Autor: Sulejman Ruhejli

 

 

Pyetje: Allahu ju dhëntë bereqet! O shejkhu ynë, ky pyetës thotë: çfarë do të thotë “Selefizëm” dhe përse ne i emërtojmë vetët tona me të?

 

Përgjigje: Prej gjërave për të cilat ka unanimitet është se për çdo pasardhës ka paraardhës. Nuk ka dyshim se ne kemi paraardhës të zgjedhur, imamë të pastër, me zemra të devotshme, me punë të mira, prej tyre vijnë habere të mira, është kënaqësi të dëgjohen haberet e tyre; kur njeriu i dëgjon haberet e tyre i shtohet ambicia.

 

Të parët tanë janë shokët e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – të cilët i lavdëroi Zoti ynë – i Madhëruar e i Lartësuar – dhe ata që i pasuan të parët me përpikmëri prej imamëve të shekullit të parë, shekullit të dytë dhe të tretë, këta janë paraardhësit (Selefët), këta e mësuan të vërtetën nga kandili i Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Dhe dijetarët kanë unanimitet se është e ligjësuar për njeriun që t’i përkatësohet këtyre njerëzve të zgjedhur.

 

Është për t’u çuditur shumë me disa njerëz, të cilët e shajnë përkatësimin ndaj Selefizmit, kurse nga ana tjetër ata e lejojnë përkatësimin nëpër grupet hizbijeh. Ata dëshpërohen, brengosen dhe e zgjasin gjuhën kur dikush thotë “unë jam selefij,” apo kur thotë “unë jam prej pasuesve të hadithit.”  Kjo nuk i dëmton këta aspak.

 

Asnjërit prej tyre nuk ia bren zemrën përkatësimi i ndonjërit ndaj këtyre xhemateve (grupacioneve) hizbije, përkundrazi ata i lavdërojnë këto xhemate dhe i lavdërojnë ata që u përkatësohen këtyre xhemateve, duke thënë se ai do të mirën, dhe se ata janë prej njerëzve të mirësisë. Pasha Allahun kjo është e çuditshme! Nga ai njeri që pretendon se e do të vërtetën dhe e do mirësinë.

 

Dijetarët e Islamit unanimisht thonë se i lejohet njeriut që t’i përkatësohet Selefëve të umetit, porse është obligim për të gjithë që ta dinë se Selefizmi nuk është grupacion hizbij, i cili kërkon që dashuria dhe urrejtja të bëhet për hir të hizbit, porse ajo që kërkon dashuri dhe urrejtje është e vërteta; kush shkon pas të vërtetës, e meriton që të kihet dashuri për të, ndërsa kush e refuzon të vërtetën, nuk meriton të duhet në atë çështje që ka refuzuar të vërtetën.

 

Selefizmi është origjina. Disa njerëzve kur u përmendet Selefizmi, ata thonë: “Kjo i përçan njerëzit.” SubhanAllah! Kur ne themi Selefizmi, do të thotë: “Kthehuni tek origjina!”

Njerëzit në kohën e Profetit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ishin të bashkuar në një Ummet të vetëm, ishin të bashkuar në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ata e besuan atë që iu shpall Muhamedit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe punuan me atë që erdhi i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe kur vdiq Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – Sahabët iu përmbajtën rrugës së tij. Të njëjtën gjë vepruan edhe imamët e Islamit. Pastaj më vonë u shfaqën bidatet, u shfaqën Kaderitë, Khauarixhët, pastaj bidatet filluan të shtoheshin dhe e përçanë Umetin.

 

Ndërsa ne themi: o të dashurit tanë! O njerëzit tanë! Kthehuni tek origjina! Jepini fund kësaj përçarjeje! Përse të jemi Kaderi, Mutezili, etj., le të kthehemi në origjinë dhe të bashkohemi në Selefizëm. Pasha Allahun! Ne nuk jemi përçarës, veçse kur është në pyetje haku (e vërteta). As nuk jemi thirrësa që ftojmë për në ndarje dhe përçarje vetëm se kur është në pyetje të lihet batili (e pavërteta).”

 

Ne themi: o populli ynë, kthehuni! O njerëzit tanë, kthehuni! O ju Muslimanë! Kjo është ajo me të cilën erdhi Muhamedi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – që është e pastër, e kulluar, e mirë, e bekuar, të cilën e dëgjojmë sot njësoj ashtu siç ka qenë dikur në ato ditë. Me këtë u rregullua Umeti gjatë asaj kohe, dhe nuk rregullohet Umeti në këtë kohë përveç se me të. Prandaj, kthehuni! Lëreni përçarjen! Lëreni kaosin! Kjo është ajo që na ka përçarë! Këto grupacione janë ato që na kanë bërë copë e çikë. Lërini dhe bojkotojini ato! Kthehuni në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Pasha Allahun, nëse ju pendoheni, ne do të kemi respekt të veçantë për ju.

