Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij

Burimi: http://www.rabee.net/

 

 

 

E Drejta e Allahut mbi robërit e Tij:

 

Nga Mu’adh Ibn Xhebeli – radij-Allahu ‘anhu – i cili ka thënë:

“Isha duke ecur me gomar pas të Dërguarit të Allahut dhe ai më tha: “A e di se kush është e drejta e Allahut mbi robërit e Tij dhe e drejta që ka robi tek Allahu?”

Unë thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.”

Ai tha: “E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është se ata duhet ta adhurojnë Atë të vetëm dhe të mos i shoqërojnë Atij asgjë (në adhurim); dhe e drejta që kanë robërit tek Allahu është që Ai të mos dënojë asnjërin nga ata që nuk i bëjnë Atij shok në adhurim.”

Unë thashë: “O i Dërguari i Allahut, a t’i lajmëroj njerëzit.”

Ai tha: “Mos i lajmëro ngase ata do të mbështeten (vetëm) tek kjo.” [1]

 

 

Transmetuesi i Hadithit:

Ai është Mu’adh bin Xhebel bin ‘Amr bin Eus el-Ensari el-Khazrexhi, Ebu ‘Abdur-Rrahman. Ai është një Sahab i famshëm i cili ka marrë pjesë në betejën e Bedrit dhe në betejat e tjera që u zhvilluan më pas. Ai ka qenë nga njerëzit më të dalluar për dijen dhe gjykimet e Kur'anit. Vdiq në vitin 18 Hixhri në Sham, gjatë kohës kur kishte plasur Epidemia e Murtajës së Emuas.

 

Kuptimi i Hadithit:

Në këtë hadith i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka shpjeguar qëllimin për të cilin Allahu i krijoi krijesat, që është veçimi i Allahut në adhurim dhe sinqeriteti ndaj Tij. Me të vërtetë, kjo është një e drejtë madhështore që duhet t’i jepet vetëm Allahut, Krijuesit të Gjithëfuqishëm, Dhuruesit dhe Mëshiruesit. Po ashtu, i Dërguari fisnik – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – shpjegoi shpërblimin që do të meritojnë robërit nga Allahu nëse ata e kryejnë këtë obligim madhështor, se Allahu do t’i ruajë ata nga dënimi i Zjarrit dhe do t’i pranojë në kopshtet e begata të Xhenetit.

 

Besimtari lumturohet dhe gëzohet nga kjo gjë, prandaj edhe Mu’adhi kërkoi leje nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – duke thënë: “A t’i lajmëroj njerëzit?” Megjithatë, i Dërguari e ndaloi atë që të mos i lajmëronte pasi kjo është në dobi të Umetit të tij dhe nga dashuria që kishte ai për ata, që të punonin vepra të mira dhe ato gjëra që i afrojnë tek Allahu. Në këtë mënyrë ata do të garojnë me njëri-tjetrin se kush do të punojë më shumë nga këto vepra për të arritur një gradë të lartë tek Allahu, në sajë të zellit, përpjekjeve dhe konkurrencës që kanë mes veti.

 

Në rast të kundërt, nëse ata heqin dorë nga veprat e mira dhe nuk mbështeten tek ky premtim, atëherë ata kanë për të humbur shumë mirësi dhe një shpërblim të madh.

 

Dobitë që nxjerrim nga Hadithi:

Urtësia e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në mësimdhënie, ngase ai filloi të jepte mësim me anë të pyetjes në mënyrë që ai të ngulitej në mendje dhe të kuptohej më së miri nga ai që po mësonte.

Hadithi tregon për modestinë, përulësinë e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe sjelljet e tij të shkëlqyera, pasi ai kishte hipur mbi gomar bashkë me shokun e tij që ishte pas tij.

Hadithi përmban një sqarim për të drejtën më madhështore të Allahut mbi robërit e Tij, që është pranimi i Teuhidit dhe veçimi i Tij në adhurim.

Hadithi tregon për mirësinë e Allahut ndaj robërve të Tij, sepse Ai u jep shpërblimin më të mirë atyre që e përmbushin këtë të drejtë.

Hadithi përmban inkurajim për t’i lajmëruar Muslimanët për atë çfarë e kënaq Allahun.

Hadithi përmban frikën nga të mbështeturit tek Mëshira e gjerë e Allahut, sepse kjo mbështetje i dëmton tej mase ata që janë injorantë.

 

Fundnota:

[1] Hadithi është transmetuar nga Bukhari (Kitabul-Libas, n. 5967), Muslimi (Kitabul-Iman, n. 48-51, 53), Tirmidhiu (Kitabul-Iman, n. 2643, v. 5, fq. 25), Ibn Maxheh (Kitabuz-Zuhd, n. 4269, v. 12, fq. 1435) dhe Ahmedi (Vëllimi. 3, fq. 260-261).

 

Përktheu: Alban Malaj