logohu

 

Autor: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (1420 h.)

Burimi: Mexhmu’u Fataua ue Mekalaat Muteneu’iah, vëll. 9/fq. 148

 

Lavdet i takojnë vetëm Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi Familjen, Shokët e tij dhe mbi këdo që udhëzohet me udhëzimin e tij, e më pas:

Vërtet, Allahu – SubhaneHu ue Te’ala – është më i Urti, më i Dijshmi, në atë që vendos dhe cakton, ashtu siç është i Urtë dhe i Dijshëm në atë që ka ligjësuar dhe ka urdhëruar. Dhe Ai, i Përsosuri nga çdo e metë, krijon çdo shenjë dhe argument që do dhe e cakton atë për t’i frikësuar robërit e Tij dhe për t’i përkujtuar ata se çfarë kanë për obligim në Hakun e Allahut dhe për t’i paralajmëruar ata nga shirku dhe kundërshtimi i Urdhrit të Tij si dhe nga veprimi i asaj që Ai e ka ndaluar, siç thotë Allahu i Përsosur nga çdo e metë:

﴿وَمَا نُرْسِلُ بِالآيَاتِ إِلا تَخْوِيفًا

“Ne dërgojmë shenja vetëm për t’i frikësuar njerëzit.” [el-Israa`, 59]

Dhe thotë i Lavdishmi e i Madhërishmi:

﴿سَنُرِيهِمْ آيَاتِنَا فِي الآفَاقِ وَفِي أَنْفُسِهِمْ حَتَّى يَتَبَيَّنَ لَهُمْ أَنَّهُ الْحَقُّ أَوَلَمْ يَكْفِ بِرَبِّكَ أَنَّهُ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ شَهِيدٌ

“Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetveten e tyre, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kur`ani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!” [Fussilet, 53]

Dhe thotë i Lartësuari:

﴿قُلْ هُوَ الْقَادِرُ عَلَى أَنْ يَبْعَثَ عَلَيْكُمْ عَذَابًا مِنْ فَوْقِكُمْ أَوْ مِنْ تَحْتِ أَرْجُلِكُمْ أَوْ يَلْبِسَكُمْ شِيَعًا وَيُذِيقَ بَعْضَكُمْ بَأْسَ بَعْضٍ انْظُرْ كَيْفَ نُصَرِّفُ الآيَاتِ لَعَلَّهُمْ يَفْقَهُونَ

“Thuaj: “Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti ose nga poshtë këmbëve tuaja, ose t’ju përçajë në grupe e të vuani nga duart e njëri-tjetrit. Shih si ua shpjegojmë shpalljet, që ata të mund të kuptojnë!” [el-En’am, 65]

Transmeton Bukhari ne Sahihun e tij nga Xhabir bin Abdullah – radijAllahu anhuma – nga Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -, se kur zbriti Fjala e Allahut të Lartësuar: “Thuaj: “Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti”, i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -, tha:

أعوذ بوجهك

“Kërkoj mbrojtje me Fytyrën tënde”,

E kur tha: “...ose nga poshtë këmbëve tuaja”, Pejgamberi tha:

أعوذ بوجهك

“Kërkoj mbrojtje me Fytyrën tënde”. [1]

Transmeton Ebu Shejkh el-Asbahanij nga Muxhahidi, rreth tefsirit të këtij ajeti: “Thuaj: “Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti” se ka thënë: është britma, gurët dhe era; “ose nga poshtë këmbëve tuaja”, ka thënë: tërmeti dhe fundosja.

S’ka dyshim se tërmetet që ndodhin ditët e sotme në vende të shumta, janë një tërësi shenjash me të cilat Allahu, i Përsosur nga çdo e metë, i frikëson robërit e Tij. Gjithçka që ndodh në këtë kohë që nga tërmetet e të tjera si to, të cilat i dëmtojnë robërit dhe u shkaktojnë atyre lloje të ndryshme dëmesh, të gjitha këto janë për shkak të shirkut dhe gjynaheve, siç thotë Allahu – Azze ue Xhel-le:

﴿وَمَا أَصَابَكُمْ مِنْ مُصِيبَةٍ فَبِمَا كَسَبَتْ أَيْدِيكُمْ وَيَعْفُو عَنْ كَثِيرٍ

“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” [esh-Shuuraa, 30]

Dhe thotë i Lartësuari:

﴿مَا أَصَابَكَ مِنْ حَسَنَةٍ فَمِنَ اللَّهِ وَمَا أَصَابَكَ مِنْ سَيِّئَةٍ فَمِنْ نَفْسِكَ

“Çdo e mirë që të gjen ty o njeri, është prej Allahut, kurse e keqja që të godet, është prej vetes tënde.” [en-Nisaa`, 79]

Dhe thotë i Lartësuari për popujt e mëparshëm:

﴿فَكُلا أَخَذْنَا بِذَنْبِهِ فَمِنْهُمْ مَنْ أَرْسَلْنَا عَلَيْهِ حَاصِبًا وَمِنْهُمْ مَنْ أَخَذَتْهُ الصَّيْحَةُ وَمِنْهُمْ مَنْ خَسَفْنَا بِهِ الأرْضَ وَمِنْهُمْ مَنْ أَغْرَقْنَا وَمَا كَانَ اللَّهُ لِيَظْلِمَهُمْ وَلَكِنْ كَانُوا أَنْفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ

“Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.” [el-Ankebut, 40]

Kështu që, është detyrë për çdo të rritur Musliman dhe të tjerë, që të pendohen tek Allahu dhe të jenë të palëkundur në fenë e Tij, të kenë kujdes nga çdo gjë që Ai e ka ndaluar prej shirkut dhe gjynaheve, në mënyrë që të arrijnë mirëqenien dhe të shpëtojnë nga çdo e keqe në dynja dhe në akhiret, dhe në mënyrë që Allahu t’ua largojë çdo fatkeqësi dhe t’u dhurojë çdo të mirë, siç thotë i Përsosuri nga çdo e metë:

﴿وَلَوْ أَنَّ أَهْلَ الْقُرَى آمَنُوا وَاتَّقَوْا لَفَتَحْنَا عَلَيْهِمْ بَرَكَاتٍ مِنَ السَّمَاءِ وَالأرْضِ وَلَكِنْ كَذَّبُوا فَأَخَذْنَاهُمْ بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ

“Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim begati nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” [el-A’raf, 96]

Dhe thotë i Lartësuari për Ehli Kitabët:

﴿وَلَوْ أَنَّهُمْ أَقَامُوا التَّوْرَاةَ وَالإنْجِيلَ وَمَا أُنْزِلَ إِلَيْهِمْ مِنْ رَبِّهِمْ لأكَلُوا مِنْ فَوْقِهِمْ وَمِنْ تَحْتِ أَرْجُلِهِمْ

“Sikur ata t’i përmbaheshin Teuratit e Ungjillit dhe asaj që u është shpallur nga Zoti i tyre, ata do të hanin nga furnizimi (që do t’u vinte nga) sipër dhe poshtë tyre.” [El-Ma`ideh, 66]

Dhe thotë i Lartësuari:

﴿أَفَأَمِنَ أَهْلُ الْقُرَى أَنْ يَأْتِيَهُمْ بَأْسُنَا بَيَاتًا وَهُمْ نَائِمُونَ أَوَ أَمِنَ أَهْلُ الْقُرَى أَنْ يَأْتِيَهُمْ بَأْسُنَا ضُحًى وَهُمْ يَلْعَبُونَ أَفَأَمِنُوا مَكْرَ اللَّهِ فَلا يَأْمَنُ مَكْرَ اللَّهِ إِلا الْقَوْمُ الْخَاسِرُونَ

“A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve (vendbanimeve) se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë natën, ndërkohë që flenë?! A janë të sigurt banorët e qyteteve se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë ditën, ndërkohë që argëtohen?! A janë të sigurt ata nga të papriturat e Allahut? Vetëm ata që janë të humbur nuk u frikësohen të papriturave të Allahut.” [el-A’raf, 97-99]

Ka thënë dijetari i madh Ibnul-Kajjim – rahimehullah -, tekstualisht:

“Allahu mund ta lejojë tokën ndonjëherë që të marrë frymë, kështu që ndodhin tërmete të mëdha dhe kjo shkakton frikë dhe tmerr tek robërit e Tij; ata kthehen me pendim tek Allahu, i lënë gjynahet dhe i nënshtrohen Allahut, të Përsosurit nga çdo e metë. Ashtu siç ka thënë njëri prej prej selefëve: “Kur të dridhet toka, Zoti juaj u kërkon që ta largojë zemërimin e Tij prej jush (me pendim, vepra të mira dhe largim nga gjynahet nga ana juaj, sh.p).” Ka thënë Umer Ibnul-Khattab – radijAllahu anhu – kur në Medine kishte rënë tërmet. Ai mbajti hytbe dhe i këshilloi ata e tha: “Sikur të kthehet sërish (tërmeti) nuk do të banoj më me ju në Medine.”

Etheret e transmetuara nga selefët për këtë temë janë të shumta.

Kështu pra, kur ndodhin tërmete e të tjera përveç tyre, prej shenjave të ndryshme që i dërgon Allahu, siç janë: eklipset, erërat e forta dhe përmbytjet, është detyrë nxitimi drejt pendimit tek Allahu, i Përsosur nga çdo e metë, nënshtrimi ndaj Tij, kërkimi i mirëqenies, shpeshtimi i përmendjes së Tij dhe kërkimi i faljes prej Tij, siç ka thënë ai – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – kur u bë eklipsi i hënës:

فَإِذَا رَأَيْتُمْ مِنْهَا شَيْئًا فَافْزَعُوا إِلَى ذِكْرِهِ وَدُعَائِهِ وَاسْتِغْفَارِهِ

“Nëse e shihni atë, atëherë vraponi në përmendjen e Allahut, në lutje dhe në kërkimin e faljes prej Tij.” [2]

Po ashtu, është e pëlqyeshme mëshirimi i të varfërve dhe nevojtarëve dhe dhënia sadaka atyre, siç ka thënë ai – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -:

ارْحَمُوا تُرْحَمُوا

“Mëshironi, që të mëshiroheni.” [3]

الرَّاحِمُونَ يَرْحَمُهُمُ الرَّحْمَنُ ارْحَمُوا مَنْ فِي الأَرْضِ يَرْحَمْكُمْ مَنْ فِي السَّمَاءِ

 “Të mëshirshmit i mëshiron i Mëshirshmi, mëshironi ata që janë në tokë, që t’u mëshirojë Ai që është në qiell.” [4]

Dhe fjala e tij – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -:

"‏ مَنْ لاَ يَرْحَمُ لاَ يُرْحَمُ ‏"‏‏.‏

 “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.” [5]

Është transmetuar prej Umer bin Abdul-Aziz – rahimehullah – se kur binte tërmet, ai i shkruante guvernatorëve të tij që të jepnin sadaka.

Prej shkaqeve të mirëqenies dhe shpëtimit nga çdo e keqe, është edhe shpejtimi i udhëheqësve që t’i kapin njerëzit e marrë dhe mizorët duke i detyruar ata të pranojnë të vërtetën dhe të gjykohet mbi ta me Sheriatin e Allahut, t’i urdhërojnë njerëzit në të mirë dhe të ndalojnë nga e keqja, siç thotë i Lavdishmi e i Madhërishmi:

﴿وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاءُ بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنْكَرِ وَيُقِيمُونَ الصَّلاةَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَيُطِيعُونَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ أُولَئِكَ سَيَرْحَمُهُمُ اللَّهُ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌ

“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” [et-Teubeh, 71]

Dhe thotë i Lavdishmi e i Madhërishmi:

﴿وَلَيَنْصُرَنَّ اللَّهُ مَنْ يَنْصُرُهُ إِنَّ اللَّهَ لَقَوِيٌّ عَزِيزٌ الَّذِينَ إِنْ مَكَّنَّاهُمْ فِي الأرْضِ أَقَامُوا الصَّلاةَ وَآتَوُا الزَّكَاةَ وَأَمَرُوا بِالْمَعْرُوفِ وَنَهَوْا عَنِ الْمُنْكَرِ وَلِلَّهِ عَاقِبَةُ الأمُورِ

“Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm. (Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.” [el-Haxh, 40-41]

Dhe thotë i Përsosuri nga çdo e metë:

﴿وَمَنْ يَتَّقِ اللَّهَ يَجْعَلْ لَهُ مَخْرَجًا وَيَرْزُقْهُ مِنْ حَيْثُ لا يَحْتَسِبُ وَمَنْ يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُ

“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi). Dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” [et-Talaak, 2-3]

Dhe ka shumë ajete tjera që janë me këtë kuptim.

Dhe ka thënë ai – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

وَمَنْ كَانَ فِي حَاجَةِ أَخِيهِ، كَانَ اللَّهُ فِي حَاجَتِهِ ‏

 “Kush i gjendet vëllait të tij në nevojë, Allahu do t’i gjendet atij në nevojë.” [6]

Dhe ka thënë ai – alejhis-salaatu ues-selaam -:

مَنْ نَفَّسَ عَنْ مُؤْمِنٍ كُرْبَةً مِنْ كُرَبِ اَلدُّنْيَا, نَفَّسَ اَللَّهُ عَنْهُ كُرْبَةً مِنْ كُرَبِ يَوْمِ اَلْقِيَامَةِ , وَمَنْ يَسَّرَ عَلَى مُعْسِرٍ, يَسَّرَ اَللَّهُ عَلَيْهِ فِي اَلدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ, وَمَنْ سَتَرَ مُسْلِمًا, سَتَرَهُ اَللَّهُ فِي اَلدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ, وَاَللَّهُ فِي عَوْنِ اَلْعَبْدِ مَا كَانَ اَلْعَبْدُ فِي عَوْنِ أَخِيهِ

 “Kush i largon besimtarit një brengë prej brengave të dynjasë, Allahu do t’i largojë atij një brengë prej brengave të Ditës së Kijametit. Kush i lehtëson atij që është në vështirësi, Allahu do t’i lehtësojë atij në dynja dhe në akhiret. Kush i mbulon Muslimanit (një gjynah apo të metë), Allahu do t’i mbulojë atij (një gjynah apo të metë) në dynja dhe në akhiret dhe Allahu e ndihmon atë që e ndihmon vëllanë e tij.” [7] E transmeton Muslimi në Sahihun e tij. Dhe ka plotë hadithe me këtë kuptim.

Allahut i kërkojmë që ta përmirësojë gjendjen e të gjithë Muslimanëve, t’u dhurojë atyre kuptim të fesë, palëkundshmëri në të, dhe pendim tek Allahu prej të gjitha gjynaheve; t’i përmirësojë udhëheqësit e Muslimanëve, ta ndihmojë hakun nëpërmjet tyre dhe ta largojë të kotën nëpërmjet tyre; t’u japë sukses atyre që t’i qeverisin robërit e Tij me Sheriatin e Allahut dhe që t’i mbrojë ata dhe të gjithë Muslimanët nga vendet e fitnes dhe cytjet e shejtanit. Vërtet Ai është që përkujdeset për këto dhe është i Fuqishmi për t'i bërë këto.

Salavatet dhe selami qoftë mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi Familjen e tij, mbi Shokët e tij dhe mbi cilindo që i pasoi ata me përpikmëri deri në Ditën e Gjykimit.

 

Muftiu i Përgjithshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Kryetari i Komisionit të Dijetarëve të Mëdhenj dhe Drejtorisë së Studimeve Shkencore dhe Fetvave: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz

 

___________________________

[1] E transmeton Bukhari në librin “Tefsiru el-Kuran” (nr. 4262), dhe e transmeton Tirmidhiu në librin “Tefsiru el-Kuran” (nr. 2991).

[2] E transmeton hadithin Bukhari tek “el-Xhumu’a” (nr. 999) dhe Muslimi tek “el-Kusuf” (nr. 1518).

[3] E transmeton hadithin Ahmedi në “Musned el-Mukethirijn”, (nr 6255).

[4] E transmeton Tirmidhiu tek “el-Birru ues-Sileh” (nr. 1847).

[5] E transmeton Bukhari tek “el-Edeb,” (nr. 5538) dhe Tirmidhiu tek “el-Birru ues-Sileh” (nr. 1834).

[6] E transmeton Bukhari në “el-Madhaalim uel-Gasb,” (nr. 2262) dhe Muslimi në “el-Birru ues-Sileh uel-Edeb,” (nr. 4677), dhe të dy (Bukhuari dhe Muslimi) e kanë transmetuar me fjalët e njëjta.

[7] E transmeton Muslimi në “edh-Dhikr ued-Du’a uet-Teubeh,” (nr. 4867) dhe e transmeton Tirmidhiu në “el-Birru ues-Sileh,” (nr. 1853).

 

Përktheu: Umm ‘Akil