Autor: Zejd bin Muhamed bin Hadij el-Medkhalij

Burimi: El-Feuaid el-Xhelijeh Sherh el-Mesail el-Xhahilijeh, fq. 161-162

 

Çështja e gjashtëdhjetë e dytë: Fakti se ata kur mposhten me argument ia mbathin të llahtarisur për t’u ankuar te sundimtarët, sikurse thanë:

أَتَذَرُ مُوسَىٰ وَقَوْمَهُ لِيُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ

A do e lejosh Musanë dhe popullin e tij që të bëjnë shkatërrim në tokë?” el-Araf, 127

____________________

Shpjegimi:

Çështja e gjashtëdhjetë e dytë: Fakti se ata kur mposhten me argumente ia mbathin të llahtarisur për t’u ankuar te sundimtarët dhe udhëheqësit, duke menduar se është e drejtë sipas këndvështrimit të tyre, por me këtë gjë ata i pështjellojnë dhe i devijojnë të tjerët, madje i devijojnë vetet e tyre në radhë të parë. Padyshim, se ata mposhten me argument dhe argument është ajo që sollën të dërguarit e Allahut, ngase të dërguarit argumentonin kundër tyre me tekste të shpalljes, kështu i asgjësonin argumentet e tyre të kota duke sjellë shembuj për to, si Fjala e Tij, Azze ue xhel-le:

مَثَلُ الَّذِينَ اتَّخَذُوا مِن دُونِ اللَّهِ أَوْلِيَاءَ كَمَثَلِ الْعَنكَبُوتِ اتَّخَذَتْ بَيْتًا ۖ وَإِنَّ أَوْهَنَ الْبُيُوتِ لَبَيْتُ الْعَنكَبُوتِ ۖ لَوْ كَانُوا يَعْلَمُونَ 

Shembulli i atyre që zgjedhin mbrojtës të tjerë në vend të Allahut, është si shembulli i merimangës që zgjedh rrjetën e vet për shtëpi. Por shtëpia më e dobët është pikërisht rrjeta e merimangës. Veç sikur ta dinin ata.” El-Ankebut, 41

Kur ata mposhten me argumentet e tyre të cilat Allahu, azze ue xhel-le, i ka sqaruar se janë të kota dhe të pavlera, atëherë ata përdorin metoda të tjera, si ankimi te sundimtarët që të shfaqen si të mjerë para tyre dhe t’i nxisin ata kundër njerëzve të hakut, pasuesit dhe thirrësit e hakut.

Autori, Allahu e mëshiroftë, u argumentua me ngjarjen që tregon Allahu azze ue xhel-le për popullin e Faraonit:

أَتَذَرُ مُوسَىٰ وَقَوْمَهُ لِيُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ

“A do e lejosh Musanë dhe popullin e tij.”

Këto fjalë i drejtohen Faraonit:

أَتَذَرُ مُوسَىٰ وَقَوْمَهُ لِيُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ وَيَذَرَكَ وَآلِهَتَكَ

A do e lejosh Musanë dhe popullin e tij që të bëjnë shkatërrim në tokë, duke të lënë ty dhe të adhuruarit e tu?” el-Araf, 127

Kjo është intrigë dhe kurth i tyre, ngase ata i quajtën të mirët dhe përmirësuesit si njerëz që bëjnë shkatërrim në tokë, ndërsa për veten e tyre thanë se janë njerëz të mirë që bëjnë përmirësim në tokë. Ky është kulmi i intrigës dhe kurthit të tyre, të cilin Allahu ua ktheu në qafat e tyre, kështu Allahu e ndihmoi të Dërguarin e Tij Musain me mrekullinë, me të cilën e nderoi atë. Ky argument ishte shkak që magjistarët i besuan Zotit të tyre, ndërsa Faraoni dhe ata që ishin me të, u bënë arrogantë dhe e kundërshtuan të vërtetën me të cilën erdhi Musai, paqja qoftë mbi të, duke e akuzuar atë me akuza të rreme, kinse Musai kërkon që t’ua ndryshojë fenë atyre dhe të bëjë shkatërrim në tokë. Por përfundimi i tyre ishte ndëshkimi në këtë botë dhe në tjetrën, ata u mbytën në ujë ndërsa shpirtrat e tyre do të digjen në Zjarr, siç thotë i Lartësuari:

وَيَوْمَ تَقُومُ السَّاعَةُ أَدْخِلُوا آلَ فِرْعَوْنَ أَشَدَّ الْعَذَابِ

Ditën e Kijametit, do t’u thuhet atyre: “Futini pasuesit e faraonit në dënimin më të rëndë.” Gafir, 46

 

Përktheu: Muhamed Kallashi