Autor: Shejkh Rabij’ Ibën Hadij el-Medkhalij
Burimi: Behxhetul-Kaarij bi-Feua`id Menhexhijjeh ue Duruus Terbeuijjeh min Kitaab el-Iëtisam bil-Kitabi ues-Sunneh min Sahiih el-Bukharij, fq.76-78
I këshilloj të rinjtë që të kenë frikë Allahun për vetet e tyre dhe t’i mësojnë vetet e tyre që ta njohin hakun dhe që të bëjnë dallim midis hakut (e vërteta) dhe batilit (e pavërteta), si dhe në këto mosmarrëveshjet që kanë ndodhur mes Ehli Sunetit, sepse ka mundësi që mosmarrëveshja të jetë midis Ehli Sunetit dhe bidatçijve, ose ndonjëri ka qenë prej Ehli Sunetit dhe hyri në bidat dhe vazhdoi në të me kokëfortësi. Prandaj në këtë rast ky s’duhet të merret si mosmarrëveshje midis Ehli Sunetit, sepse disa njerëz kanë bidate të shumta, kanë devijime, kanë poshtërsi, gënjeshtra, tradhti, krime e gjëra të ndryshme, pastaj thonë: ai është prej Ehli Sunetit dhe kjo është mosmarrëveshje për çështje personale! E gjithë kjo është prej gënjeshtrave dhe metodave të njerëzve të batilit, që të përhapin batilin e tyre dhe të mashtrojnë atë që ka sadopak selefizëm.
Kështu që, nëse ti has ndonjë mosmarrëveshje, mos fol, kërko hakun dhe mos u fut tek këto çështje derisa të mësosh se kush është në hak dhe kush është në gabim, atëherë e ke detyrë që të mbash qëndrim me hakun, sepse kjo është ndihmesë për Islamin dhe ndihmesë për hakun. Kurse të rrish gjithmonë i heshtur dhe të jesh gjithmonë neutral, kjo është tradhti ndaj hakut. Prandaj, nxënësi i dijes e ka detyrë që të kërkojë me dritën e Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, si dhe me kuptimin e drejtë të Selefëve dhe me menhexhin e tyre, derisa t’i shfaqet haku i qartë si dielli. Mbas kësaj, ai duhet të flasë me këtë hak. Ama nëse atij i bëhet i qartë haku dhe pastaj flet me batil, atëherë ai është prej njerëzve të bidateve dhe epsheve, sepse të ndihmosh atë që i është bërë zullum është çështje që e kanë detyrë Muslimanët. Ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
انْصُرْ أَخَاكَ ظَالِمًا أَوْ مَظْلُومًا
“Ndihmoje vëllain tënd kur bën zullum edhe kur i bëhet zullum.” [1]
Nëse vëllait tënd i bëhet zullum, ti e ke detyrë që ta ndihmosh atë kur bëhet fjalë për dunjanë e tij, po si është atëherë kur bëhet fjalë për fenë e tij? Atij iu bë zullum për shkak të fesë dhe u sprovua për shkak të fesë dhe u dëmtua për shkak të fesë, pastaj sorollaten, bëjnë sehir dhe thonë: kjo është mosmarrëveshje për çështje personale, është mosmarrëveshje mes Ehli Sunetit?!!
Pra, hyr me dije, me fakte dhe argument, e mos hyr me idiotësi, mendjelehtësi dhe me pasim qorrazi, se disa njerëz pasojnë qorrazi edhe në batil dhe zullum. Jo kështu, mundohu që të mësosh hakun me argumentin e tij dhe ta adhurosh Allahun me të, dhe atëherë ti e ke detyrë që të mbash qëndrim duke mbrojtur hakun dhe duke e hedhur poshtë të pavërtetën.
Besimtari i sinqertë nuk miqëson e nuk armiqëson vetëm se në hak, në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe në rrugën që ndoqën Selefët. Kurse disa njerëz pretendojnë që janë prej Ehli Sunetit dhe nga ana tjetër miqësojnë dhe armiqësojnë në batil. Ata u ngjajnë Tatarëve qafira e kriminelë. Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
“Kush vritet duke ndjekur një flamur pështjellues, thërret për klanin e tij dhe lufton për klanin e tij, ai është vrarë ashtu siç vriteshin në kohën e Xhahilijetit.” [2]
Ky është fanatizmi i verbër klanor.
Fundnotë:
[1] Hadithin e ka transmetuar Bukhari (në Sahihun e tij): libri “el-Medhalim”; kapitulli: “Ndihmoje vëllain tënd kur bën zullum dhe kur i bëhet zullum (2311)”, nga Enes Ibën Malik – radijAllahu ‘anhu –.
[2] Hadithin e ka transmetuar Muslimi (në Sahihun e tij): libri “el-Imarah”; kapitulli: “Urdhërimi për t’u kapur mbas Xhematit, kur të shfaqen fitnet (4898)”, nga Xhundub Ibën ‘AbdIlah – radijAllahu ‘anhu –.
Përktheu: Alban Malaj