Autor: Muhamed Ibën Salih el-‘Uthejmin
Burimi: Sherh Rijad es-Salihin, vëll.3/fq.270-273
Është transmetuar nga Ebij Bekrah – radijAllahu ‘anhu – se ai ka thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – të thotë:
مَنْ أَهَانَ السُّلْطَانَ أَهَانَهُ اللهُ
“Kush e poshtëron udhëheqësin, do të poshtërohet nga Allahu.”
(Transmeton Tirmidhiu, Hadith Hasen)
Komentimi i dijetarit të madh,
Muhamed Ibën Salih el-‘Uthejmin – rahimehUllah –:
Poshtërimi i udhëheqësit ka disa forma, prej të cilave:
Që njeriu të tallet me urdhrat e udhëheqësit. Nëse udhëheqësi urdhëron diçka, ai thotë: “Shikoni çfarë po thotë!”
Nëse udhëheqësi bën diçka me të cilën s’pajtohet ky njeri, ai thotë: “Shikoni, shikoni çfarë ka bërë!” duke dashur kështu që ta përçmojë çështjen e udhëheqësit te njerëzit. Sepse nëse ai e përçmon çështjen e udhëheqësit te njerëzit, ata do ta përbuzin atë dhe nuk do ta zbatojnë urdhrin e tij dhe nuk do të largohen nga ajo gjë që i ka ndaluar ai. Për këtë arsye, ai që e poshtëron udhëheqësin duke përhapur të metat e tij mes njerëzve, duke e qortuar, duke e sharë dhe duke e kritikuar publikisht, rrezikon që të bie mbi të poshtërimi i Allahut – ‘Azze ue Xhel-le. Sepse nëse ai e poshtëron udhëheqësin për këto çështje, njerëzit do të rebelohen dhe nuk do t’i binden atij, e kështu që kjo që bëri ai do të jetë sebep i sherrit. E nëse Allahu e poshtëron atë në dunja, atëherë ai e ka marrë dënimin e tij, ama nëse nuk e poshtëron në dunja, atëherë ai meriton që të poshtërohet në Ahiret, Allahu na ruajttë! Sepse fjala e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është hak:
مَنْ أَهَانَ السُّلْطَانَ أَهَانَهُ اللهُ
“Kush e poshtëron udhëheqësin, do të poshtërohet nga Allahu.”
Dhe kush e ndihmon udhëheqësin, do të ndihmohet nga Allahu, sepse ai e ndihmoi atë në mirësi e bamirësi. Nëse i sqaron njerëzit se çfarë detyrash kanë ata ndaj udhëheqësit, dhe i ndihmon ata që t’i binden atij, me përjashtim të atyre gjërave që janë haram, atëherë kjo është një mirësi e madhe, është ndihmesë në bamirësi, devotshmëri dhe mirësi.
Lusim Allahun për vetet tona dhe për ju, që të na ruajë nga çdo gjë që e zemëron Atë dhe të na japë sukses në çdo gjë që Ai e do dhe kënaqet me të.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Alban Malaj