 

Selefizmi – sikurse thamë – është dritë, mirësi dhe begati. Selefizmi nënkupton atë që tha i Dërguari – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe atë që e kuptuan Shokët e tij. Selefizmi është zbatim i fjalës së të Dërguarit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:

“Pa dyshim se ai që do të jetojë prej jush pas vdekjes sime, ka për të parë shumë kundërshtime,” – dhe pasha Allahun ne kemi parë kundërshtime të shumta – “Prandaj, përmbahuni Sunetit tim dhe Sunetit të Prijësve të Drejtë e të Udhëzuar; kapuni pas tij me dhëmballë, dhe ruhuni nga gjërat e shpikura sepse çdo shpikje është bidat.”

 

“Pa dyshim se, ai që do të jetojë prej jush pas vdekjes sime, ka për të parë shumë kundërshtime,” – Përçarjet dhe kundërshtimet veçse kanë ndodhur. Tani, si të kthehemi dhe t’i lënë këto kundërshtime? Si ta kurojmë përçarjen?

(Përgjigja): “Kapuni pas Sunetit tim.” – Pra, kapuni pas Sunetit, përmbajuni Sunetit – , “Dhe Sunetit të Prijësve të Drejtë e të Udhëzuar.”

 

(Shtrohet pyetja): A dalin Prijësit e Drejtë e të Udhëzuar jashtë Sunetit të Profetit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem? Jo, pasha Allahun! Ata nuk dalin jashtë Sunetit, porse ata e kuptuan këtë Sunet sipas kuptimit të saktë.

 

Pra, sikur Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue selem – po thotë: përmbajuni Sunetit tim sipas kuptimit të drejtë e të saktë, e që është kuptimi i të parëve të këtij Umeti.

Pastaj tha: “...dhe Sunetit të Prijësve të Drejtë e të Udhëzuar.” Shiko! Ai ka përmendur drejtësinë dhe udhëzimin. Këto dyja janë të domosdoshme që të kihen parasysh. Drejtësia duke punuar me Sunet, dhe udhëzimi duke e mësuar Sunetin.

 

Pastaj tha: “Ruhuni nga gjërat e shpikura në fe,” – pasha Allahun, kjo do të thotë: ruhuni nga ato gjëra që kundërshtojnë rrugën e të parëve të këtij Umeti. Kjo vlen për të kaluarën dhe për të tashmen. Ruhuni nga ato gjëra që bien ndesh me rrugën e Selefëve, sepse çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, në të cilën nuk ka mirësi.

Prandaj, o populli ynë! Deri kur do të jetojmë në këtë situatë kritike në mendimet tona, në sjelljen tonë me vëllezërit tanë, në sjelljen tonë karshi këtij Selefizmi të mirë e të bekuar?!

 

Përse disa njerëz dalin haptazi duke e sulmuar këtë Selefizëm, përse e godasin këtë Selefizëm?

Përse i sulmojnë dijetarët Selefij dhe i lavdërojnë ata që kundërshtojnë rrugën e Sahabëve – Allahu qoftë i kënaqur me ta?

O populli ynë, zgjohuni! O njerëzit tanë, zgjohuni! O populli ynë, ejani të bashkohemi në një fjalë të përbashkët (fjalën e Teuhidit – La ilahe il-lAllah)!

O populli ynë, nëse ne dëshirojmë ngadhënjimin dhe fuqizimin e Umetit tonë, nëse dëshirojmë ta ndihmojmë Umetin tonë, nëse ne dëshirojmë bereqetin dhe mirësinë për Umetin tonë, atëherë le të bashkohemi në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – sipas kuptimit të Selefëve të devotshëm – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre – dhe le ta braktisim çdo gjë tjetër përpos këtyre.

 

Nëse e kemi gabuar rrugën në fillim, atëherë le të kthehemi dhe t’i braktisim këto grupacione, dhe të kapemi pas kësaj rruge të dëlirë e të kulluar dhe kësaj pastërtie madhështore. Pasha Allahun, nuk ka dëlirësi që t’i afrohet kësaj rruge dhe as mirësi që i përafrohet. Madje, unë them se ka njerëz që thonë: “Metodologjia e Selefëve është më e qartë dhe më e mbështetura në dije”. Ndërsa unë them: “Pasha Allahun, nuk ka dyshim se metodologjia e Selefëve është ajo në të cilën gjendet dituria, urtësia dhe mëshira. Nuk ka mirësi, dituri dhe mëshirë në çfarëdo gjëje qoftë ajo që e kundërshton rrugën e Selefëve të këtij Umeti të bekuar.”

 

E lusim Allahun, e Plotfuqishëm e të Madhëruar, me Emrat e Tij më të bukur dhe me Cilësitë e Tij më të larta që t’i udhëzojë ata Muslimanë që kanë devijuar dhe t’i bashkojë Muslimanët në një fjalë të vetme; t’ua mundësojë atyre një kthim të lavdishëm dhe të bekuar në fenë e tyre; t’i hapë zemrat dhe sytë e mbyllur para të vërtetës, të cilët janë larguar prej saj; të na mbrojë neve dhe juve nga sherri i kurtheve të atyre që thurin kurthe; të na ndihmojë neve dhe juve që të jemi mëshirë për këtë Umet; ta themi të vërtetën dhe të ftojmë në të, të qëndrojmë me të vërtetën dhe ta këshillojmë Umetin me këtë të vërtetë.

 

Kliko këtu për ta parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Muhamed Kallashi