Bismilah...

Autor: Shejkh Abdu-Rrahman bin Nasir bin Abdullah es-S’adij

Burimi: Behxhetu el-Kulubi el-Ebraar, botimi i dytë, Mektebetu Dar el-Minhaxh, fq. 109

 

Hadithi i 30

 

عَنْ أَبِي مُوسَى الْأَشْعَرِيِّ رضي الله عنه قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم: « إِذَا مَرِضَ الْعَبْدُ أَوْ سَافَرَ، كُتِبَ لَهُ مِثْلُ مَا كَانَ يَعْمَلُ مُقِيمًا صَحِيحًا » رواه البخاري

Transmeton Ebu Musa el-Esh’arij – Allahu qoftë i kënaqur me të – se ka thënë: ka thënë i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të:

“Nëse robi sëmuret apo udhëton, do t’i shkruhet (shpërblimi) njësoj sikur atëherë që punonte kur ishte i shëndoshë dhe vendas.”

Transmeton Bukhariu (2834).

 

Kjo është nga mirësitë më të mëdha të Allahut ndaj robërve të Tij besimtarë; që veprat e tyre të vazhdueshme e të zakonshme, të gjitha ato t’u shkruhen të plota, nëse sëmundja ose udhëtimi i ndalojnë nga këto vepra. Sepse Allahu e di për ata që, nëse nuk do të ishte ajo pengesë, ata do t’i kishin bërë ato vepra. Kështu, i Lartësuari u jep atyre në bazë të nijetit të tyre njësoj sikurse shpërblimi i atyre që punojnë, duke ia bashkangjitur asaj edhe shpërblimin e sëmundjes specifike, bashkë me shpërblimin për durimin që ai ka marr përsipër; apo ajo që është akoma më e plotë se këto: pajtimi (me caktimin e Allahut, sh.p.) dhe falenderimi (ndaj Allahut), bashkë me nënshtrimin ndaj Allahut dhe dorëzimin para Tij, si dhe bashkë me veprat që bën udhëtari. Ndoshta ato vepra nuk i bën kur është në vendin e tij, siç është: mësimdhënia, ose këshilla, ose udhëzimi për ndonjë dobi të fesë apo dunjasë, sidomos në lidhje me udhëtimet e mirësisë, siç janë: Xhihadi, Haxhi, Umreja dhe të ngjashme si këto.

 

Te ky hadith përfshihet: ai që bën një adhurim të mangët, duke qenë se ai nuk ka mundësi ta bëjë atë në formë të plotë, kështu që Allahu ia vlerëson këtë adhurim si të plotë, sipas nijetit që do t’i bënte ato vepra, nëse do të kishte mundësi. Ngase pamundësia për t’i kryer adhurimet në formë të plotë, është një lloj sëmundjeje. Allahu e di më së miri.

 

Ai që ka nijet të bëjë një vepër të mirë, porse është angazhuar me një vepër tjetër që është më e mirë dhe nuk mund t’i bëjë të dyja bashkë njëkohësisht, atëherë ai është më parësori që t’i shkruhet kjo vepër e mirë, të cilën e ndaloi atë një vepër më e mirë, madje edhe sikur të angazhohej me një vepër të njëjtë si ajo. Mirësia e Allahut të Lartësuar është e madhe.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari