Burimi: el-Exhuibetul etherijeh, 23-25

Pyetje: Gjykimi mbi kundërshtarët dhe përshkrimi i tyre me bidatet që ata kanë, a është  i  veçantë vetëm për dijetarët apo lejohet edhe për nxënësit e dijes të cilët kanë njohuri që të gjykojnë mbi kundërshtarët? Shpresoj të me jepni një shtjellim. Dhe Cila është fjala juaj për atë që e pohon të kotën në të cilën janë thirrjet hizbije bashkëkohore, mirëpo ai nuk paralajmëron kundër grupacioneve të shumta që janë në vendin e tij?

Përgjigje: Realiteti është se ata që janë të dijshëm për sheriatin e pastër të Allahut, të cilët kanë aftësi t’i kuptojnë tekstet e Librit fisnik të Allahut dhe Sunetin fisnik e të pastër, dhe që janë të aftë t’i kuptojnë ato që kanë shkruar imamët e dijes në shkencat e ndryshme në kapitujt dhe temat e shumta të këtyre shkencave, ata janë të aftë që t’i kritikojnë gabimtarët, pasuesit e bidateve dhe devijimeve; përderisa ata janë të këtillë atëherë ata janë më parësorët që të refuzojnë kundërshtarët e pasuesve të Sunetit, dhe janë më parësorët për të kritikuar diçka që është detyrë të kritikohet dhe për të kritikuar atë njeri që është detyrë të kritikohet, duke u bazuar në aftësitë e tyre shkencore, eksperiencës që kanë në davet, metodës së mirë që kanë për të refuzuar, për të kritikuar, për të argumentuar dhe për të këshilluar; si dhe gjëra të tjerë që i kërkon nevoja në rastet e ndërlikuara, (ata refuzojnë) gabimet e gabimtarëve, bidatet e bidatçinjve, injorancën e injorantëve, teprimin e tepruesve dhe ekstremizmin e ekstremistëve. Pra, ata flasin me njerëzit në përputhje me nivelin e tyre të dijes dhe logjikës dhe i krahasojnë gjërat e ngjashme me njëra-tjetrën.

Ndërsa nxënësit e dijes me nivel të mesëm në marrjen e dijes, siç janë nxënësit e universiteteve të shkencave fetare, të cilat janë të zellshëm në marrjen e dijes , të tillëve u takon që të kontribuojnë në sqarimin e të vërtetës në lidhje me çështjet shkencore të cilat ata i mësuan me përpikëri nga dijetarët e tyre, dhe i perfeksionuan ato nga të gjitha aspektet; i mbrojtën tekstet e tyre me argumentet përkatëse dhe i kuptuan domethëniet e argumenteve si dhe çfarë i mbështet dhe çfarë i kundërshton ato. Nëse ata nuk i kanë memorizuar këto dituri, atëherë le t’i kthehen asaj që kanë shënuar me lapsat e tyre, apo që e kanë kuptuar domethënien e saj nga librat e tyre te cilëve ata iu kthehen në rast nevoje.

Gjithashtu nxënësit e dijes kanë të drejtë që të kontribuojnë në sqarimin e gabimit, bidatit dhe kritikimin e tyre; ta etiketojnë me bidat bidatçiun të cilit i është ngritur argumenti duke ia bërë obligim braktisjen e bidatit dhe  bojkotimin e bidatçinjve, ky paralajmërim vlen vetëm për atë që kundërshton duke mos dashur gjë tjetër veçse të jetojë në zjarrin e bidatit, fton në të dhe i ndihmon kokat e bidatit duke e promovuar dhe shpërndarë ato bidate.

Ndërsa pyetja jote në lidhje me disa dijetarë që e pranojnë se partishmëria e grupacione bashkëkohore siç janë ikhuanët, kutbit, sururit, tebligët, dhe sufit, është e kotë, mirëpo ata nuk i sqarojnë bidatet dhe gabimet e tyre, duke thënë: “Ne këto çështje ua lëmë dijetarëve!” Unë u them atyre: përderisa ju e pranoni që partishmëria e sipërpërmendur është e keqe dhe se partishmëria është prej së keqes për të cilën pejgamberi –sal-la Allahu alejhi ue sel-lem- ka thënë:

من رأى منكم منكرًا فليغيره بيده، فإن لم يستطع فبلسانه، فإن لم يستطع فبقلبه، وذلك أضعف الإيمان

“Çdokush nga ju që sheh një të keqe le ta ndryshojë atë me dorën e tij, e nëse nuk ka mundësi, atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk ka mundësi, atëherë me zemrën e tij porse ky është besimi më i dobët.” [1]

Përderisa çështja qëndron kështu, atëherë nuk ka justifikim për ta përderisa ata kanë mundësi që ta ndryshojnë të keqen, me gjuhë apo me laps. E nëse ata nuk kanë mundësi për ta bërë këtë, nëse ata nga ana sheriatike nuk kanë mundësi, atëherë duhet ta ndryshojnë atë me zemër, d.m.th. që ta urrejnë të keqen dhe vepruesit e saj, në sajë të përmasave të krimit që kanë bërë, sidomos kur keqbërësit janë nga fshati apo lagja në të cilën ata jetojnë.

­­­­____________

[1] Transmeton Muslimi, (1/ 69, 49) nga transmetimi i Ebu Said el-Khudri - Allahu qoftë i kënaqur me të.

 

Përktheu: Muhamed Kallashi