Autor: Sulejman bin Selimullah Ruhejli

 

 

Prej argumenteve që tregojnë për menhexhin e saktë është: që të flasin kundër teje pasuesit e bidatit. Madje, njëherë kam thënë duke e parë çështjen nga një aspekt tjetër, thashë: “Nëse pasuesit e bidatit janë të kënaqur me ty, atëherë hetoje veten tënde.” Mund të kënaqen me ty disa prej tyre për ndonjë gjë apo për ndonjë qëllim, mirëpo që të kënaqen prej teje pasuesit e bidatit, atëherë hetoje veten tënde.

 

Përgjatë historisë, pasuesit e bidatit nuk janë kënaqur ndonjëherë me ndonjë dijetar nga dijetarët e Sunetit deri sot e kësaj dite, porse pasuesit e Sunetit luftojnë dhe qëndrojnë të palëkundur në fe dhe durojnë. Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit – sikurse do e cekim në vazhdim in sha Allah, porse meqë m’u dha rasti po e përmend shkurtimisht – dallohen me dije, drejtësi dhe logjikë.  Ata dallohen nga të tjerët me dije, drejtësi dhe logjikë.

 

Pra, pasuesit e Sunetit janë njerëzit që kanë dije të hollësishme, ashtu siç thonë disa njerëz: “Një njeri nga pasuesit e Sunetit është si një libër, e sheh atë për plotë me dije, sepse ai është i kujdesshëm për marrjen e dijes, prandaj ti sheh dije tek ai. Ndërsa, një njeri nga pasuesit e partive dhe grupacioneve është si daullja, që e sheh të madhe mirëpo brenda saj ti nuk gjen asgjë.”

 

Kjo është gjendja e pasuesve të bidatit: i frynë vetët e tyre, thonë: “Ky është mendimtar i madh i Islamit! Ky është al-lameh (dijetar i madh)!” etj. Mirëpo kur ai fillon të flasë, ti nuk sheh gjë tjetër veç të folurës së tij. Nuk sheh dije tek ai. Pra, ai është si daullja që kur e sheh nga larg është e madhe, e kur e dëgjon zhurmën dëgjon zhurmë të madhe. Mirëpo nëse e çan lëkurën e daulles, nuk gjen gjë tjetër veç ajrit. Nuk gjen asgjë.

 

Pra pasuesit e Sunetit dhe Xhematit dallohen me dije. Prandaj, o ju vëllezër, merrni dije! Merrni dije! Merrni dije! Sepse dija të angazhon dhe të ruan nga gjërat e dëmshme dhe të udhëzon drejt gjërave që të bëjnë dobi. Një njeri që merret me dije, atë dija e udhëheq drejt asaj që i bën dobi dhe e angazhon (pengon) nga ajo që e dëmton.

 

Prandaj, o vëllezër, shumica e njerëzve që bien në fitne dhe probleme janë ata që nuk mësojnë; ata që nuk kërkojnë dituri, ata kanë kohë të lirë dhe futen në internet, shohin web-faqet, etj. ata kanë kohë dhe përzihen në çdo lloj muhabeti dhe çështje, derisa të bien në fitne. Ndërsa pasuesit e Sunetit dhe Xhematit o ju vëllezër, nga veçoritë më të mëdha të tyre është dija, sikurse do e përmendim më vonë in sha Allah. Prandaj, merrni dije!

 

Gjithashtu, prej veçorive të tyre është: drejtësia. Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit mbajnë drejtësi, qoftë edhe me kundërshtarët e tyre. Ata nuk u bëjnë padrejtësi njerëzve. Madje, mund të gjesh dikë nga pasuesit e Sunetit të mbrojë ndonjë person për të cilin ai flet me hak, mirëpo kur atij (të përfolurit) i mveshin diçka të pavërtetë, pasuesi i Sunetit e mbron atë (duke e mohuar prej tij atë që i mvishet).

 

Pra, mund të gjesh ndonjë Shejkh që flet dhe paralajmëron kundër ndonjë personi ngase ai është nga pasuesit e bidatit dhe ky shejkh e pohon atë që ka hasur tek ai. Por, nëse atij i mvishet diçka e pavërtetë, atëherë shejkhu thotë: “Jo! Unë nuk di që ai ta ketë këtë gjë.” Pra, pasuesit e Sunetit dhe Xhematit janë të drejtë edhe me kundërshtarët e tyre, e si është puna mes vetë pasuesve të Sunetit? Padyshim se ata janë  të drejtë dhe të logjikshëm.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Muhamed Kallashi