Autor: Rabij ibën Hadij Umejr el-Medkhalij

Burimi: Merhaben ja talibel ilmi, fq. 38-39

 

Përderisa e mësove menhexhin e saktë, atëherë miqëso dhe armiqëso për këtë menhexh; mos iu tremb kritikës së askujt kur i bindesh Allahut. Ama që ti të qëndrosh në anën e kundërt bashkë me njerëzit e të kotës, ndërkohë që ti e di të vërtetën, pastaj thua: “unë jam selefij”, mirëpo pas kujt shkon ti? Kë miqëson ti? Ku është selefizmi?

A ky na qenka selefizmi që ti të vraposh pas njerëzve të bidatit nën udhëheqjen e tyre, e ti t’i mbrosh bidatet dhe devijimet e tyre?!

Betohem në Allah, kjo nuk është logjikë e shëndoshë! Logjika e shëndoshë është që nëse ti e pason menhexhin e selefëve, atëherë ti e ke detyrë që të thërrasësh në të, t’ua paraqesësh atë njerëzve në mënyrën më të mirë, t’i nxitësh njerëzit për pranimin e tij, të përmendësh veçoritë e tij, të ftosh në të, si dhe ta refuzosh të kotën që e kundërshton dhe e lufton atë.

Mirëpo, që ti ta zbukurosh të kotën, t’i mbrosh pasuesit e të kotës, ta mbrosh të kotën, t’i armiqësosh familjarët dhe vëllezërit e tu, ithtarët e akides tënde, akides së saktë, të cilën ti e di se ajo akide është: “Ka thënë Allahu, ka thënë i dërguari i Allahut”, kjo nuk është logjikë. Kjo logjikë është e refuzuar te të gjithë njerëzit e logjikshëm.

Nuk është çudi ta bëjë këtë ai që ka medh’heb të kotë, të cilin e beson dhe për të cilin ai miqëson, fton në të dhe lufton për të. Por ama ti që thua se je në të vërtetën dhe se je në menhexhin selefij, kur befas ti bëhesh me njerëzit e të kotës dhe me njerëzit e bidatit! Jo o vëllai im! Pasha Allahun, ka mundësi që mos të të besoj më, të ta them troç, derisa ti të ma faktosh mua me vepra atë që thua me qëndrimet e tua, me hutbet e tua, me shkrimet e tua, me miqësinë dhe me armiqësinë tënde.

Kur unë të shoh se ti i ke realizuar këto gjëra, atëherë unë do të mjaftohem me aparencën, me atë që do shfaqësh ti dhe do të them: “Ti je në hak! Ti je selefij, in sha Allah...”, Kjo është gjë e domosdoshme, që çfarë ka në zemër do të shfaqet në vepra. Nga gjërat e domosdoshme të imanit është se njeriu nëse beson në diçka, atëherë gjymtyrët e tij do të aktivizohen për t’i shërbyer atij besimi të cilin ai beson.

 

Përktheu: Muhamed Kallashi