Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij
Burimi: http://www.rabee.net/
Ndalimi i Kërkimit të Bereqetit nga tjerë përveç Allahut:
Nga Ebu Uakid el-Lejthi – radij-Allahu ‘anhu – i cili ka thënë:
“U nisëm me të Dërguarin e Allahut për në Hunejn dhe ne sapo e kishin braktisur mosbesimin. Mushrikët kishin një pemë tek i cila ishin të përkushtuar dhe varnin armët e tyre në të. Ata e quanin atë Dhat Enuat. Kaluam pranë një peme të tillë dhe thamë: “O i Dërguari i Allahut, na cakto edhe neve një Dhat Enuat ashtu siç kanë ata të tyren.”
Kështu, i Dërguari i Allahut tha: “Allahu Ekber! Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, vërtet keni thënë ashtu siç thanë Beni Israilët (Çifutët):
اجْعَل لَّنَا إِلَـٰهًا كَمَا لَهُمْ آلِهَةٌ ۚ قَالَ إِنَّكُمْ قَوْمٌ تَجْهَلُونَ
“Na bëj dhe ne një të adhuruar ashtu siç kanë ata të adhuruarit e tyre.” Ai tha: “Vërtet ju jeni një popull injorant.” [A’raf, 138]
Vërtet, ju do të ndiqni rrugët e atyre që ishin para jush.” [1]
Transmetuesi i Hadithit:
Ai është Ebu Uakid el-Lejthi, i cili e ka prejardhjen nga Lejth bin ‘Abd Menaf. Është thënë se emri i tij ishte el-Harith bin Malik ndërsa të tjerë kanë thënë se është Ibn ‘Auf. Shumë njerëz kanë transmetuar prej tij dhe ai ka dy hadithe tek Sahihu i Bukharit dhe ai i Muslimit. Është thënë se ai ka marrë pjesë në betejën e Bedrit dhe është thënë gjithashtu se ai ka qenë një nga Muslimanët që morën pjesë në Pushtimin e Mekkes. Vdiq në vitin 68 Hixhrij në moshën 85 vjeçare.
Kuptimi i Hadithit:
Në ushtrinë e të Dërguarit, në betejën e Hunejnit, ishin edhe ata që sapo kishin hyrë në Islam. Ata nuk ishin forcuar ende në Islam dhe nuk e kishin kuptuar besimin dhe konceptet bazë të thirrjes Islame për shkak se ata sapo e kishin braktisur Xhahilijetin dhe Shirkun. Kështu, ata kaluan pranë disa njerëzve nga Mushrikët, të cilët ishin të përkushtuar tek kjo pemë, kërkonin bereqet prej saj dhe e madhëronin atë. Dhe kur Muslimanët e rinj i panë ata (mushrikët) duke vepruar kështu, i kërkuan të Dërguarit të Allahut që t’u caktonte edhe atyre një pemë në të cilën të varnin armët për të kërkuar bereqet e jo për ta adhuruar atë. Ata menduan se Islami e lejonte këtë lloj kërkimi të bereqetit dhe se me anë të kësaj ata do të siguronin triumfin mbi armiqtë e tyre.
I Dërguari u alarmua nga kjo kërkesë e çuditshme prandaj ai tha këtë deklaratë të fuqishme, që Umeti të marrë mësim prej saj deri në Ditën e Gjykimit:
“Allahu Ekber! Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, vërtet keni thënë ashtu siç thanë Beni Israilët (Çifutët):
اجْعَل لَّنَا إِلَـٰهًا كَمَا لَهُمْ آلِهَةٌ ۚ قَالَ إِنَّكُمْ قَوْمٌ تَجْهَلُونَ
“Na bëj dhe ne një të adhuruar ashtu siç kanë ata të adhuruarit e tyre.” Ai tha: “Vërtet ju jeni një popull injorant.” [A’raf, 138]
A ka gjë më të përshtatshme për Muslimanin sesa kushtimi i vëmendjes ndaj këtij mësimi dhe kuptimin e tij? A ka gjë më të përshtatshme – veçanërisht për Dijetarët – sesa të flasësh me këtë deklaratë të fuqishme e kumbuese në mes të njerëzve kundër imitimit të atyre që kërkojnë bereqet nga i gjalli, nga i vdekuri, nga pemët dhe gurët, me mendimin se kjo është prej Islamit?
Atyre u janë zbukuruar këto vepra nga disa njerëz të cilët nuk e kanë frikë Allahun dhe nuk shpresojnë tek Ai në Ditën e Gjykimit, njerëz të cilët janë robër të pasurisë dhe pozitës.
Ata shfrytëzojnë dashamirësinë e atyre që nuk kanë dije dhe janë naivë dhe kështu i vërvitin tek e pavërteta dhe i nxisin ata që të luftojnë kundër të vërtetës dhe Teuhidit.
Dobitë që nxjerrim nga Hadithi:
Ndalimi i imitimit dhe përngjasimit të njerëzve të Xhahilijetit.
Pejgamberi e krahasoi kërkesën e tyre me kërkesën e Beni Israilëve.
Vepra për të cilën janë qortuar Beni Israilët është një vepër për të cilën qortohet edhe ky Umet.
Ky hadith sqaron parimin që flet për ndalimin e diçkaje e cila megjithëse në pamje të jashtme duket e vogël, ajo mund të çojë në diçka shumë herë më të madhe (siç është Shirku).
Hadithi përmban një shenjë të Profecisë për shkak se po ndodh që njerëzit po ndjekin i rrugët e atyre që kanë qenë më përpara, ashtu sikurse na lajmëroi Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –.
Hadithi përmban frikën nga Shirku dhe se njeriu e zbukuron diçka me mendimin se ajo po e afron tek Allahu, ndërsa në të vërtetë ajo është gjëja më e rëndë e cila e largon nga Allahu dhe e afron në Zemërimin e Tij.
Fundnota:
[1] Transmetuar nga Ahmedi (Vëllimi. 5, fq. 228), Tirmidhiu (Kitabul-Fitan, n. 2180, vëllimi 4, fq. 475) i cili e ka saktësuar, ‘Abdur-Rrazzaku (Vëllimi 11, n. 329, fq. 20763), Ibn Xheriri (Vëllimi 9, fq. 45-46), Ibn Mundhar (shiko ed-Durrul-Menthur, vëllimi 3, fq. 533), Ibn Ebi Hatim (po aty) dhe Taberani (Vëllimi 3, fq. 275, n. 3290-3294).
Përktheu: Alban Malaj