Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij

 Burimi: http://www.rabee.net/

 

 

Pasojat e Lutjes së drejtuar dikujt tjetër në vend të Allahut të Lartësuar:

 

Nga Ibn Mes’udi – radij-Allahu ‘anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Kushdo që vdes duke iu lutur dikujt tjetër në vend të Allahut, do të hyjë në Zjarr.”

Transmetuar nga Bukhari. [1]

 

 

Dhe nga Xhabiri (radij-Allahu ‘anhu) se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Kushdo që e takon Allahun pa i shoqëruar Atij asgjë në adhurim do të hyjë në Xhenet; dhe kushdo që e takon Allahun duke i shoqëruar Atij dikë (apo diçka) në adhurim do të hyjë në Zjarr.”

Transmetuar nga Muslimi. [2]

 

 

Transmetuesi i Hadithit:

‘Abdullah bin Mes’ud bin Gafil bin Habib el-Hudhejli, Ebu ‘Abdur-Rrahman, një nga es-Sabikun el-Euelun (nga të parët e të dalluarit që përqafuan Islamin) dhe një nga Dijetarët më të famshëm mes Sahabëve. Ai ishte një njeri shumë i virtytshëm dhe ‘Umeri e emëroi atë Prijës të Kufas. Vdiq në Medine në vitin 32 Hixhrij.

 

Xhabir bin ‘Abdullah bin ‘Amr bin Hiram, el-Ensari, pastaj es-Sulemi, i cili ishte Sahab dhe bir Sahabiu. Ka marrë pjesë në 19 beteja me të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –. Vdiq në Medine në moshën 70 vjeçare.

 

 

Kuptimi i Hadithit:

Hadithi shpjegon pozitën që ka lutja (du’aja), se ajo është një nga format më madhështore të adhurimit dhe nga të drejtat më madhështore të Allahut. Dhe nëse robi ia drejton atë dikujt tjetër në vend të Tij, atëherë ai bëhet Mushrik. Ai i ka bërë Allahut rival dhe të barabartë në Uluhijen e Tij dhe në të Drejtën e Tij për t’u adhuruar i vetëm. Dhe ky është rebelim kundër Allahut, është kundërshtim dhe mohim i Pejgamberëve dhe të Dërguarve, thirrja dhe mesazhi i të cilëve pajtohej njëzëri në obligimin e veçimit të Allahut të vetëm në adhurim dhe se aspekti më madhështor i adhurimit është lutja.

 

I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Lutja është adhurim (ibadet).”

 

Dhe Allahu i Lartësuar ka Thënë:

ادْعُوا رَبَّكُمْ تَضَرُّعًا وَخُفْيَةً ۚ إِنَّهُ لَا يُحِبُّ الْمُعْتَدِينَ ﴿٥٥﴾

“Lutjuni Zotit tuaj me përulje dhe në vetveten tuaj. Vërtet Ai nuk i do ata që i kalojnë kufijtë.” [A’raf, 55]

 

Dhe Allahu i Lartësuar ka Thënë:

وَقَالَ رَبُّكُمُ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ

“Dhe Zoti juaj thotë: Mu lutni Mua, Unë do t’ju përgjigjem.” [Gafir, 60]

 

Dhe Ai ka Thënë, duke e ndaluar lutjen drejtuar të tjerëve në vend të Tij:

وَلَا تَدْعُ مِن دُونِ اللَّـهِ مَا لَا يَنفَعُكَ وَلَا يَضُرُّكَ ۖ فَإِن فَعَلْتَ فَإِنَّكَ إِذًا مِّنَ الظَّالِمِينَ ﴿١٠٦﴾

“Dhe mos lut askënd tjetër përveç Allahut, çfarëdo qoftë, që kurrë nuk do të të sjell ty përfitim dhe as nuk do të të dëmtojë. Por, në rast se vepron kështu, atëherë patjetër që ti do të jesh prej Dhalimunëve (mohuesve, keqbërësve).” [Junus, 106]

 

Dhe Ai ka Thënë:

فَلَا تَدْعُ مَعَ اللَّـهِ إِلَـٰهًا آخَرَ فَتَكُونَ مِنَ الْمُعَذَّبِينَ ﴿٢١٣﴾

“Kështu pra, mos lutni asnjë të adhuruar (ilah) tjetër me Allahun se përndryshe do të jeni prej atyre që ndëshkohen.” [Shuara, 213]

 

Pra, nëse i lutesh dikujt tjetër në vend të Allahut, atëherë ti po ia pranon Uluhijen atij që po i lutesh. Allahu na ruajtë nga një gjë e tillë.

 

Allahu i Lartësuar ka Thënë duke qortuar Mushrikët:

“(Do t’u thuhet): Ky (dënim) është për shkak se kur bëhej thirrja për të besuar Allahun Një të Vetëm, ju nuk besuat, por kur Atij i shoqëronin shokë në adhurim, ju i besuat këta. Kështu pra, Gjykimi është vetëm i Allahut, më të Lartit, më të Madhit!” Ai i Cili ju shpall qartë Ajetet e Tij dhe zbret për ju (furnizim) nga qielli. Dhe askush nuk përkujton përveç atyre që i kthehen Allahut në nënshtrim e me pendim. Kështu që lutjuni vetëm Allahut duke e bërë adhurimin tuaj të pastër vetëm për Atë, sado që të urrejnë mosbesimtarët (këtë Besim).” [Gafir, 12-14]

 

Dhe Allahu i Lartësuar ka Thënë duke i gjykuar si të humbur dhe të dështuar ata të cilët u luten të tjerëve në vend të Allahut:

وَمَنْ أَضَلُّ مِمَّن يَدْعُو مِن دُونِ اللَّـهِ مَن لَّا يَسْتَجِيبُ لَهُ إِلَىٰ يَوْمِ الْقِيَامَةِ وَهُمْ عَن دُعَائِهِمْ غَافِلُونَ ﴿٥﴾ وَإِذَا حُشِرَ النَّاسُ كَانُوا لَهُمْ أَعْدَاءً وَكَانُوا بِعِبَادَتِهِمْ كَافِرِينَ ﴿٦﴾

“Dhe kush është në rrugë më të gabuar se sa ai i cili në vend të Allahut u lutet të atillëve që nuk do t’i përgjigjen atij deri në Ditën e Ringjalljes dhe të cilët madje janë krejt të pavetëdijshëm për lutjet që u bëhen atyre? Dhe kur njerëzimi të grumbullohet (Ditën e Kijametit), ata (idhujt e tyre) do të bëhen armiq të tyre dhe do ta mohojnë adhurimin e tyre.” [Ahkaf, 5-6]

 

Dhe Allahu i Lartësuar ka Thënë:

ذَٰلِكُمُ اللَّـهُ رَبُّكُمْ لَهُ الْمُلْكُ ۚ وَالَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِهِ مَا يَمْلِكُونَ مِن قِطْمِيرٍ ﴿١٣﴾ إِن تَدْعُوهُمْ لَا يَسْمَعُوا دُعَاءَكُمْ وَلَوْ سَمِعُوا مَا اسْتَجَابُوا لَكُمْ ۖ وَيَوْمَ الْقِيَامَةِ يَكْفُرُونَ بِشِرْكِكُمْ ۚ وَلَا يُنَبِّئُكَ مِثْلُ خَبِيرٍ ﴿١٤﴾

“I tillë është Allahu, Zoti juaj. I Tij është mbizotërimi. E ata të cilët ju i lutni në vend të Tij, nuk kanë fuqi as një Kitmir (lëvozhgë e hollë që mbështjell farën e hurmës). Nëse ju u luteni dhe u thërrisni atyre, ata nuk e dëgjojnë thirrjen tuaj, por edhe sikur ta dëgjonin atë, ata nuk mund t’ju përgjigjen juve dhe Ditën e Llogarisë ata do të mohojnë adhurimin tuaj ndaj tyre. Dhe askush nuk mund të të njoftojë ty (O Muhammed) si Ai i Cili është i Mirënjohuri, i Gjithëdituri i çdo gjëje.” [Fatir, 13-14]

 

Dhe nga këto tekste dhe tekstet e tjera që gjenden në Kur'anin Fisnik dhe Sunetin e Pastër, rëndësia e du’asë (lutjes) dhe pozita e saj në Akijden Islame bëhet e qartë për atë që Allahu e ka bërë syçelët, zemërndritur dhe ia ka zgjeruar kraharorin.

 

Dhe për shkak të kësaj pozite, Allahu ka premtuar se kushdo që nuk i nënshtrohet Atij me lutje (du’a) do të hyjë në Zjarr i poshtëruar e i turpëruar. Ai ka Thënë:

إِنَّ الَّذِينَ يَسْتَكْبِرُونَ عَنْ عِبَادَتِي سَيَدْخُلُونَ جَهَنَّمَ دَاخِرِينَ

“Me të vërtetë se ata të cilët e përbuzin adhurimin ndaj Meje, ata padyshim që do të hyjnë në Xhehenem me poshtërim!” [Gafir, 60]

 

Dhe kush u lutet të tjerëve në vend të Allahut, atij i është premtuar Xhehenemi, sikurse thuhet edhe në hadith:

“Kushdo që vdes duke iu lutur dikujt tjetër në vend të Allahut, do të hyjë në Zjarr.”

 

 

Dobitë që nxjerrim nga Hadithi:

Pozita që ka lutja (du’aja) në Islam dhe se ajo është forma më madhështore e adhurimit ndaj Allahut.

Lutja që i drejtohet dikujt tjetër në vend të Allahut është Shirk i madh dhe një padrejtësi e madhe.

Ai që i lutet dikujt tjetër në vend të Allahut ka si shpërblim vetëm Zjarrin, nëse vdes në atë gjendje.

 

 

Fundnota:

[1] Kitabuz-Zekat, n. 1395 dhe 1458.

[2] Kitabul-Iman, n. 151-152.

 

Përktheu: Alban Malaj