Autor: Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbaad el-Bedër

Burimi: Sherh Kitab es-Sunneh min Sunen el-Imam Ibën Maxheh, fq.282-283

 

 

[Hadithi numër 61]

Ka thënë Xhundub Ibën ‘AbdIlah – radijAllahu anhu –:

كنا مع النبي ونحن فتيان حزاورة، فتعلمنا الإيمان قبل أن نتعلم القرآن، ثم تعلمنا القرآن فازددنا به إيمانا.

“Kemi qenë me Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kur ishim akoma djelmosha, akoma pa arritur moshën e pjekurisë, dhe e mësuam Imanin përpara se të mësonim Kur’anin. Pastaj e mësuam Kur’anin dhe me të na u shtua Imani.” [1]

 

Dihet që ata hynë në Iman dhe në Islam dhe ata e dinin se çfarë detyrash kishin, kurse Kur’ani zbriste pjesërisht dhe nuk zbriti njëherësh tërësisht, porse zbriti për njëzetë e tre vjet. E sa herë që zbriste Kur’ani, ata e merrnin dhe me të u shtohej imani që kishin, siç ka thënë Allahu – ‘Azze ue Xhel-le –:

وَإِذَا مَا أُنْزِلَتْ سُورَةٌ فَمِنْهُمْ مَنْ يَقُولُ أَيُّكُمْ زَادَتْهُ هَذِهِ إِيمَانًا فَأَمَّا الَّذِينَ آمَنُوا فَزَادَتْهُمْ إِيمَانًا

“Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi në besimin e tyre) thonë: “Kujt prej jush ia shtoi Imanin kjo sure?” Për sa u përket besimtarëve, (ajo sure) ua shton atyre Imanin.” [et-Teubeh, 124]

 

Domethënë, sa herë që zbriste diçka prej Kur’anit, ata e merrnin dhe punonin me të, dhe kjo e shtonte Imanin e tyre, sepse ata kishin hyrë tashmë në Iman dhe ishin bërë ithtarë të Imanit (mu’minin) dhe e dinin se çfarë kishin detyrë që të besonin, njësoj siç e dinin që Imani është: “Të besosh në Allahun, Melaiket e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e Gjykimit, si dhe të besosh në Kaderin dhe se e mira dhe e keqja vjen nga Ai.” [2]

 

Për këtë arsye, ‘AbdUllah Ibën Mes’ud – radijAllahu anhu thotë – thotë:

كنا إذا تعلمنا عشر آيات من القرآن، لم نتجاوزهن حتى نتعلم معانيهنَّ والعمل بهنّ، فتعلمنا القرآن والعلم والعمل.

“Ne, kur i mësonim dhjetë ajete nga Kur’ani, nuk i kalonim ato pa mësuar kuptimet e tyre dhe pa punuar me to. Kështu, ne e mësuam Kur’anin bashkë me dijen dhe veprimin me të.” [3]

 

Pra, me zbritjen e Kur’anit, kur ata e merrnin dhe e mësonin atë gradualisht, Imani i tyre shtohej dhe forcohej, sepse në të vinin detyrime, urdhëresa dhe ndalesa, dhe ata zbatonin urdhëresat dhe largoheshin nga gjërat e ndaluara, dhe kështu shtohej dhe forcohej Imani i tyre dhe u shtohej bindja.

 

Gjithashtu, këtu ka argument që Imani shtohet dhe pakësohet; ai shtohet me vepra të mira dhe pakësohet me gjynahe.

 

Fundnotat:

[1] Hadith sahih: E ka transmetuar Taberani në librin e tij “el-Kebir” (vëll.2/fq.165, hadithi numër 1678) dhe Bejhakiu në librin e tij “es-Sunen el-Kubra”, me numër (5292). Hadithin e ka shpallur Albani sahih në librin e tij “Sahih Ibën Maxheh”, me numër (52).

[2] Hadith sahih: E ka transmetuar Muslimi (vëll.1/fq.8), nga ‘Umer Ibnul-Khattab – radijAllahu ‘anhu –.

[3] Shiko: “Mukaddimetu Usuul et-Tefsiir” i Ibën Tejmijes (fq.9). E ka transmetuar Hakimi (1/743, n.2047), Bejhakiu në “es-Sunen el-Kubra” (3/170, n.5289): nga ‘AbdUllahi – radijAllahu ‘anhu –, i cili ka thënë: “Ne, kur i mësonim nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhjetë ajete të Kur’anit, nuk i mësonim dhjetë ajetet e tjera që zbrisnin mbas tyre, derisa të mësonim çfarë përmbanin ato.” I thanë Sherikut: “Veprat që përmbanin ato?” Ai tha: “Po.”

 

Përktheu: Alban Malaj