Autor: AbduRrahman ibën Nasir es-S’adij

Burimi: Behxhetul Kulubil Ebrar, fq, 44-45

 

 

Transmetohet nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur me të – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

مَنْ دَعَا إِلَى هُدًى كَانَ لَهُ مِنَ الأَجْرِ مِثْلُ أُجُورِ مَنْ تَبِعَهُ لاَ يَنْقُصُ ذَلِكَ مِنْ أُجُورِهِمْ شَيْئًا وَمَنْ دَعَا إِلَى ضَلاَلَةٍ كَانَ عَلَيْهِ مِنَ الإِثْمِ مِثْلُ آثَامِ مَنْ تَبِعَهُ لاَ يَنْقُصُ ذَلِكَ مِنْ آثَامِهِمْ شَيْئًا

“Kush thërret për në udhëzim ai do të marrë shpërblim si shpërblimi i atyre që e pasojnë atë pa iu pakësuar atyre shpërblimi aspak, dhe kush thërret për në devijim ai do të ketë gjynah sikurse gjynahet e atyre që e pasojnë atë pa iu pakësuar nga gjynahet e tyre aspak.”  [Transmeton Muslimi, 2674]

 

 

Shpjegimi i Shejkh S’adit:

Ky hadith e të ngjashmit me të nxisin për të thirrur në udhëzim dhe mirësi, tregojnë vlerën e thirrësit, si dhe paralajmërojnë nga thirrja për në devijim e lajthitje si dhe tregojnë për krimin e thirrësit të devijimit dhe dënimin e tij. Udhëzimi është dija e dobishme dhe vepra e mirë.

·   Pra, çdokush që i mëson dikujt diçka prej diturisë, apo i orienton nxënësit që të marrin rrugën nëpërmjet të cilës përvetësojnë diturinë, ai është thirrës për në udhëzim.

·   Kushdo që thërret për në vepra të mira, në lidhje me të drejtën e Allahut, apo me të drejtat e përgjithshme apo të veçanta të krijesave, ai është thirrës për në udhëzim.

·   Kushdo që jep një këshillë fetare apo dunjaje me anë të cilës arrihet dobia fetare, atëherë ai është thirrës për në udhëzim.

·   Kushdo që udhëzohet në dijen dhe punën e tij, dhe e pasojnë të tjerët, ai është thirrës për në udhëzim.

·   Kushdo që i paraprin dikujt në ndonjë vepër të mirë, apo në një projekt me dobi të përgjithshme, ai gjithashtu përfshihet në këtë tekst.

 

Në kundërshtim me të gjitha këto është thirrësi në devijim.

 

Pra, thirrësit për në udhëzim janë Imamët e të devotshmëve dhe besimtarët e zgjedhur.

Ndërsa thirrësit për në devijim janë Imamët që thërrasin për në Zjarr.

Secili që ndihmon dikë në punë të mira dhe në devotshmëri ai është prej thirrësve të udhëzimit, dhe secili që e ndihmon dikë në gjynahe dhe armiqësi ai është prej thirrësve të devijimit.

 

Përktheu: Muhamed Kallashi