Bismilah...

 

Autor: Shejkh ‘Ubejd Ibn ‘Abdullah el-Xhabirij (hafidhahullah)

Marrë nga shpjegimi i librit “Behxhetul-Kuluubil-Ebraar ue Kurratu ‘Ujuunil-Akhjar”

të Shejkh ‘Abdur-Rrahman Ibn Nasir es-Se’adij (rahimehullah)

Burimi: Sahab.net


 

Nga Ebij Musa el-Esh’arij (radij-Allahu ‘anhu) i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):


الْمَرْءُ مَعَ مَنْ أَحَبَّ

“Njeriu është me atë që do.”

Muttefekun ‘alejhi [Transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi]

 

Shpjegimi:

Ky hadith përmban një parim madhështor në el-Uelaa` uel-Beraa` (miqësi dhe armiqësi), që është: se tek ai i cili do dikë, shfaqet shenja të cilën e tregoi autori (Ibn Se’adij rahimehullah). Kështu, kush do të të Dërguarit dhe pasuesit e tyre, ata të cilët pasojnë Shpalljen që u erdhi atyre nga Allahu Subhanehu ue Te’ala, atëherë ai urren gjithçka që e kundërshton atë, prej bidateve dhe çështjeve të shpikura, si dhe urren po ashtu njerëzit e bidateve. Dhe kush do pasuesit e epsheve dhe pasuesit e bidateve, atëherë tek ai do të shfaqet përbuzja ndaj Sunetit dhe ndaj pasuesve të Sunetit.

 

Dhe ka përmendur Shejkhul-Islam Ibn Tejmijjeh (rahimehullah) se prej shenjave më të dukshme të bidateve është urrejtja e atribuimit rrugës së Selefëve. Njerëzit e bidateve e urrejnë atë atribuim dhe qëndrojnë larg tij.

 

Prandaj sot ti gjen mes të vetë-mashtruarve, shtinjakëve të dijes dhe të shkujdesurve të tillë që e konsiderojnë cilësimin me Selefizëm si tezkije (pastrim, lavdërim) për vetveten, kurse nga ana tjetër, cilësimin me Ikhuanizëm dhe Tabligizëm nuk e konsiderojnë si tezkije. Përse? Sepse atyre iu është kthyer çështja kokëposhtë, përqafuan bidatin dhe përqafuan njerëzit e bidatit dhe kështu u bënë të lodhur në el-Uelaa` uel-Beraa` (miqësi dhe armiqësi) dhe iu nënshtruan epshit.

 

Sa e çuditshme! Ky është ç’ekuilibrim i peshores. Si na qenka cilësimi me Selefizëm tezkije për vetveten, ndërkohë që ai është të punuarit me kërkesat e Kur'anit, Sunetit, dhe sipas rrugës që ndoqën Selefët! Kurse nga ana tjetër, cilësimi me Ikhuanzimin apo Tabligizmin apo me xhemate të tjera nuk na qenka tezkije për vetveten! Ky (cilësim me Ikhuanizëm apo me Tabligizëm) na qenka gjë e mirë dhe bashkim, kurse ai tjetri (cilësimi me Selefizëm) na qenka tezkije për vetveten! Kurrë, një mijë herë kurrën e kurrës.

 

Selefizmin nuk e ka themeluar askush nga njerëzit, kurrë, porse ai është Feja e Pastër e Allahut Subhanehu ue Te’ala, Selefizmi është prej Allahut dhe Pejgamberët ua kanë përcjellë atë robërve nga Allahu ‘Azze ue Xhel-le. Ndërsa mendimet – mendimet e njerëzve të bidateve – janë themeluar nga njerëzit. Kështu që, çdo xhemat daveti, duke filluar që nga Ikhuanizmi, Tabligizmi, e kështu me rradhë, të gjitha këto xhemate janë ngritur mbi themele që janë prodhim njerëzor, i ideve dhe logjikës njerëzore, si gjithmonë. Dhe për çdo xhemat, themeluesi i saj nxorri për të rregulla dhe parime të cilat duhet t’i ndjekin anëtarët e xhematit, ndërsa Selefizmi ka Kur'anin dhe Sunetin dhe atë nuk e ka themeluar askush nga njerëzit. Dhe ata që erdhën mbas Pejgamberëve dhe të Dërguarve dhe Shokëve të Pejgamberëve dhe të Dërguarve, ata janë pasuesit e tyre dhe ripërtëritësit e Selefizmit, ripërtëritësit e gjurmëve të fshira të Fesë në përputhje me Selefizmin e kulluar.

 

E mes atyre ripërtëritësve është Shejkh Muhamed Ibn ‘Abdul-Uehab (rahimehullah) dhe mbështetësi i tij, Imami, Princi Muhamed Ibn Su’ud (rahimehullah). E me të vërtetë ata dy burra u bashkuan me vëllazëri, me përkrahje dhe bashkëpunim për të ripërtërirë gjurmët e fshira të Fesë dhe themelet e Teuhidit.

 

Për këtë arsye shikon se çdo ndjekës i Teuhidit dhe Sunetit mban në veten e tij për këtë vend (Arabinë Saudite) dashurinë dhe çiltërsinë dhe miqësohet me njerëzit e këtij vendi edhe pse nuk i njeh ata; shikon se ndjekësit e Teuhidt dhe Sunetit i duan dijetarët, i duan udhëheqësit tek ne dhe i duan njerëzit e këtij vendi. Madje shumë prej tyre dëshirojnë që të vdesin në Medine. Ndërsa njerëzit e bidateve dhe çështjeve të shpikura, ata janë në kahun e kundërt, ata e urrejnë këtë vend dhe i urrejnë njerëzit e tij. Përse? Cili është faji i tyre? Sepse ky vend është vendi i Teuhidit dhe i Sunetit. Po.

 

 

Përktheu: Alban Malaj