحْمَنِ أَنْ يَتَّخِذَ وَلَدًا

“Nuk i takon assesi të Gjithëmëshirshmit që të ketë fëmijë.” [Merjem, 92]

Pra, fjala “ma jenbegij – nuk i takon” e para, nuk është me atë kuptim që u shkon menjëherë në mendje disa njerëzve, porse fjala “la jenbegij” do të thotë ndalim mëse i rreptë. Pra, këtu: “la jenbegij li–dhil–uexh–hejni en–jekune emijnan – nuk duhet t’i zihet besë atij që është me dy fytyra” do të thotë: është e ndaluar dhe nuk lejohet (që t’i zihet besë atij).

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj