Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

 

 

Ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:

فَوَالَّذِي لَا إِلَهَ غَيْرُهُ إِنَّ أَحَدَكُمْ لَيَعْمَلُ بِعَمَلِ أَهْلِ الْجَنَّةِ حَتَّى مَا يَكُونُ بَيْنَهُ وَبَيْنَهَا إِلَّا ذِرَاعٌ، فَيَسْبِقُ عَلَيْهِ الْكِتَابُ، فَيَعْمَلُ بِعَمَلِ أَهْلِ النَّارِ،

“...pasha Atë që nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, vërtetë që ndonjëri prej jush do të bëjë vepra të banorëve të Xhenetit, derisa të mos ngelet mes tij dhe Xhenetit vetëm se një parakrah (të jetë shumë afër vdekjes), pastaj i paraprin atij Kaderi (i cili është shkruar për të) dhe kështu ai bën vepra të banorëve të zjarrit...” [Sahihu i Buharit, 3208]

 

 

Mirëpo, lajmi i mirë o vëllezër është se, ky hadith është i kushtëzuar (nga një hadith tjetër që thotë):

إِنَّ الرَّجُلَ لَيَعْمَلُ بِعَمَلِ أَهْلِ الْجَنَّةِ، فِيمَا يَبْدُو لِلنَّاسِ، وَإِنَّهُ مِنْ أَهْلِ النَّارِ

“Një njeri bën vepra të banorëve të Xhenetit, me aq sa duket para njerëzve se është i tillë, kurse ai do të jetë prej banorëve të zjarrit...” [Sahihu i Buharit, 4207]

 

Ndërsa, ai i cili bën vepra të banorëve të Xhenetit me gjithë zemër dhe me sinqeritet, atëherë Allahu i Lartësuar nuk e poshtëron atë. Allahu e nderon robin e Tij. Nëse ti bën vepra të banorëve të Xhenetit me sinqeritet – e lus Allahun që të na bëjë neve dhe juve prej atyre –, Allahu i Lartësuar nuk të poshtëron ty.

 

Ajo që kihet për qëllim në këtë hadith, janë veprat me të cilat duket i tillë në sy të njerëzve. Argument për këtë është ajo që është vërtetuar në Sahihun e Buharit.

Një njeri mori pjesë me Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në një betejë. Ai ishte trim dhe sypatrembur në luftë; nuk kishte njeri që t’i dilte përballë përveç se ai e mundte atë. Kështu që, njerëzit u çuditën dhe u mahnitën nga trimëria dhe guximi i tij.

Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – tha një ditë për atë person: “Ai është prej banorëve të zjarrit.”

Allahu na ruajtë! Ky trim që shpartallonte armikun është prej banorëve të zjarrit?! Kjo ishte shumë e çuditshme për Muslimanët, dhe ata u frikësuan për veten e tyre. Si ka mundësi që ky njeri të jetë prej banorëve të zjarrit!

Atëherë një person tha: “Pasha Allahun, unë do t’i vihem pas atij dhe do ta shikoj si do të jetë përfundimi i këtij njeriu.” Kështu ai e ndoqi atë. Gjatë luftës, këtë trimin e goditi një shigjetë, porse ai nuk u tregua i durueshëm me atë që e kishte gjetur. Kështu, ai e nxori shpatën, e vendosi në gjoks dhe u lëshua sipër saj derisa shpata i doli mbrapa shpine. Allahu na ruajtë! Ai bëri vetëvrasje nga padurimi.

Pastaj, ky person që e ndoqi atë, erdhi tek i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Allahut.”

Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – i tha (i habitur): “Përse, çfarë ka ngjarë?!”

Ai tha:Për atë personin që the se është prej banorëve të zjarrit, i ndodhi kështu e kështu.

Atëherë, Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – tha: “Vërtetë njeriu bën vepra të banorëve të Xhenetit, me aq sa duket para njerëzve se është i tillë – elhamdulilah për këtë kushtëzim të Pejgamberit ku thotë –: “...me aq sa duket para njerëzve se është i tillë, kurse ai është prej banorëve të zjarrit.”

 

Pra, njerëzit mendojnë për të se ai është njeri i mirë, mirëpo ai e ka zemrën e prishur  dhe ai është prej banorëve të zjarrit.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Altin Dallashi