Autor: Ahmed bin Umer bin Ibrahim el-Kurtubij (656 h.)
Burimi: el-Mufhim lima Eshkele min Telkhis Kitabil Muslim, vëll. 7, fq. 125
Pejgamberi – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të – ka thënë:
وَاللَّهِ مَا الدُّنْيَا فِي الآخِرَةِ إِلاَّ مِثْلُ مَا يَجْعَلُ أَحَدُكُمْ إِصْبَعَهُ هَذِهِ فِي الْيَمِّ فَلْيَنْظُرْ بِمَ يَرْجِعُ
“Pasha Allahun, dunjaja në krahasim me ahiretin është sikur shembulli i ndonjërit prej jush që e fut gishtin (tregues) në det, le të shikojë sa ujë do t’i mbetet në gisht!” Muslimi, 2858
Shpjegimi i Kurtubiut – Allahu e mëshiroftë:
“Ky është një shembull për pavlefshmërinë e dunjasë dhe varfërinë e saj, dhe kjo është e ngjashme me Fjalën e Tij, të Lartësuarit:
قُلْ مَتَاعُ الدُّنْيَا قَلِيلٌ
“Thuaj: kënaqësia e kësaj bote është e pakët (e shkurtër).” En-Nisa, 77
Që do të thotë: çdo gjë me të cilën kënaqesh në këtë botë që nga fillimi e deri në fund është e pakët, sepse dunjaja nuk është e përhershme dhe nuk gjen rehati në të. Kjo është kur e krahason dunjanë me veten e saj.
Kurse në krahasim me ahiretin, dunjaja nuk ka asnjëfarë vlerë dhe asnjëfarë shëmbëllimi me ahiretin. Ky është qëllimi i këtij hadithi me këtë shembull, ku ai – alejhis-salatu ues-selam – ka thënë:
فَلْيَنْظُرْ بِمَ يَرْجِعُ
“Le të shikojë se sa ujë do t’i mbetet në gisht.”
Pra, aspekti i këtij shëmbëllimi është se sasia e ujit të detit që ngjitet në gisht, nuk ka asnjëfarë vlere dhe është shumë e pakët. Kështu është dunjaja në krahasim me ahiretin.”
Përktheu: Jeton Shasivari