Bismilah...

Autor: Shejkh Abdul-Muhsin el-Abbad

Burimi: Sherhu Suneni Ebi Daud, kaseta 545, min. 29:50

 

 

 – 4791  حَدَّثَنَا مُسَدَّدٌ، حَدَّثَنَا سُفْيَانُ، عَنِ ابْنِ الْمُنْكَدِرِ، عَنْ عُرْوَةَ، عَنْ عَائِشَةَ، قَالَتْ: اسْتَأْذَنَ رَجُلٌ عَلَى النَّبِيِّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، فَقَالَ: «بِئْسَ ابْنُ الْعَشِيرَةِ»، أَوْ «بِئْسَ رَجُلُ الْعَشِيرَةِ»، ثُمَّ قَالَ: «ائْذَنُوا لَهُ» فَلَمَّا دَخَلَ أَلَانَ لَهُ الْقَوْلَ، فَقَالَتْ عَائِشَةُ: يَا رَسُولَ اللَّهِ، أَلَنْتَ لَهُ الْقَوْلَ وَقَدْ قُلْتَ لَهُ مَا قُلْتَ، قَالَ: «إِنَّ شَرَّ النَّاسِ عِنْدَ اللَّهِ مَنْزِلَةً يَوْمَ الْقِيَامَةِ مَنْ وَدَعَهُ، أَوْ تَرَكَهُ، النَّاسُ لِاتِّقَاءِ فُحْشِهِ»

 

4791 – Na ka treguar Musedded, na ka treguar Sufjan nga Ibën el-Munkedir, nga ‘Urueh, nga Aisheja – Allahu qoftë i kënaqur me të – se ka thënë: Një njeri kërkoi leje (për të hyrë) te Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ai tha:

“Sa njeri i keq i fisit të tij që është ai!” apo “Sa burrë i keq i fisit të tij që është ai!” Pastaj, tha: “Lejojeni të hyjë.” Kur ai hyri, (Pejgamberi – ‘alejhi salatu ue selam) i foli butë. Kështu që, Aisheja i tha: “O i Dërguari i Allahut! I fole me butësi dhe ti the atë që the për të.” Ai tha: “Pa dyshim se njeriu me pozitën më të keqe tek Allahu, Ditën e Gjykimit, është ai të cilin e lënë apo e braktisin njerëzit, me qëllim që t’i shmangen ligësisë së tij në fjalë, ose vepra.”

 

Shpjegimi i Shejkh Abbadit:

Pastaj, Ebu Daudi transmeton hadithin e Aishes – radijAllahu ‘anha – se një njeri kërkoi leje (për të hyrë) te Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe kur ai dëgjoi se kush ishte, tha: “Sa njeri i keq i fisit të tij që është ai!”  Në këtë fjalë ka qortim për të.

Kur ai hyri, (Pejgamberi – alejhi salatu ue selam) i foli butë atij. Kur ai doli, Aisheja i tha: “O i Dërguari i Allahut! Për filanin the kështu e kështu, pastaj i fole butë.” Që do të thotë se, nuk doli diçka prej tij që të përputhet me fjalën e parë që e tha për të, por ai i foli butë (kur ai hyri). Kështu që, ai – alejhi salatu ue selam – i tha: 

 

 “Pa dyshim se njeriu me pozitën më të keqe tek Allahu, Ditën e Gjykimit, është ai të cilin e lënë apo e braktisin njerëzit, me qëllim që t’i shmangen ligësisë së tij në fjalë, ose vepra.”

 

Pra, e braktisin njerëzit për ta shmangur ligësinë e tij në fjalë dhe vepra, apo për t’i ikur sherrit të tij. Si puna e atij që është gojëlig, i sulmon njerëzit, dhe si rrjedhojë e kësaj, njerëzit duan ta heqin qafe dhe të mos përplasen me të, sepse ai i dëmton ata dhe është i dhënë që t’ju bëjë dëm njerëzve. Kështu që, njerëzit i flasin butë për ta shmangur sherrin e tij. Pra, në vend që të ndodhë nga ana e tyre diçka që ta shtyjë atë ta zgjasë gjuhën kundër tyre, t’i dëmtojë, të flasë fjalë të këqija për ta, ata i flasin butë me qëllim që ta shmangin sherrin e tij. Ngase kjo është gjë që kërkohet, që njerëzit të shpëtojnë prej tij.  

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari