1.Tefsiri i Taberiut – Allahu e mëshiroftë.

 

 

لَتَجِدَنَّ أَشَدَّ النَّاسِ عَدَاوَةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الْيَهُودَ وَالَّذِينَ أَشْرَكُوا ۖ وَلَتَجِدَنَّ أَقْرَبَهُم مَّوَدَّةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الَّذِينَ قَالُوا إِنَّا نَصَارَىٰ

“Me të vërtetë do të gjesh se njerëzit me armiqësi më të ashpër ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë Jehudët dhe ata që bëjnë shirk (mushrikët) dhe do të gjesh se më të afërt në dashuri ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë ata që thonë: “Ne jemi të Krishterë...” El-Maideh, 82

Ebu Xhafer ka thënë: “I Lartësuari thotë duke i përmendur Pejgamberit të Tij – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – se ti do gjesh o Muhamed që njerëzit me armiqësi më të ashpër ndaj atyre që të besuan, të ndoqën dhe besuan në atë që erdhët ju për Muslimanët, janë: “Jehudët dhe ata që bëjnë shirk (Mushrikët),” d.m.th. adhuruesit e idhujve të cilët i morën idhujt e tyre për të adhuruar dhe i adhurojnë ata krahas Allahut. Ajeti: “Dhe do të gjesh se më të afërt në dashuri ndaj atyre që besuan (Muslimanëve)”, d.m.th. do të gjesh se njerëzit më të afërt në dashuri dhe dashamirësi.

Për këtë ajet dhe atë pas tij, është thënë se kanë zbritur për një grup njerëzish të cilët erdhën te i Dërguari – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – nga të Krishterët e Abisinisë (Etiopisë). Kur ata e dëgjuan Kuranin, u bënë Muslimanë dhe e ndoqën të Dërguarin e Allahut – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të.

Dhe është thënë se ky ajet ka zbritur për Nexhashiun, mbretin e Abisinisë, si dhe për shokët e tij të cilët u konvertuan në Islam.

Ata që e kanë thënë këtë janë:

Na ka transmetuar Muhamed bin Abdul-Melik bin Ebi Sheuarib, i cili thotë se na ka transmetuar Abdul-Uahid bin Zijad, i cili thotë se na ka treguar Khusejf nga Seid bin Xhubejr, i cili thotë: “Nexhashiu dërgoi një delegacion tek Pejgamberi – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – dhe ai u lexoi atyre (nga Kurani), kështu ata u konvertuan në Islam. Thotë (Seid bin Xhubejr) dhe Allahu i Lartësuar zbriti për ta:

“Me të vërtetë do të gjesh se njerëzit me armiqësi më të ashpër ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë Jehudët dhe ata që bëjnë shirk (mushrikët) dhe do të gjesh se më të afërt në dashuri ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë ata që thonë: “Ne jemi të Krishterë...” El-Maideh, 82

Ai thotë (Seid bin Xhubejr): Ata u kthyen tek Nexhashiu dhe e lajmëruan atë, kështu ai u bë Musliman dhe mbeti Musliman deri në vdekje. Ai thotë (d.m.th. Seid bin Xhubejr): atëherë i Dërguari – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – tha: Vërtet vëllai juaj Nexhashiu ka vdekur, andaj, faleni namazin (e xhenazes) atij. Kështu, i Dërguari i Allahut ia fali namazin në Medine duke qenë se (kufoma) e Nexhashiut ishte atje (në Abisini).

Burimi: http://quran.ksu.edu.sa/tafseer/tabary/sura5-aya82.html

 

 

2.Tefsiri i Begauijut – Allahu e mëshiroftë.

 

لَتَجِدَنَّ أَشَدَّ النَّاسِ عَدَاوَةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الْيَهُودَ وَالَّذِينَ أَشْرَكُوا ۖ وَلَتَجِدَنَّ أَقْرَبَهُم مَّوَدَّةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الَّذِينَ قَالُوا إِنَّا نَصَارَىٰ

“Me të vërtetë do të gjesh se njerëzit me armiqësi më të ashpër ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë Jehudët dhe ata që bëjnë shirk (mushrikët) dhe do të gjesh se më të afërt në dashuri ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë ata që thonë: “Ne jemi të Krishterë...” El-Maideh, 82

 

Fjala e Tij – të Madhëruarit e të Lavdëruarit:

لَتَجِدَنَّ أَشَدَّ النَّاسِ عَدَاوَةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الْيَهُودَ وَالَّذِينَ أَشْرَكُوا

“Me të vërtetë do të gjesh se njerëzit me armiqësi më të ashpër ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë Jehudët dhe ata që bëjnë shirk (mushrikët).” El-Maideh, 82

d.m.th. mushrikët e Arabëve.

وَلَتَجِدَنَّ أَقْرَبَهُم مَّوَدَّةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الَّذِينَ قَالُوا إِنَّا نَصَارَىٰ

“...dhe do të gjesh se më të afërt në dashuri ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë ata që thonë: “Ne jemi të Krishterë.” El-Maideh, 82

Nuk janë për qëllim me këtë ajet të gjithë të Krishterët, ngase ata me armiqësinë e tyre ndaj muslimanëve janë sikur Jehudët që vrasin Muslimanë dhe familjet e tyre, dhe prishin vendet e tyre dhe shkatërrojnë xhamitë e tyre dhe i djegin mus’hafet (Kuranin) e tyre. Nuk ka miqësi dhe nuk ka nder për ta. Por, ajeti ka zbritur për ata (të Krishterët) që u bënë Muslimanë, sikurse Nexhashiu dhe shokët e tij.

Burimi: http://quran.ksu.edu.sa/tafseer/baghawy/sura5-aya82.html#baghawy

 

 

3.Tefsiri i Ibën Kethirit – Allahu e mëshiroftë.

 

لَتَجِدَنَّ أَشَدَّ النَّاسِ عَدَاوَةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الْيَهُودَ وَالَّذِينَ أَشْرَكُوا ۖ وَلَتَجِدَنَّ أَقْرَبَهُم مَّوَدَّةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الَّذِينَ قَالُوا إِنَّا نَصَارَىٰ

“Me të vërtetë do të gjesh se njerëzit me armiqësi më të ashpër ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë Jehudët dhe ata që bëjnë shirk (mushrikët) dhe do të gjesh se më të afërt në dashuri ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë ata që thonë: “Ne jemi të Krishterë...” El-Maideh, 82

 

Alij bin Ebi Talha, i cili transmeton nga Ibën Abbasi - Allahu qoftë i kënaqur me ta -: “Këto ajete kanë zbritur për Nexhashiun dhe shokët e tij, të cilëve kur Xhafer bin Ebi Talib u lexoi Kuran në Abisini, ata qanë aq sa u lagën mjekrat e tyre.” Ky mendim është i diskutueshëm, sepse ky ajet ka zbritur në Medine, kurse ngjarja e Xhaferit me Nexhashiun ishte para hixhretit.

Seid bin Xhubejr dhe Suddij si dhe të tjerë, thonë: “Ky ajet ka zbritur për një delegacion që i dërgoi Nexhashiu tek Pejgamberi – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – që të dëgjojnë fjalët e tij dhe t’i shikojnë cilësitë e tij. Kur Pejgamberi – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – u lexoi atyre Kuran, ata u bënë Muslimanë, qanë dhe u nënshtruan. Pastaj u kthyen te Nexhashiu dhe e lajmëruan atë.”

‘Ata bin Ebi Rabah ka thënë: “Ata janë një popull nga banorët e Abisinisë që u konvertuan në Islam kur erdhën tek muhaxhirët e Abisinisë nga Muslimanët.”

Katadeh ka thënë: “Ata janë një popull të cilët ishin në fenë e Isait, të birit të Merjemes, kur ata i panë Muslimanët dhe e dëgjuan Kuranin, u bënë Muslimanë dhe nuk ngurruan.”

Ibën Xheriri zgjodhi mendimin se ky (ajet) ka zbritur për cilësitë e popujve me këtë pozitë, qofshin nga Abisinia apo nga diku tjetër.

Burimi: http://quran.ksu.edu.sa/tafseer/katheer/sura5-aya82.html#katheer

 

 

 

4. Tefsiri i Shejkh Uthejminit

Fjala e Tij:

لَتَجِدَنَّ أَشَدَّ النَّاسِ عَدَاوَةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الْيَهُودَ وَالَّذِينَ أَشْرَكُوا ۖ وَلَتَجِدَنَّ أَقْرَبَهُم مَّوَدَّةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الَّذِينَ قَالُوا إِنَّا نَصَارَىٰ

“Me të vërtetë do të gjesh se njerëzit me armiqësi më të ashpër ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë Jehudët dhe ata që bëjnë shirk (mushrikët) dhe do të gjesh se më të afërt në dashuri ndaj atyre që besuan (Muslimanëve) janë ata që thonë: “Ne jemi të Krishterë...” El-Maideh, 82

Për fjalën: Do të gjesh (Letexhidenne), themi për këtë fjalë atë që thamë për të parën. Domethënë, për analizën gramatikore të fjalës “më të afërt -akrab” themi atë që thamë për fjalën “më të ashpër-eshedd.” Dhe këtu ka thënë: “Më të afërt në dashuri.” Dhe Allahu nuk ka thënë: “Ata që kanë dashuri më të madhe.” Do të thotë se nuk kanë dashuri, porse janë afër. Domethënë Allahu – i Madhëruar dhe i Lavdëruar – tha për Jehudët se ata janë: “Njerëzit më të ashpër në armiqësi.” Porse për të Krishterët, Allahu tha: “Më të afërt në dashuri.”

Ajo që dihet është se afërsia nuk është arritje. Kështu që ata nuk kanë dashuri për besimtarët – kam për qëllim të Krishterët – porse ata janë më afër se të tjerët në dashuri. Sikur ata të kishin dashuri (për Muslimanët), Allahu do të thoshte:

أشد الناس مودة

Njerëzit që kanë dashuri më të madhe.”

Apo diçka të ngjashme.

Dhe fjala e Tij:

الَّذِينَ قَالُوا إِنَّا نَصَارَى

“...Ata që thanë ne jemi të Krishterë....” El-Maideh, 82

 

Të Krishterët në kohën e të Dërguarit – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – ishin afër besimtarëve, për këtë arsye shumë prej tyre hyrën në Islam dhe nga mesi i atyre që hyrën në Islam ishte edhe mbreti i Abisinisë – Allahu ë mëshiroftë. Ai besoi në të Dërguarin – lëvdata dhe shpëtimi qoftë mbi të – dhe i strehoi muhaxhirët (emigruesit nga Mekkeja) dhe për këtë ai falënderohet. E lusim Allahun që ta shpërblejë atë me shpërblime të begata. Ai besoi, saqë Pejgamberi - lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – e cilësoi atë se ai është vëlla i Sahabëve dhe se ai kur vdiq ishte prej të devotshmëve.

Ai tha:

إنه توفي اليوم لكم أخ صالح

Sot u ka vdekur një vëlla i devotshëm.”

Kështu që, ai e cilësoi atë me devotshmëri dhe vëllazëri – Allahu e mëshiroftë. Po ashtu, shumë prej të Krishterëve u konvertuan në Islam, sepse të Krishterët ishin më afër kohës së Pejgamberisë se sa Jehudët, ngase midis Isait – lëvdatat dhe shpëtimi qoftë mbi të – dhe midis Pejgamberit tonë Muhamedin – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – nuk kishte të Dërguar tjetër.

Fjala e Tij: “Ata që thanë ne jemi të Krishterë (Nesara).” Kurani është shprehur me fjalën e tij “Nesara”, ndërsa shumë prej Muslimanëve sot, i quajnë ata “Mesihijun – pasuesë të Mesihut (Isaut).” Ky emërtim është shpikur pas kolonializmit.

Këtë (fjalën “Nesara”) e gjen tek fjalët e dijetarëve (Allahu i mëshiroftë) – derisa filloi kolonializmi dhe poshtërimi i muslimanëve përpara forcës së kolonializmit – vëren se ata nuk u shprehnin vetëm se me fjalën “Nesara.” Shiko në librat e dijetarëve të mëhershëm, derisa Perëndimi që i kolonizoi shtetet Islame, atëherë ata thanë: “Mesihijun.” Kurse shkrimtarët që jetonin në presionin e kolonializmit, i pasuan ata. Ngase siç thotë Ibën Khaldun në parathënien e tij: “Në shumicën e rasteve, i mposhturi i nënshtrohet të fuqishmit, dhe e ndjek atë.” Përndryshe ata nuk janë Mesihijun. Kur të zbres Mesihu (Isa) në Fund të Kohës, do ta thyejë kryqin, do ta vrasë derrin, dhe nuk do të pranojë fe tjetër pos Islamit, saqë edhe xhizja nuk do të pranohet në atë kohë.

Dhe Fjala e Allahut: “Nesara” do të thotë “el-Ensar – ndihmuesit,” kjo është më e mira që mund të thuhet për tefsirin e këtij ajeti, sepse kjo e mbështet Fjalën e Tij në suren es-Saf:

مَنْ أَنْصَارِي إِلَى اللَّهِ قَالَ الْحَوَارِيُّونَ نَحْنُ أَنْصَارُ اللَّهِ

“...kush janë ndihmuesit për hir të Allahut (ndihmuesit për të bërë thirrje në rrugë të Allahut)? Hauarijjunët thanë: Ne jemi ndihmuesit e Allahut (ndihmuesit për të përhapur fenë e Allahut). Es-Saf, 14

Burimi: http://www.ibnothaimeen.com/all/books/article_18361.shtml

 

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari